image

Shqetësimet e ndërkombëtarëve rreth gjendjes aktuale politike në vend sot u transferuan edhe në Parlament gjatë seancës ku shtroheshin pyetjet e deputetëve. Andrej Petrov i LSDM-së pyeti kryeministrin se në çfarë drejtimi po shkon vendi dhe hodhi poshtë si të pabaza deklaratat e VMRO-DPMNE-së se një pjesë e madhe e fajit i takon opozitës. “Zoti Gruevski a ndjeni përgjegjësi për drejtimin gabuar në të cilin po shkon Republika e Maqedonisë. Deklarata e përbashkët e NATO-s, BE-së, SHBA-ve dhe OSBE-së me të cilën shprehin shqetësimin për gjendjen në vend, flasin për ndarje, për konflikte dhe për mos-implementim të marrëveshjes së Ohrit, ishte një dush i ftohtë për opinionin e Maqedonisë. Habitëse megjithatë kjo nuk është hera e parë, VMRO-DPMNE-ja e drejton gishtin drejtë opozitës, opozita është ajo e cila është fajtore për gjithçka. Zoti kryeministër në një vend ku pushteti ka shumicën absolute, ka mbi 80 deputet në parlament, ka mbi 90 për qind të komunave, ka presidentin e shtetit, i ka të gjitha institucionet nën kontroll të saj  nuk mund për çështjet e rëndësishme të jetë fajtorë dikush tjetër  a të mos jetë fajtore qeveria”, vlerësoi Andre Petrov, deputet i LSDM-së.
Ndërkohë Gruevski shqetësimin e ndërkombëtarëve e sheh tek disa individë  të cilët i bëjnë obstruksione Marrëveshjes së Ohrit dhe deklaron se qeveria është e përkushtuar në implementimin e plotë të këtij dokumenti. “Reagimi para së gjithash kishte të bëjë me disa individë të cilët i bëjnë obstruksione marrëveshjes së Ohrit, unë dëshiroj t’ju bind se kjo qeveri është e përkushtuar plotësisht në implementimin e asaj Marrëveshje kornizë. Ne do të mbetemi të përkushtuar, por kuptohet të përkushtuar edhe në të gjitha çështjet e tjera të cilat qeveria i ka në  program”, deklaroi Nikolla Gruevski, kryeministër i Maqedonisë.
Ndërkohë Abedin Zymberi nga DR pyeti ministrin e drejtësisë Mihajllo Manevski për rastet e Hagës, procedimin e tyre nga gjykatat e vendit, pavarësisht marrëveshjes dhe rekomandimeve të Gjykatës së Hagës, si dhe  kryeparlamentarin Veljanovski, për dërgimin ose jo të konkluzioneve të grupit të punës rreth rasti të Sopotit tek Gjykata Supreme. Megjithatë Zymberi mbeti pa përgjigje për shkak të mungesës së ministrit të drejtësisë dhe kryeparlamentarit. Përgjigjet do të jepen me shkrim pas një muaji.
 
Bedri Rexhallari