Luigj Shkodrani-Lajme nga Shqipëria
 
 Kryeministri Berisha u shpreh se qeveria do të mbështesë fuqishmisht këtë fakultet, me të gjitha investimet e nevojshme, në mënyrë që studentët së bashku me stafin akademik te tij të shndërrohen në prodhues të shkëlqyer soft-esh.
Kryeministri Berisha mori pjesë sot në ceremoninë e inaugurimit të godinës së Fakultetit të Inxhinierisë Matematike dhe Inxhinierisë Fizike.
Pas ceremonisë, Kryeministri vizitoi edhe disa nga laboratorët e këtij fakulteti, ku fillimisht u ndal në laboratorin e Informatikës. Kryeministri Berisha përgëzoi stafin e këtij fakulteti për punën e bërë, por edhe për aftësinë e treguar në kapacitetet investuese.
Duke përgëzuar stafin e këtij fakulteti për punën e bërë, Kryeministri u shpreh se për Shqipërinë nuk ka përparësi më të madhe sesa ICT-ja . “Ajo përbën përparësi absolute dhe në projektin tonë, po t’i kthehemi termave të fizikës, përbën Levën e Arkimedit për të shkëputur vendin nga një trashëgimi e papërshtatshme dhe për ta vendosur atë në stadin më të avancuar të moshës dixhitale. E kam pritur me shumë kënaqësi themelimin e kësaj dege në këtë fakultet. Ne do të mbështesim çdo degë në arsimin e lartë, por detyrat më prioritare të qeverisë në projektin e zhvillimit qëndrojnë në degët tuaja”, u shpreh Kryeministri.
Më tej, Kryeministri u shpreh se ka rëndësi të jashtëzakonshme që vajzat dhe djemtë që studiojnë në këtë fakultet, së bashku me stafin akademik, të shndërrohen në bërthamë të fuqishme të këtij sektori. “Ne presim që fakultetet të shndërrohen në qendrat më të fuqishme, jo vetëm për përgatitjen e specialistëve të rinj, por të shndërrohen në qendrat më të fuqishme të kërkimit shkencor dhe në qendrat më të fuqishme të prodhimeve të soft-eve në Shqipëri. Qeveria do t’ju mbështesë fuqishmit, me të gjitha investimet e nevojshme, në mënyrë që këta djem dhe vajza, se bashku me stafin akademik, të shndërrohen në prodhues të shkëlqyer soft-esh. Ju mund të angazhoheni me imagjinatën tuaj të prodhoni soft-et më të avancuara dhe të dilni në treg. Në qoftë se ne nuk do të nxisim një iniciative të fuqishme në këtë drejtim, ne do të mbetemi në stadin e hekurave, sepse në fund të fundit këto janë thjesht hekura. Unë kam shumë besim se ju do ta kryeni këtë detyrë dhe do t’ju mbështesim shumë fuqishëm, por kërkojmë të dilni në krye të kësaj përpjekje”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Më pas, Kryeministri u ndal në Laboratorin Special të Fizikës, një laborator modern i ndërtuar në kuadër të projektit “Cilësi dhe barazi në arsim”. Kryeministri Berisha la një shënim në librin e përshtypjeve në këtë fakultet.
 Më poshtë vijon e plotë fjala e Kryeministrit Berisha:
“I nderuar zoti ministror i Arsimit dhe Shkencës,
Të nderuar deputetë,
I nderuar zoti Rektor i Universitetit Politeknik,
Zoti dekan i Fakultetit të Inxhinierisë Matematik-Fizike,
Të dashur pedagogë, profesorë dhe studentë të këtij fakulteti,
Së pari ju falënderoj me shumë respekt për ftesën që më bëtë, për të marrë pjesë në inaugurimin e godinës së fakultetit tuaj, të laboratorëve modern që ju keni ngritur, si dhe dua t’ju përgëzoj për punën me përkushtim që keni bërë, brenda një kohe të shkurtër, për sistemin më të mirë, për kushtet më të mira të studimit dhe kërkimit shkencor për stafin akademik dhe për studentët e këtij fakulteti. Dua t’ju përgëzoj për përkushtimin e madh që tregoni në konsolidimin e drejtimeve të reja të fakultetit tuaj. Këto drejtime janë bazuar në dy shkencat më themelore, të matematikës dhe fizikës, të cilat u japin koncepteve inxhinierike të këtij fakulteti një të ardhme dhe leverdishmëri të madhe.
Zoti rektor, zoti dekan,
Arsimi në tërësi dhe arsimi i lartë në veçanti përcakton më shumë se çdo gjë tjetër, më shumë se çdo faktor tjetër, të ardhmen e kombit dhe të ardhmen e vendit. Në këtë kontekst, qeveria që unë kryesoj, gjatë këtyre pesë viteve të fundit, nuk ka pasur sektor apo fushë tjetër më përparësore se sa arsimi i lartë i vendit. Ajo ka pasur dhe ka besim të madh në stafin pedagogjik universitar, në botën akademike shqiptare. Nisur nga kjo, me një shpejtësi pothuajse shumë të madhe, ne kemi arritur që sot në bankat e universiteteve tona të ulen jo më 52 mijë të rinj, sa ishin në vitin 2005, por 135 mijë të rinj. Askush nuk duhet të harrojë se akoma nuk kemi arritur objektivin tonë. Ne do të bëjmë çdo gjë që të gjithë maturantët që dëshiron të vazhdojë shkollën e lartë, dhe mbi bazën e meritës, t’i kenë plotësisht të hapura e dyert e tyre. Ne do të bëjmë çdo gjë që këto tre vite të kapin mesataren evropiane për numër studentësh për çdo 1000 banorë dhe ta tejkalojnë atë, sepse ne jemi kombi më i ri në Evropë.
Të dashur studente dhe studentë,                                                
Ne do të bëjmë çdo gjë që të krijojmë kushtet më moderne për shkollim sa më cilësor tuajin. Unë vizitova këtu një laborator për të cilin dekani më informoi se kushton rreth 800 mijë dollarë. Absolutisht, nuk do të ketë asnjë kufizim në financimin e teknologjive më moderne dhe më të avancuara për pajisjet e universiteteve, fakulteteve dhe departamenteve tona. Ne e marrim arsimin e lartë si çështjen më serioze të vendit. Ne kemi 2-3 fishuar investimet dhe jemi gati t’i rrisim ato. Ne kalojmë sot në qeveri një vendim shumë të rëndësishëm dhe i propozojmë Parlamentit një projektligj shumë të rëndësishëm për arsimin e lartë. Është modifikim i ligjit ekzistues, i cili nuk ka asnjë qëllim tjetër përveç se të detyrojë ekzekutivin të qëndrojë në lartësinë e kërkesave të këtyre degëve.
Zoti rektor, zoti dekan,
Thirrja ime miqësore për ju, si dhe për të gjithë rektorët dhe dekanët e tjerë në vend, është që të punoni me shpejtësi për t’iu përgjigjur me staf pedagogjik numrit të rritur të studenteve në universitetet tona. Unë do t’ju rrëfej diçka. Unë, pothuajse çdo ditë, mbroj me fanatizëm taksapaguesin shqiptar nga numri i burokratëve, sepse çdo rrogëtar rëndon mbi shpatullat e tyre. E kam bërë këtë me rezultate dhe efiçencën më të madhe. Por ka vetëm një sektor, ka vetëm një fushë, për të cilin unë bëj thirrje të shtoj numrin e pedagogëve dhe punonjësve, kjo është fusha e arsimit të lartë, e universiteteve.
Unë ju bëj thirrje të rekrutoni, mbi bazën e garës dhe konceptit të hapur, djemtë dhe vajzat më të mira, të shkolluar në këto fakultete dhe fakultetet në mbarë botën. Unë e di se kjo është një faturë jo e thjeshtë financiare, por jam i bindur se është në interesin më të mirë të vendit ta përballojë atë. Ne kemi një raport të papërshtatshëm pedagog-student dhe ky raport u krijua për shkak të rritjes, pothuajse të rrufeshme, të numrit të studentëve në shkollat tona. Ndaj, me shpejtësi ne duhet të rekrutojmë dhe rrisim numrin e pedagogëve.
Ne në qeveri vendosim sot t’i propozojmë Parlamentit për të rishqyrtuar çështjen e normës së pedagogëve. Propozojmë një normim më liberal të tyre, në mënyrë që fakultetet, departamentet, universitet, të jenë shtretërit e ngrohtë të zhvillimit, të gëlimit, të avancimit, të mendimit intelektual kombëtar. Të tilla janë dhe kanë qenë ato në të gjitha kohërat. Ne do të bëjmë çdo gjë që ta inkurajojmë këtë. Unë kam besim se ne  sikundër do të kapim mesataren evropiane, pas dy viteve, për numrin e studentëve për 1 mijë banorë, ne do të kapim mesataren e vendeve më të përparuara, anëtare të OECD-së, në numrin e pedagogëve për studentë.
Të dashur studentë,
Një tjetër detyrë e madhe është angazhimi juaj, së bashku me pedagogët tuaj, në kërkimet shkencore. Nuk ka asgjë më tërheqëse, më të magjishme, për të rinjtë dhe të rejat në rrafshin universitar, sesa angazhimi i tyre në tema studimore dhe në kërkime shkencore, së bashku me pedagogët e tyre. Kjo është në kuadrin e diplomave, në kuadrin e studimeve që bëjnë departamentet, por kjo është përcaktuese edhe për cilësinë dhe perspektivën e mësimdhënies dhe botës akademike në tërësi. Ne presim që universitetet, fakultetet e Informatikës dhe ICT-së të udhëheqin procesin e shndërrimit të Shqipërisë manuale në Shqipëri dixhitale. Unë kam besim të plotë se imagjinata  dhe përkushtimi juaj, përbën bazën më të fuqishme për realizimin e këtij objektivi.
Shqipëria dixhitale është një Shqipëri që ecën e sigurt në kursin e orës globale; një Shqipëri që shkëputet me guxim të madh nga trashëgimia e saj e prapambetur; një Shqipëri që kap kohën e humbur.
Zoti dekan,
Juve, si dhe të gjithë drejtuesve të fakulteteve të ngjashme, ju bëj thirrje të mos kurseni asgjë për të vendosur kutikulat më të mira; të mos kurseni asgjë për një bashkëpunim të ngushtë ndërkombëtar dhe për të marrë me kontratë për  një apo dy vite specialistët më të shquar të fushave, në mënyrë që këto kapacitete t’i zhvillojnë dhe fakultetet tona. Të bëhet çdo përpjekje, të rrisim çdo ditë e më shumë cilësinë dhe efiçencën e mësimdhënies në arsimin e lartë.
Pas një shqyrtimi të gjatë, ne vendosim sot të konsolidojmë sistemin e Bachelor dhe Master. Sërish, edhe këtu, ne do t’i adresohemi liberalizmit. Ai është parim i artë. Askush nuk duhet të ketë frikë prej tij. Këtu ka studentë të shkëlqyer në fushën ku punojnë, por ka edhe të tjerë që mendjen e kanë këtu, por zemrën e kanë diku tjetër. Ne do t’u japim edhe atyre mundësi që në rast se nuk kanë gjetur veten e tyre gjatë tre viteve të studimit në fushën që kanë studiuar, të kenë mundësi të ndjekin masterin që duan, mbi bazën e krediteve që do të marrin. Ne do të përpiqemi të hapim dyer dhe dritare për pasionet tuaja shpirtërore, për pasionet tuaja profesionale.
Edhe një herë dua të përgëzoj pedagogët, pedagoget, veçanërisht rektorin e Universitetit të këtij fakulteti dhe të gjitha shkollave të larta të vendit, si dhe t’i ftoj ata që të vazhdojnë me përkushtim të madh garën e dijes, garën më fisnike e më të rëndësishme të një kombi dhe një shoqërie.
Faleminderit!”
 
Marre nga faqja e Kryeministrit.
 
 
Kryeministri Berisha: Policia e Shtetit do përputhet me detyrimet e reja që dalin nga procesi i heqjes së vizave
 

Kryeministri Berisha tha sot, në mbledhjen e qeverisë, se do të vazhdojë ristrukturimi i Policisë së Shtetit, në përputhje me obligimet e reja të Shqipërisë, që dalin nga procesi i heqjes së vizave. 
 
“Vazhdon reforma e policisë. Këtë herë jo me shkurtime, por hiqen nga objektet 200 inspektorë dhe punonjës të Policisë së Shtetit dhe dërgohen që të gjithë në policinë e kufirit, sepse procesit të heqjes së vizave, duhet t’i përgjigjemi me shkallë më të lartë të përgjegjësisë në sektorin e migracionit, të luftës kundër drogës. Në përputhje me obligimet e reja madhore që dalin nga procesi i heqjes së vizave, të gjithë sektorët që kanë të bëjnë me objektivat dhe kërkesat e udhërrëfyesit duhet të konsolidohen gjithnjë e më shumë”, u shpreh Kryeministri.
 
Në këtë kontekst, Kryeministri theksoi se është bërë e qartë se sistemet tona janë ndër më modernet, duke informuar se një tjetër gjysmë milion euro është për fuqizimin e serverëve dhe të të gjitha potencialeve të këtyre sistemeve.
 

Marre nga faqja e Kryeministrit.
 
Ruçi në Fier: Sali Berisha është “burri i Ruzhdies”
 

 
Rama fton qytetarët në protestën e 30 prillit
Ngjela: Tirania mban votat e fshehura
Tri ditë para protestës së 30 prillit, kryetari i partisë më të madhe opozitare, Edi Rama, ka zgjedhur Fierin për të zhvilluar protestën e radhës. Ai e ka përqendruar fjalën e vet te kriza ekonomike dhe që zanafillën e saj e ka te votat e vjedhura të qershorit të kaluar. “Në Elbasan kam takuar një biznesmen, i cili më 28 qershor kishte votuar për PD-në… Konkretisht, ish i djathti më tha: Mirë juve u vodhi votën, por me tokën, të ardhurat, pagën, biznesin, pronën tonë ç’pati Berisha?”, u shpreh Rama para qytetarëve të Fierit. Sipas tij, kjo situatë e krijuar është një arsye pse “shumë të djathtë do të jenë bashkë me ne në protestën maratonë të 30 prillit”. Në vijim të fjalës së tij, Rama është ndalur te faturat e ujit dhe energjisë që i shpërndahen komunitetit, që sipas tij janë të mbifryra me qëllim fshehjen e vjedhjes që bën qeveria dhe segmentet e saj. Ndërkohë kreu i Asamblesë së PS-së, njëkohësisht kryetari i grupit të deputetëve, Gramoz Ruçi, e ka cilësuar Sali Berishën si “burri i Rruzhdies”. “Unë ju them se dhe durimi ynë ka një fund. Të mos luajë asnjë hajdut dhe as zëvendësi i tij më kryehajdut me durimin e qindra-mijëra njerëzve. Berisha tashmë është ‘burri i Ruzhdies’ së famshme, që shfaq fare hapur pushtetin hajdut të tij”, ka thënë Gramoz Ruçi. Gjithashtu, në protestën e Fierit ka folur edhe Spartak Ngjela, i cili ka bërë një perifrazim simbolik të protestës së 30 prillit. “Në 30 prill do përplaset fakti historik me vetë historinë. Dhe kur ndodh kjo, nuk ka asnjë Kryeministër tiran që t’i rezistojë. Sot ne po vuajmë tiraninë e një pushteti që na ka grabitur. Mbi të gjitha kjo tirani ka vjedhur votat dhe i mban ato të fshehura në tunele. Qeverinë e Berishës nuk e pranon Europa dhe Perëndimi”, ka thënë Ngjela. Pjesëmarrës në protestën e së martës në Fier kanë qenë të gjithë deputetët e PS-së në shkallë qarku. Kanë folur duke denoncuar situatën ekonomike dhe sociale në Fier, Lushnjë e Mallakastër deputetët Albert Çaçi, Fatos Tushe, Arben Çuko, Armando Subashi etj. Po dje, letra e kongresmenit amerikan, Delahunt, për Kryeministrin Sali Berisha, është lexuar nga Partia Socialiste nën dritën e një mesazhi kritik për qeverinë aktuale. Sekretarja për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në selinë rozë, Arta Dade, deklaroi dje se përmbajtja e letrës dhe adresimi i saj te kreu i qeverisë dëshmon për koherencën e qëndrimeve të opozitës dhe për atë që është faktori kyç i zgjidhjes së krizës së tanishme politike në vend. Si pikë qendrore në interpretimin socialist është marrë theksi i vënë nga kongresmeni amerikan, njëkohësisht kryetar i Nënkomisionit për Europën në Komisionin e Politikës së Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në realizimin e transparencës së zgjedhjeve të 28 qershorit.

 Marre nga gazeta Shqip.
 
Jelko Kacin: Kriza, Shqipëria po i përcjell Brukselit mesazh negativ
 
 
Fajon: Propozimi për vizat, në qershor. Vendimi? Shpejtësia varet nga autoritetet tuaja
Jean Louis De Brower, numri dy i zyrës së Komisionit Europian që merret me çështjen e liberalizimit të vizave me Shqipërinë e Bosnjën, i ka informuar eurodeputetët e Komitetit për Çështjet e Lirisë, Sigurisë dhe Drejtësisë në Parlamentin Europian gjatë pasdites së djeshme me progresin e bërë nga 2 vendet e rajonit. Pas takimit me dyer të mbyllura për median, raportuesja për vizat, Tanja Fajon, publikoi një komunikatë për shtyp, ku mbështet liberalizimin e vizave në fillim të vjeshtës, duke vlerësuar se kriteret e papërmbushura ende duhet të realizohen, deri atëherë, nga autoritetet e Tiranës dhe Sarajevës. “Pres që Komisioni Europian të shpërndajë propozimin legjislativ për të dyja vendet jo më vonë se fillimi i qershorit. Por shpejtësia e mëtejshme për finalizimin e procesit është ende në duart e autoriteteve të këtyre dy vendeve. Ato duhet të sigurojnë në kohën e duhur se ato janë në gjendje t’u përgjigjen shqetësimeve që mbeten, veçanërisht për zbatimin e reformave në fushën e ligjit, rendit e sigurisë së brendshme”, theksoi Fajon. Eurodeputetja tregon se Komiteti për Çështjet e Lirisë, Sigurisë dhe Drejtësisë në Parlament ka mbështetur liberalizimin e vizave për Shqipërinë dhe Bosnjën, si dhe trajtimin si çështje “urgjente” sikundër është angazhuar dhe nëntorin e kaluar. “Bosnja veçanërisht meriton sinjal pozitiv, tani më shumë se kurrë afër Brukselit”, diferencohet në komunikatën e raportueses Tanja Fajon. Nënkryetari i delegacionit të Shqipërisë, Bosnjes, Malit të Zi e Kosovës në Parlamentin Evropian, eurodeputeti slloven Jelko Kacin tha se “mesazhi më relevant – dhe është një mesazh negativ – që vjen nga Shqipëria, është çështja bazë se cila është përparësia strategjike e udhëheqjes shqiptare tani. Duket se liberalizimi i vizave nuk është përparësia kryesore, megjithëse qeveria po bën më të mirën, por nga ana tjetër, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, ka perceptimin e vet të dinamizmit të ndryshimeve pozitive në Shqipëri”. Referuar përplasjes politike në Shqipëri, Kacin insistoi se ajo tashmë po e pengon imazhin e Shqipërisë, sepse duket qartë se disa forca politike do të dëshironin ta përdornin rastin e liberalizimit të vizave për të luftuar, ose koalicioni ose opozita, kushdo qoftë. “Kjo përplasje po thellohet dhe nuk po kapërcehet, dhe siç e thashë, kjo dërgon një mesazh shumë të gabuar. Teknikisht çdo gjë është pak a shumë në rregull. Unë isha në Tiranë pak javë më parë. Ne na la përshtypje procesi i kontrollit dhe lëshimit të pasaportave dhe dokumenteve të tjera. Pra, është shumë evidente se Shqipëria po përparon shumë shpejt, por ju ngritët pyetjen bazë, dhe pyetja bazë nuk është teknike, por është shumë politike dhe në fund të ditës do të jetë një vendim politik, i vendimmarrësve politikë, që në këtë rast janë ministrat e brendshëm (të BE-së)”, insistoi Kacin. I pyetur për faktin se klasa politike në Shqipëri thotë se vendimi mbi vizat është teknik, Kacin u shpreh se “kurdoherë që një politikan bën një deklaratë, ajo është një deklaratë politike. Patjetër, që Shqipëria po bën përparim dhe po përparon shumë shpjet. Por në fund të ditës ne do të bëjmë një vlerësim të gjithanshëm”.
 
Marre nga gazeta Shqip.
 
 
Montobio: PS ne Kuvend, vendi ku behet dialogu
Rozeta Rapushi
 

Ne emer te Bashkimit Evropian, ambasadori i Spanjes ne vendin tone, Emanuel Montobio, i kerkoi dje partive politike qe te zgjidhin ngercin politik duke u bazuar ne Kushtetute dhe transparence. Ne prezantimin e objektivave tremujore te Spanjes, vendit qe ka presidencen e radhes se Bashkimit Evropian, Montobio kerkoi zgjidhje konkrete nga forcat politike per krizen e tejzgjatur. “Partite politike duhet te gjejne nje zgjidhje per ngercin politik ne vend. Zgjidhja duhet te bazohet tek respekti per Kushtetuten dhe transparenca. Ne presim fakte, jo fjale dhe theksojme edhe njehere, nevojen e domosdoshme per dialog”, beri te qarte Montobio. Sipas tij, pergjegjese per situaten aktuale ne vend jane te dyja forcat politike, si mazhoranca dhe opozita, ndaj ato duhet t’i japin zgjidhje menjehere ngercit politik, qe zgjat qe nga zgjedhjet parlamentare te 28 qershorit. Ne emer te Bashkimit Evropian, Montobio, tha se palet duhet te diskutojne ne Parlament, vendi ku zhvillohet dialogu dhe debati. Duke i bere thirrje deputeteve te opozites, qe te jene pjese e plote e Kuvendit dhe Komisioneve Parlamentare. “Kuvendi dhe Komisionet Parlamentare, nuk kane funksionuar normalisht. Parlamenti nuk eshte nje institucion ku vetem votohen ligje, por edhe zhvillohen diskutime, i kerkohet llogari qeverise per aktivitetin dhe punen e saj dhe sigurisht eshte vendi ku te zgjedhurit e popullit japin llogari dhe prezantojne vullnetin e zgjedhesve te tyre”, u kujtoi deputeteve te opozites, ambasadori spanjoll, Montobio, qe prej muajsh nuk marrin pjese ne votimin e projektligjeve si dhe ne komisionet parlamentare te Kuvendit. Sipas tij, Shqiperia duhet te mos humb kohe dhe te zbatoje rekomandimet e percaktuara ne progres raportin e Komisionit Evropian per te. Ndaj Montobio, i beri edhe njehere thirrje partive politike qe te jene pergjegjese dhe te zgjidhin krizen ne vend. Per sa i perket procesit te liberalizimit te vizave, pa dhene nje qendrim te tij per ecurine e ketij procesi, Ambasadori Spanjoll, tha se procesi po ecen dhe ai ka procedurat e veta te realizimit. Nderkohe qe kujtoi se procesi i liberalizimit te vizave eshte nje proces afatshkurter, nderkohe qe procesi afatgjate eshte integrimi i Shqiperise ne Bashkimin Evropian. Montobia ka thene se “sfide nuk eshte te futesh ne Evrope, por te behesh si Evropa”. Ne kete menyre, Montobio, iu kujtoi forcave politike se duhet te vihen ne sherbim te ecurise se reformave dhe integrimit te vendit ne Bashkimit Evropian. Thirrja e ambasadorit spanjoll, Montobio, u be vetem nje dite pas deklarates se perbashket te Keshillit te Evropes per te njejten ceshtje.

Marre nga gazeta Koha Jone.
 
 
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s vizitë zyrtare në Shqipëri, detajet e axhendës
 
 
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s vizitë zyrtare në Shqipëri, detajet e axhendës

 Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, do të zhvillojë nesër vizitë zyrtare njëditore në Shqipëri. Vizita e zyrtarit të lartë të Aleancës së Atlantikut të Veriut koinçidon një ditë përpara protestës së paralajmëruar nga opozita shqiptare në Tiranë. Do të jetë data 29 prill, kur në aeroportin e vetëm në Rinas “Nënë Tereza”, në orën 10:00 të paradites, do të mbërrijë funksionari më i lartë i NATO-s. Vizita e Rasmussen në Shqipëri është vizita e parë zyrtare në vendin tonë. Delegacioni që do të presë zyrtarin e lartë do të përbëhet nga ambasadori i Republikës së Shqipërisë në NATO Artur Kuko, drejtori i Përgjithshëm Spiro Koçi, drejtori i Protokollit të Shtetit, Ridi Kurtezi dhe specialisti i Protokollit të Shtetit, Ermal Dredha. Pas pritjes zyrtare që do t’i zhvillohet në aeroport, delegacioni i NATO-s sëbashku me atë shqiptar do t’i drejtohen Ministrisë së Punëve të Jashtme. Pas mbërritjes në selinë e diplomacisë shqiptare, do të zhvillohet një takim tet a tet midis zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme, Ilir Meta dhe sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen. Pas këtij takimi që do të zgjasë përreth 10 minuta, do të ketë një takim të dy personaliteteve midis dy delegacioneve. Ky takim, sipas axhendës së vizitës zyrtare të shefit të NATO-s në Shqipëri, do të zgjasë përreth 45 minuta. Mendohet që në këtë takim do të flitet për rolin e Shqipërisë si vend anëtar i Aleancës së Atlantikut të Veriut në rajon, për çështjen e Kosovës, si edhe angazhimin e Shqipërisë si vend anëtar i kësaj organizate etj,. Pas bisedimeve dypalëshe do të ketë një konferencë të përbashkët për mediat, Meta-Rasmussen, të cilët përveç zbardhjes së bisedës së tyre, do t’u përgjigjen edhe interesit të mediave për çështje të ndryshme, që do të zgjasë rreth gjysmë ore. Më pas, zyrtari i lart i cili do të vizitojë ditën e enjte vendin tonë do të niset për në ministrinë e Mbrojtjes, ku do të zhvillojë një takim me ministrin Arben Imami. Pas takimit 30-minutësh, Rasmussen do të niset për në Kryeministri ku do të zhvillojë takim me kreun e Qeverisë, Sali Berisha. Pas takimit që do të zgjasë rreth 35 minuta, do të zhvillohet një deklaratë për shtyp. Më vonë, do të ketë një drekë të ofruar nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, për sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s. Rreth orës 15:00, ky i fundit, do t’i drejtohet Kryesisë së Kuvendit ku do të zhvillojë një takim me kryeparlamentaren Topalli. Pas takimit me të, Rasmussen do të takohet gjithashtu me Presidentin e Republikës, Bamir Topi. Në fund të kësaj vizite, zyrtari i lart i NATO-s, përfundon serinë e takimeve në vendin tonë dhe do t’i drejtohet aeroportit. Atje ai do të zhvillojë edhe intervista me media edhe në orën 17.30 do të largohet nga vendi ynë.

Marre nga gazeta Koha Jone.
 
 
 
Komision shumëpërfshirës për përgatitjen e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë .
 
Komision shumëpërfshirës për përgatitjen e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë

 Flamuri i Shqipërisë
Kryeministri Besrisha njoftoi sot ngritjen e një komisioni, me pjesëmarrje të gjerë e të kryesuar nga Kryeministri, për përgatitjen e 100 vjetorit të pavarësisë së vendit. Duke folur në mbledhje të Këshillit të Ministrave, kreu i Qeverisë theksoi se “100 vjetori i pavarësisë përbën festën më të madhe për mbarë kombin shqiptar”. “Në këtë mandat, kryengjarja e Shqipërisë dhe shqiptarëve, pas liberalizimit të vizave, është 100 vjetori i pavarësisë së vendit. 100 vjetori i pavarësisë përbën festën më të madhe për mbarë kombin shqiptar”, u shpreh Berisha. Sipas tij, Shqipëria shkon në këtë 100 vjetor, siç e parashikuan dhe e projektuan ata që 98 vjet më parë, e shpallën shtet të pavarur, anëtare e NATO-s, kandidate e Bashkimit Evropian, shqiptarët të lirë pa viza, por edhe një vend me progres të madh në dy infrastrukturat, tokësore dhe atë dixhitale. Ai tha se komisioni duhet të jetë shumëpërfshirës, me faktorët më të rëndësishëm të kombit, në Shqipëri dhe jashtë saj, të qeverisë qendrore dhe asaj vendore, të botës akademike dhe shoqërisë civile. Për mënyrën e konceptimit të tij, kreu i ekzekutivit udhëzoi ngritjen e një grupi pune, të drejtuar nga zëvendëskryeministri. “Komisioni, duhet të ndërtohet dhe fillojë nga puna sa më shpejt. Mendoj që një grup, me në krye zëvendësministrin, të merret me konceptimin e komisionit, i cili do të kryesohet nga kryeministri dhe të fillojë punën. Të bëjmë çdo përpjekje që Shqipëria të takohet me 100 vjetorin e vet në mënyrën më dinjitoze të mundshme”, tha më tej, Sali Berisha.

Marre nga gazeta Koha Jone.
 
 
Kretë, emigranti shqiptar shkohet në hell i gjallë, pas një grindje.
 
 
Shekulli Online
 
 28/04/2010 

Policia greke po heton lidhur me nje rast të dhunës ekstreme ndaj një emigrant shqiptar 35-vjecar – njofton Televizioni Top Chanel
Sipas burimeve lokale, 35-vjecari shqiptar u paraqit në spitalin e Haniase ne ishullin e Kretës,në gjendje të rende.Ai kishte dëmtime të rënda në pjesën e brendshme të trupit dhe hemoragji në organet jetike.
Sipas TCH, prej insistimit të mjekëve, u mësua se gjatë një sherri banal me disa vendas,ai ishte rrahur, e është ‘shkuar në hell i gjallë’.Per momentin mjeket po perpiqen t’i shpetojnë jetën emigrantit, i cili me pas do te merret ne pyetje nga agjentet. Ngjarja ka shokuar opinionin vendas,ndersa televizionet me te medha ne vend kane publikuar lajmin trondites.
Ky është rasti i katërt i dhunes ndaj emigrantëve dhe simboleve fetare në qytetin e Haniasë që prej fillimit të vitit.
Me herët një sinagogë dhe një xhami janë djegur, ndersa disa emigrante pakistaneze u rrahen barbarisht prej anetareve të një organizate fashiste.
 
 
 
Kuptimi i jetës sipas Davidit.
 
Shekulli
 
 
Elsa Demo

Premierë botërore e një opere shqiptare në Tiranë. David Tukiçi e tregon sonte veprën e tij, një operë lirike, bazuar në dramën spanjolle “La Vida Es Sueno” të Pedro Calderon De La Barca.

Dhe një intervistë me sopranon Klodiana Ibrahimi. Si mund të vijë deri këtu një vajzë që jeton larg shtjellës kaotike të kulturës që bëhet në Shqipëri?

Jeta është ëndërr. Po si ta lexosh këtë? Sikur kuptimi i jetës është tek gjërat e papërmbushura? Apo tek gjërat që s’u vihet vesh të cilat, ashtu si në ëndrrat e gjumit, ruajnë shenjat e fatit njerëzor?

Nuk e dimë se deri ku shkon kërkimi i David Tukiçit, pa parë sonte në mbrëmje punën që ka bërë për kompozimin dhe sjelljen në skenë të “Jeta është ëndërr”.

Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor e paraqet sonte premierë botërore këtë opera-balet, legjendë në tri akte. Libreti është shkruar nga Giacomo Carbone dhe David Tukiçi i cili siç tregoi dje është frymëzuar nga drama “La Vida Es Sueno” e Pedro Calderon De La Barca.

Kompozitori që prej vitesh jeton larg Shqipërisë, nuk foli gjatë dje për median, por u kërkoi këngëtarëve të jepnin nga pak ferment prej veprës, shoqëruar në piano nga Genc Tukiçi. Provoi me zë të plotë Sixhizmondon tenori Stephen Mullan, protagonist në të gjitha netët e shfaqjeve, Rozaurën sopranoja Emiljana Palushaj, Mbretin Bazilio Erlind Zeraliu, Klarinon Gilmond Myftari dhe Stelën sopranoja Klodiana Brahimi.

Maestro Tukiçi, siç thirret në rrethin e muzikës, sqaroi se libretin e ka konceptuar disi ndryshe nga drama e De La Barca-s. Ai ka shtuar një skenë ëndrre dhe një skenë parajse.

Calderon de la Barca një dramaturg i rëndësishëm spanjoll e shkroi veprën ndërmjet viteve 1532-1536. Ngjarjet zhvillohen në Poloni.

Një ëndërr e keqe për rrëzimin e fronit mbretëror, ka shkaktuar turbulli në oborr. Mbreti Bazil ashtu si Kroni i grekëve homerikë, mendon se i biri Sixhizmondo duhet burgosur sa s’ka ardhur dita që ta zëvendësojë me dorë tirani.

Thuhet që Tukiçi t’i ketë bërë një interpretim filozofik idesë së veprës për vështirësitë e lirisë njerëzore; një interpretim religjioz që tërheq vëmendjen ndaj dëmeve që mund të vijnë si rrjedhojë e sjelljeve të pakontrolluara; një interpretim moral që merr në analizë pasionin dhe arsyen përballë respektit për ligjet dhe përparimet morale; një interpretim politik për të treguar rrugën se ku mund të të çojë shpërdorimi i lirisë.

Tek e fundit “është një protestë kundër dhunës sociale e cila mbyt lirinë individuale, që mund të realizohet vetëm brenda dimensioneve ëndërrimtare”.

Gjatë prezantimit për median, ambasadori i Spanjës në Tiranë Manuel Montobbio tha se sfida e David Tukiçit qëndron tek prodhimi i një shprehje të re të një vepre universale siç është opera. Ai shpreson që premiera e sotme në Tiranë të shënojë për veprën fillimin e një turi përtej Shqipërisë.

Pas parashikimeve që u hodhën aty, këngëtarët kaluan menjëherë në skenë ku ishte ndërtuar peizazhi i fillimit të aktit të parë: një kullë-burg ku është ndryrë dhe vërtitet duarlidhur Sixhizmondoja. Është natë.

Tenori Stephen Mullan që duhet të vajtojë për burgimin e padrejtë të personazhit të tij, këndon nën zë. Drejtori Zhani Ciko qetëson ata që nuk e dinë se këngëtarët nuk duhet ta konsumojnë zërin para premierës.
Në sallë këngëtarët me kostume presin rendin e ngjarjeve. Me këtë rast intervistuam sopranon Klodiana Ibrahimi.

Vjen nga Shkodra. Është 24 vjeç. Me rolin e dukeshës Stela ajo do të ketë daljen e parë skenike të rëndësishme. Si mund të vijë deri këtu një vajzë, pak kohë e diplomuar që jeton larg zemrës së informacionit dhe shtjellës kaotike të kulturës që bëhet në Shqipëri?

Intervista me sopranon e re Klodiana Ibrahimi

Klodiana na thua dy fjalë për vete?

Jam nga Shkodra. Kam mbaruar Akademinë e Arteve për Kanto, ka dy vjet. Tani vij këtu që të interpretoj në këtë opera. Davidi është edhe kushëriri im, jo kushëri i zakonshëm. Jemi, si të thuash, shumë të ngjitur me njëri-tjetrin. Më bëri një ftesë që nuk mund ta refuzoja. Për mua është një rast i artë.

Një rast i artë?

Është një rast shumë i mirë sepse është një opera për herë të parë mbas 50-viteve, pothuajse kaq kohë ka rrjedhur që nuk janë krijuar opera në Shqipëri.

Me çfarë merresh në Shkodër?

Në Shkodër përveçse jap mësim në një shkollë 9-vjeçare, praktikoj edhe kanton, individualisht. Merrem edhe me aktivitete të ndryshme që qëllojnë në qytet.

Kjo është hera e parë në Opera?

Kam dy vjet që kam mbaruar dhe më ka takuar të bëj Suor Gjinovefën tek opera “Suor Angjelika”. Kam një rol tani në dorë tek Përrallat e Ofenbahut, rolin e Kukullës të cilën shpresoj ta realizoj sa më mirë.
Është e vështirë nga Shkodra deri këtu?

E vështirë sepse gjithmonë do të jem pak më mbrapa se të tjerët. Nuk më takon të jem prezente në të gjitha provat dhe kam pasur edhe vështirësi në këtë opera që të përshtatem.

Si mund të konkurrosh dhe të hysh në “qendër”?

Duhet të gjesh rrugën. Është një rrugë që njeriu duhet ta gjej patjetër. Unë kështu mendoj se po e gjej rrugën time. Këtë mundësi ta japin njerëzit e tu normalisht. Njeriu që ka ambicie e gjen, sakrifikon.

Tek “Jeta është ëndërr” ke rolin e një dukeshe, apo jo?

Siç e tha edhe Davidi, unë jam dukeshë e cila në bashkëpunim me një djalë që e dashuron, që në vërtetë është një duk, duhet të marrë mbretërinë. Por fatkeqësisht, mua më martojnë me djalin e mbretit, me Sixhismondon, dhe detyrohem ta lë dashurinë e jetës sime. Por prapë se prapë e arrij qëllimin tim final.

Si të duket ky personazh?

Është një personazh i dashuruar si fillim, por që shfaq ambicie. Unë mundohem t’i përshtatem. Është një rol që i përshtatet shumë edhe vokalit tim.

Çfarë ngjyrash ka?

Lirico-leggero. Edhe personazhi i Stelës duhet të jetë një soprano lirico-leggero, ashtu si jam unë.
Çfarë është opera për ty?

Jeta ime, për atë kam sakrifikuar shumë dhe s’kam ndër mend të mos sakrifikoj.

Si do t’ia bësh në të ardhmen? Ti jeton në Shkodër dhe kush rri larg “qendrës”, rri jashtë “loje”. Sot ishte Davidi, po nesër?

Kam ndër mend të bëj një specializim po se sa do të më realizohet këtë nuk e di. Unë do përpiqem.

Çfarë mund të thuash për operën shqiptare, meqë e përmende pak më lart mungesën gjysmëshekullore të saj?

Opera shqiptare është bërë nga një brez i artë i kompozitorëve. Sot mund të them se operës “Jeta është ëndërr”, po të vihej në skenë në ndonjë vend tjetër, do t’i kishin bërë jehonë edhe më gjigante se sa po i bëhet.
Është një mrekulli të krijosh opera pas disa viteve pauzë. Rëndësinë e kësaj do ta kuptojmë kur të kalojnë vitet.

Puna me Davidin si është?

Ah, puna me Davidin është shumë strikte. Ne njihemi jashtë, por aty brenda nuk njihemi, absolutisht.Ai ka të gjitha të drejtat e botës të kërkoj llogari tek unë.

Shpeshherë kemi pasur shqetësim për këtë rol sepse unë kam qenë jo asistente në prova, kam qenë pak pasive në krahasim me të tjerët. Por udhëtimet e mia prej Shkodrës, sakrifica ime, shpresoj të më shpërblehen: Të dalë sa më mirë dhe Davidin ta bëjë të ndihet krenar.

Çfarë çmon tek kjo operë?

Muzikën. Është e mrekullueshme, edhe arien e Rozaurës në veçanti. Skena e parajsës të bën të ndihesh si në parajsë. Muzika ka shumë elemente shqiptare, po ashtu edhe koreografia e Agron Aliajt.

Jeta është ëndërr?

Ka shumë gjëra në jetë që të mbajnë zgjuar, ka dhe shumë të tjera që janë ëndrra.
Por, ohu, unë nuk e besoj që jeta është ëndërr.

Sa vjeç je?
24, i mbush sot (dje).
Gëzuar ditëlindjen!
Falemnderit!

Të dhëna
“Jeta është ëndërr” shfaqet në datat 28-30 prill dhe 2 maj, ora 19.00. Koreografia: Agron Aliaj (Artist i Popullit); dirigjent i korit: Dritan Lumshi; mjeshtër special i përgatitjes: Genc Tukiçi; skenografia: Genc Shkodrani; regjisor: Alfred Trebicka; dirigjent David Tukiçi. Në role interpretojnë dhe Rezarta Qevani, Rudina Delia, Elson Braha, Luan Sula, balerinët Erisa Gina, Greta Hushi, Dion Gjinika, Julind Dervishi

 
 
Pogradec, digjet me acid në fytyrë një 27-vjecare 
 
 Pogradec, digjet me acid në fytyrë një 27-vjecare
 
POGRADEC- Lidhja jashtëmartesore i ka kushtuar shtrenjtë një 27 vjecareje nga qyteti i Pogradecit. Fytyra e 27 vjecares me iniciale A.LL ka pësuar deformime dhe lëndime të shumta, pasi bashkëshortja e personit me të cilën 27 vjecarja kishte një lidhje intime i ka hedhur acid në fytyrë.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur sot në fshatin Lin të Pogradecit kur gruaja 39 vjecare me iniciale A.A e shoqëruar nga vajza e saj e mitur me iniciale I.A kanë shkuar në shtëpinë ku bashkëjetonte ish-bashkëshorti i saj me 27-vjecaren. Duke përfituar nga fakti që e reja ishte vetëm, gruaja dhe vajza e saj e kanë dhunuar atë fizikisht me mjete të forta dhe më pas i kanë hedhur acid në fytyrë duke i shkaktuar lëndimë të mëdha.
Kanë qënë fqinjët e 27-vjecares që kanë dëgjuar sherrin dhe e kanë gjetur atë në gjendje të rëndë në shtëpi. Menjëherë e kanë dërguar atë në spitalin rajonal të Pogradecit ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërkaq policia e Pogradecit ka nisur procedimin penal në gjendje të lirë për 39-vjecaren dhe vajzën e saj të mitur në bazë edhe të dëshmive të familjarëve.

(m.a/News24/BalkanWeb)
 
 
Kombëtarja kuqezi ngjit 3 vende në renditjen e FIFA-s 
 
 Kombëtarja kuqezi  ngjit 3 vende  në renditjen e FIFA-s
 
TIRANË- Shqipëria u ngjit me 3 vende në renditjen botërore mujore të FIFA-s, të publikuar sot në faqen zyrtare (fifa.com), duke u pozicionuar tani në vendin e 80-të nga vendi i 83-të që ishte në klasifikimin paraardhës.
Megjithëse nuk ka zhvilluar asnjë takim në muajin prill, përfaqësuesja e Shqipërisë, e drejtuar nga trajneri kroat Josip Kuzhe, ka arritur të grumbullojë 17 pikë dhe tashëm renditet mes Xhamajkës dhe Bjellorusisë.
Në renditjen specifike të UEFA-s, Shqipëria ndodhet në vendin e 39-të midis 53 ekipeve kombëtare që aderojnë në konfederatën kontinentale, ndërkohë që një muaj më parë renditej në vendin e 40-të.
Rezultatin më të mirë në renditjen e FIFA-s Shqipëria e ka arritur në gusht të vitit 2006, kur pozicionohej e 62-ta, ndërsa rezultatin më të ulët në gusht të 1997, kur u rendit në vendin e 124-t.
Përsa u përket kundërshtarëve të Kombëtares shqiptare në grupin D për eliminatoret e Kampionatit Europian, Franca ndodhet në Top-10 më të mirat e botës, por duke zbritur 2 vende, tani është e 10-ta në FIFA dhe e 8-ta në UEFA.
Rumania, kundërshtari ynë i parë zyrtar, ndodhet në vendin e 28-të, duke ngjitur 4 vende në FIFA dhe është e 17-ta në UEFA.
Bosnja gjendet në vendin e 51-të, duke humbur 4 vende në FIFA, dhe është e 29-ta në UEFA. Bjellorusia gjendet në vendin e 81-të, duke zbritur 1 vend në FIFA, ndërsa është e 40-ta në UEFA. Ndërsa Luksemburgu gjendet në vendin e 127-të, duke zbritur 3 vende në FIFA, dhe është i 48-ti në UEFA.
Ndërkohë në krye të renditjes botërore është përfaqësuesja e Brazilit, në vend të dytë Spanja dhe në vend të tretë Portugalia.
 
(d.b/BalkanWeb)