Situata politike dhe e sigurisë në Maqedoni është mjaft kritike, sepse pushteti mund të inskenojë incident të armatosur në ndonjë rajon shqiptar, për t’i ikur presionit ndërkombëtarë për zgjidhjen e çështjes së emrit dhe implementimit të Marrëveshjes së Ohrit. Paralajmërime të këtilla vijnë nga analistët shqiptarë, të cilët thonë se shqiptarët e pësojnë çdo herë kur pushtetet në Maqedoni duhet të sjellin vendime të rëndësishme.

Analisti Kim Mehmeti, thekson se çdoherë kur është vendosur diçka me rëndësi për këtë shtet e kanë pësuar shqiptarët. “Nuk është asgjë e çuditshme ajo që është praktikuar gjithmonë në këtë Maqedoni. Sa herë që është deshtë në këtë shtet të fshihet problemi më i madh është inskenuar ndonjë situatë kritike ku fajtor, kushtimisht të them, janë shpallur shqiptarët. Sinqerisht unë pres që të ndodh diçka e ngjashme edhe këto ditë”, tha Mehmeti.

Në një skenar të ngjashëm ka paralajmëruar edhe Xhezair Shaqiri, i njohur si Komandant Hoxha në luftën e vitit 2001. “Padyshim se provokime të tilla do të ketë nga policia njënacionale sllavo-maqedonase. Gruevski nuk ka shumë guxim, por e ka kuptuar se deri sa të jetë Ahmeti dhe Thaçi, ai mundë t’i sulmojë shqiptarët sa herë që dëshiron dhe nuk ka asnjëfarë përgjigje. Por, ndoshta do të dalë edhe dikush tjetër që t’ju rezistojë këtyre sulmeve, do të mbrohet, ngjashëm si Tanusha që po reziston gati tre vite”, tha ish-komandant Hoxha.

Një arsye pse situata mund të eskalojë është dështimi politik i maqedonasve. “Në këtë shtet gjithmonë mbas atij ‘rrezikut’ shqiptar, politikanët maqedonas i kanë fshehur të gjitha tentimet e veta që i kanë pasur kundër premtimit, të mos them edhe kundër shqiptarëve”, tha Kim Mehmeti.

“Lajm”, mëson se gjatë ditës së mërkurë rreth 30 vetura të policisë së Maqedonisë kanë udhëtuar drejt fshatrave të Karadakut të Shkupit, Brezë, Malinë dhe Tanushë.

Të dyshimta janë edhe rrethanat në të cilat u zhvillua aksioni për kapjen e armatimit në vendkalimin kufitar të Bllacës gjatë ditës së enjte.

I shqetësuar për gjendjen aktuale është shprehur edhe analisti Ismail Sinani.

“Për fat të keq retorika e ndërkombëtarëve që po përdoret kohëve të fundit, në shumë segmente i ngjanë situatës para vitit 2001 dhe sidomos periudhës 2002-2003. Apelet e tyre për qetësi, janë një sinjal i qartë se diçka në Maqedoni, nuk është duke funksionuar si duhet. Se a do të ndodh pas kësaj ndonjë incident, nuk më takon mua të prejudikoj,

por e kaluara jep alarmin se megjithatë mund të ndodh diçka që nuk do ta kishte dëshiruar askush”, tha Sinani.

Edhe ai mendon se duke u bazuar në historinë e hidhur të shqiptarëve në Maqedoni, në këtë moment mund të përdoret metodat e vjetra. “Qeveritë në Maqedoni dhe sidomos kjo e Gruevskit, për të zhvendosur vëmendjen nga problemet reale, siç është mos-zgjidhja e çështjes së Emrit, mund të inskenojë gjëra që mund të shkaktojnë tronditje në opinion. Këtë, kjo Qeveri e ka bërë disa herë deri më tani”, tha analisti Sinani.

Ndërkaq, ish-komandant Hoxha e tërheq vëmendjen se durimi i shqiptarëve është në pikën e fundit. “Edhe sa do të munden të durojnë shqiptarët këto sulme të Gruevskit unë nuk e di. Nuk më pëlqej deklarata e ambasadorëve ndërkombëtare, që thanë se Marrëveshja e Ohrit nuk ka vdekur. Qytetarët shqiptarët në Maqedoni nuk po e ndjejnë Marrëveshjen e Ohrit në jetën e përditshme”, tha Hoxha.

Mjaft e dyshuese është edhe humbja e fëmijëve shqiptarë, shtimi i frikës te popullata nga kjo dukuri. Dyshimet janë shumë më të mëdha kur shtrohet pyetja pse nuk humbin edhe fëmijë të familjeve maqedonase dhe cili është efekti i policisë.

 

Hoxha: Gruevski është qyqar

“Gruevski është i dobët. Ai është një prej politikanëve që s’ka lidhje me politikë. Një ndër nacionalistët më të mëdhenj të Ballkanit. Gruevski nuk të jep dëshirë për luftë. Ai është një qyqar, që vetëm Menduh Thaçi dhe Ali Ahmeti e kanë lejuar të na maltretojnë të gjithë shqiptarëve në Maqedoni”, tha Xhezair Shaqiri – Hoxha.