image
Shkollat fillore në komunën e Çairit kanë përforcuar masat e sigurisë pas zhdukjes së fëmijëve dhe tentimeve për rrëmbime. Në shkollën fillore ‘Cvetan Dimov’ drejtoria bashkë me këshillin e prindërve, kanë marrë vendim që fëmijët të sillen në shkollë dhe të merren nga vetë prindërit. Madje, një rregull i tillë, ka nisur të zbatohet prej tre ditësh tashmë.
“Po ndodhin punë të ndryshme, po rrëmbejnë fëmijë dhe jemi të detyruar që ti sjellim dhe tani kemi vendim nga shkolla se duhet t’i sjellim. E treguan arsyetimin, pse? Për shkak të dhunës që mund të ushtrohet ndaj fëmijëve, shkruante në një fletë dhe duhej që të nënshkruhem dhe ajo ishte e tëra”, tha një prind.
“Kam ardhur me e sjell fëmijën tim në shkollë, është klasa e katërt, ashtu na e kanë dhënë lajmin me i pru dhe çdo ditë dhe me i marr. Kemi frikë për besë se nuk ka sigurim duhet me i sjell dhe me i marr”, u shpreh një prind tjetër.
Prindër që shoqërojnë fëmijët, i pamë edhe në shkollën ‘Liria’, ndërsa një praktikë e tillë zbatohet edhe në ‘7 Marsi’ njofton drejtori i kësaj shkolle. Prindit nuk janë të obliguar për këtë, nga shkollat dhe këshilli i prindërve, thonë drejtorët e shkollave. Në shkollën ‘Liria’ pas një mbledhje të mbajtur me këshillin e prindërve, nxënësve iu janë dhënë këshilla, të tregohen më të kujdesshëm pas mbarimit të mësimit.
“I informojmë fëmijët se si të sillen, me kë të komunikojnë, ti përmbahen orarit të mësimit, mos të enden lartë e poshtë, qoftë në oborr të shkollës apo jashtë shkollës, mos të komunikojnë me individë të panjohur”, deklaroi Nuri Rexhepi, zëvendësdrejtor i shkollës ‘Liria’.
Nga komuna Çair thonë se nuk bëhet fjalë për qëndrim komunal, por vetëm masa preventive të drejtorive të shkollave në bashkëpunim me këshillin e prindërve.
Ndërkohë shtohen rastet për rrëmbime. Përveç rasteve në lagjen e Gazibabës dhe fshatin Svillare, gjatë ditës së djeshme në Sektorin për Punë të Brendshme të qytetit të Shkupit është lajmëruar një rast i ri. Persona të panjohur, i kanë kërkuar të hip në një veturë, një nxënëseje të shkollës ‘Cvetan Dimov’ e cila shkonte për në shkollë. Por vajza ishte larguar me vrap. Policia thotë se po heton rastin, për të parë lidhjet e mundshme me rastet paraprake.
Për momentin, në mbarë territorin e vendin mbeten të zhdukur 3 fëmijë: Mitat Ibarhimi nga fshati Konjare e Mesme si dhe një vajzë e një djalë nga rrethinat e Kumanovës.