Përleshje e armatosur në Bllacë të Shkupit, qetë në Tanushë
Shkup, 29 prill – Përleshja me armë zjarri midis policisë dhe personave të uniformuar mbrëmjen e së mërkurës ka ndodhur në kufirin midis Maqedonisë dhe Kosovës, gjatë aksionit në fshatin Bllacë, ka informuar Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë. Sipas burimit të njëjtë, mbrëmjen e së mërkurës policia ka organizuar aksion në atarin e fshatit Bllacë, pas njoftimeve të marra për sasi të madhe të fshehur të armëve të paligjshme. Disa persona të uniformuar, që kanë siguruar vendin, kanë hapur zjarr
mbi policë. Pasi kjo e fundit u është kundërpërgjigjur, personat e uniformuar janë arratisur. Gjatë aksionit nuk ka pasur pjesëtarë të plagosur të policisë, ndërsa është sekuestruar një sasi më e madhe e armëve të paligjshme.
Ndërkohë, informacionet e një dite më parë për manovrime eventuale të grupeve të armatosura në Tanushë të Shkupit, janë përgënjeshtruar nga ish-komandanti i UÇK-së Xhezair Shaqiri-Hoxha. Ai tha se mund të ketë ndodhë ndonjë keqkuptim, pasi tani fshatarët në Tanushë kthehen për të punuar tokën e tyre. Hoxha tha se për këto informacione janë alarmuar edhe institucionet ndërkombëtare në Maqedoni. “Të mërkurën më janë paraqitur diplomatët në telefon dhe janë interesuar për gjendjen e sigurisë. U thash se këtu gjithçka është në rregull dhe se në Tanushë nuk ndodh asgjë”,
ka thënë Hoxha. “Forcat policore kufitare e kanë vijën e vetë dhe e monitorojnë situatën por gati tre vjet nuk janë duke provokuar. Me bashkësinë ndërkombëtare, NATO-n dhe SHBA-në jam në kontakt të vazhdueshëm dhe u kam thënë se gjendja në rajonin e Tanushës është normale”, theksoi ai.
Edhe diplomatët e huaj mësohet të jenë të brengosur për shkak të izolimit të Maqedonisë nga strukturat e NATO-s dhe BE-së, që është rezultat i mosgatishmërisë së Shkupit
zyrtar për kompromis për emrin, dhe i politikës nacionaliste të kryeministrit Gruevski, gjë që ka rritur tensionet ndëretnike në Maqedoni, duke rrezikuar paqen dhe stabilitetin e vendit. Politika përjashtuese për shqiptarët, që ka zbatuar kryeministri Gruevski katër vjet me radhë dhe paraqitja e kërkesave dhe opsioneve radikale për ridefinimin e marrëdhënieve shqiptaro-maqedonase mësohet të ketë qenë arsyeja e reagimit të përbashkët të faktorit ndërkombëtar lidhur me ngecjen e implementimit të Marrëveshjes së Ohrit, dokument i cili parandaloi luftën qytetare në vitin 2001.
Shefat e misioneve të BE-së, NATO-s, OSBE-së dhe të SHBA-së në Shkup, me një deklaratë të përbashkët, kanë shprehur shqetësim për deklaratat e paradokohshme të liderëve politikë dhe të individëve të tjerë, të cilët flasin për ndarje, konflikt dhe braktisjen e Marrëveshjes së Ohrit.