Cenzuruesit do ta humbin luftën
Semi MEHMETI
Cenzorët e Gruevskit e ndaluan botimin e gazetës “Koha e Re”. Me siguri bëhet fjalë për mendësinë e kohëve të shkuara kur fjalën dhe mendimin e shprehur në gjuhën shqipe, e burgosnin Komitetet Qendrore sa herë që ajo nuk u pëlqente. Kuptohet, ne nuk kemi me çka t’u kundërvihemi institucioneve shtetërore që nuk janë mësuar të dëgjojnë mendimin kritik të thënë në gjuhën shqipe, por mund të themi vetëm atë që na takon: do dështojnë të gjithë ata që mendojnë se mund ta burgosin mendimin e lirë.
Ne e dimë se cenzorët e Gruevskit na përgatisin lojën e quajtur “shqiptarë kundër shqiptarëve”, në të cilin “film” ne nuk luajmë dhe nuk mund të ketë rolë për ne të “Kohës së Re”. Andaj kushdo që mendon se me paraqitjen në skenë të kohës së vjetër, do na çojë neve të “Kohës së Re” që të harrojmë se kush na e ndaloi gazetën, atëherë gabon. Në vendimin për ndalimin e botimit të mëtejmë të “Kohës së Re” ka nënshkrim dhe vulë që qartë tregojnë se kush e ka sjellë këtë vendim. Pra se kush qëndron mbrapa këtij vendimi ne e dimë: cenzorët e Gruevskit dhe shërbëtorët e tij shqiptarë. Nuk ka nevojë askush të na jep dëshmi shtesë se Gruevski nuk do mund të bënte asgjë kundër shqiptarëve sikur të mos ishte i ndihmuar edhe nga qarqe shqiptare. Këtë ne e dimë, por ne kurrë nuk do ia mundësojmë Gruevskit që të na futë në lojërat e tij që i ka kurdisur deri më tani, e që shqiptarët të grinden mes veti, e ai të përfitojë.
“Koha e Re” ishte dhe do mbetet edhe një dritare nga do mund shqiptarët e Maqedonisë ta shohin të vërtetën rreth tyre dhe ta thonë vetë ata të vërtetën për veten. Dhe përderisa kjo gazetë është dritare nga shihet e vërteta, atë s’do mund askush as ta mjegullojë as ta thyej xhamin e saj. Ata që mendojnë se aq lehtë mund të burgoset mendimi i lirë, mbase jetojnë në kohën e vjetër, apo besojnë se edhe në kohën e internetit të vërtetat i përcakton cenzuruesi e jo gazetari objektiv. Të gjithë atyre ne s’kemi as çka u shpjegojmë as ç’ka i porosisim, përpos t’u themi se betejën e kanë humbur që tani, vetëm se këtë nuk e shohin. Nuk e shohin shkaku se i ka verbuar dëshira që çdo kush që mendon ndryshe nga ata, të mos ketë ku ta thotë mendimin e vet.