Luigj Shkodrani-Lajme nga Shqipëria – 25.04.10

 
Kryeministri Berisha i ka dërguar një letër ngushëllimi Kryeministrit spanjoll Zapatero, për ndarjen nga jeta të  Juan Antonio Samaranch, një ndër figurat më të rëndësishme të botës së sportit.
Më poshtë vijon letra e plotë e Kryeministrit Berisha:
“I nderuar Zoti Kryeministër,
Me keqardhje të thellë mësova për ndarjen nga jeta të Juan Antonio Samaranch.
Më lejoni, me këtë rast, t’ju përcjell, në emrin tim dhe të qeverisë shqiptare, ngushëllimet më të sinqerta  për  këtë humbje të madhe për vendin dhe kombin tuaj mik. Juan Antonio Samaranch mbetet një ndër figurat më të rëndësishme në botën e sportit. Si President i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Juan Antonio Samaranch u shndërrua në një reformator të përkushtuar dhe do të mbetet i paharruar në zemrat e çdo dashamirësi të lojërave olimpike, traditës më të lashtë sportive të ruajtur deri në ditët tona.
Në këtë çast dhimbjeje, ne ndajmë me ju dhe familjarët e Juan Antonio Samaranch hidhërimin për këtë humbje të madhe dhe bashkojmë lutjet tona që shpirti i tij të prehet në paqen e amshuar.
Me sigurimet e konsideratës më të lartë.
Juaji
SALI BERISHA”
 
24/04/2010
 
Marre nga faqja e Kryeministrit
 

Kushtetuesja rrëzon doganën për gjobat

24/04/2010

Ard Kola

Gjykata Kushtetuese: Të shfuqizohet “pagesa 60% e gjobës para ankimimit në gjykatë”


 
 
Gjykata Kushtetuese çliron bizneset nga ankthi i pagesës së gjobës para se ta ankimonin çështjen në gjykatë. Vendimi është marrë më 26 nëntor 2009, por dje është zbardhur nga Gjykata dhe i referohet disa neneve të Kodit Doganor sa i takon dënimeve administrative. Sipas kodit aktual, një biznes, në momentin e marrjes së vendimit administrativ, për të bërë ankesë në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, duhet të paguajë detyrimin dhe 40 për qind të gjobës. Në rast se dogana ia rrëzon ankesën, biznesi ka të drejtë ta apelojë në gjykatë, por me kushtin që të paguajë pjesën e mbetur (60 për qind) të gjobës. Kanë qenë dy biznesmenë që e kanë vuajtur këtë sistem të doganës, aq sa çështjen e kanë çuar në Gjykatën e Pogradecit. Kjo e fundit e çoi për interpretim në Gjykatën Kushtetuese, konkretisht pikën 5, nenin 289 të Kodit Doganor, që thotë se, “nëse ankesa nuk pranohet, apeluesi duhet të paguajë pjesën që mbetet prej 60 përqindësh të gjobës dhe mund të ankohet kundër vendimit të drejtorit të përgjithshëm pranë autoriteteve gjyqësore brenda 30 ditësh nga data e njoftimit të mospranimit të ankesës”. Ky është një tjetër vendim i Kushtetueses që del kundër sistemit fiskal, sidomos për pjesën e gjobës, siç ishte rasti i “Procedurave tatimore”, ku u hoq pagesa me 15 për qind para ankimimit në Gjykatën e Shkallës së Parë.

Rasti
Shtetasit M.Gj dhe B.B, në datën 14.12.2003, nëpërmjet pikës doganore të Tushemishtit, kanë importuar nga Maqedonia sasi malli të padeklaruar dhe pas verifikimeve të kryera, Dogana e Pogradecit ka nxjerrë vendimin nr. 55, sipas të cilit shtetasit në fjalë janë detyruar të paguajnë shumën prej 96,370 lekësh, si detyrim doganor i munguar dhe janë dënuar me gjobë në masën 289,110 lekë (sa trefishi i detyrimit doganor), duke çuar detyrimin e përgjithshëm ndaj Degës së Doganës Pogradec në masën 385,480 lekë. Sipas akteve rezulton se shtetasit kanë marrë njoftim për vendimin e sipërpërmendur në datën 04.11.2008 dhe një ditë më pas janë ankimuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave. Por kreu i Doganës i njofton duke i sqaruar se për të bërë ankesë, sipas pikës 3, neni 289, “duhet të shlyhet fillimisht detyrimi doganor i munguar, si dhe 40% e masës së gjobës së vendosur nga autoritetet doganore”. Pasi biznesmenët kanë kryer veprimet sipas ligjit, dogana ka pranuar të shqyrtojë ankesën e tyre, që më pas e rrëzon, duke lënë në fuqi vendimin e degës së Tushemishtit. Atëherë dy përfaqësuesit e biznesit, më 6 prill 2009, e kanë çuar çështjen në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Pogradec. Gjatë gjykimit, pala e paditur, Dega e Doganës Pogradec, ka kërkuar rrëzimin e kërkesës për arsye se paditësit nuk kishin plotësuar kushtin e përcaktuar në nenin 289/5 të Kodit Doganor, sipas të cilit, për të pasur akses në gjykatë ndaj një mase administrative të autoriteteve doganore, duhet të shlyenin plotësisht vlerën e mbetur prej 60% të gjobës.
Vendimi
Pasi ka përmendur të gjitha argumentet ligjore, Gjykata Kushtetuese, në vendimin e saj mbi doganën thotë se, “kushti i vendosur në nenin 289, pika 5 të Kodit Doganor për pagimin e gjobës për të pasur akses në gjykatë përbën një kufizim jo proporcional dhe për pasojë, një ndërhyrje të pajustifikuar në të drejtën kushtetuese për një proces të rregullt ligjor, të parashikuar nga neni 42, pasi kufizimet e parashikuara nuk janë në përputhje me nenin 17 të Kushtetutës”. Por për doganat, vendimi i Gjykatës bie ndesh mbi disa parime. “Drejtoria e Përgjithshme e Doganave tërheq vëmendjen e Gjykatës se aktet e autoriteteve doganore mund të kundërshtohen në fazën e ekzekutimit të detyrueshëm, duke goditur titullin ekzekutiv dhe se kjo e drejtë e palës ankuese nuk i nënshtrohet asnjë lloj kufizimi, si rrjedhim nuk jemi para një rasti të kufizimit të së drejtës së ankimit”, mësohet të ketë thënë kreu i Doganave, Endri pema, në ditën e gjykimit nga Kushtetuesja.

 Marre nga gazeta Shqip 
 

Berisha-Rama, “përplasin brirët” në publik, batuta pa takim duarsh

24/04/2010

Ylli Pata

Ambasadori italian: Dialogu, i rëndësishëm për integrimin

Berisha dhe Rama përplasin “brirët” në publik. Në një takim në prezencën e “arbitrit” italian, Kryeministri dhe lideri i opozitës janë përballur në një shkëmbim batutash që, edhe pse nuk kanë qenë shumë të ashpra, nuk kanë dhënë në asnjë moment mesazhin e një dialogu të shpejtë. Shenjë e qartë është largimi pa i dhënë dorën njëri-tjetrit, duke i kthyer kurrizin në mënyrë demonstrative. Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, dhe lideri i opozitës, Edi Rama, janë përballur publikisht për të parën herë pas më shumë se dy muajsh, kur ndodheshin në takimin e prag Shën Valentinit së bashku me Presidentin e Republikës, Bamir Topi. Dy protagonistët e politikës shqiptare, siç ka ndodhur kohët e fundit, nuk i kanë shtrënguar duart më njëri-tjetrit, por kanë sulmuar njëri-tjetrin me batuta të hidhura, duke pasur parasysh se ishin në transmetim direkt në televizione. Gjithçka ka ndodhur në forumin për median, e organizuar nga ambasada italiane dhe e përditshmja e rajonit së Puglias “La Gazzetta Del Mezzogiorno”, ku si moderator ka qenë drejtori i kësaj gazete, Carlo Bolino, dhe si prezantues, ambasadori i Italisë në Shqipëri, Saba D’Elia.

Rama

I pari në panel është paraqitur kreu i opozitës, i cili ishte i pari që ka vënë “dorën në plagë”, duke provokuar padyshim edhe reagimin e kundërshtarit të tij politik. Lideri socialist ka mëshuar citimin e raportit të fundit të raportit të organizatës ndërkombëtare “FRIDE”, duke thënë se “Shqipëria sot renditet në vendin e 88, duke pësuar rënie drastike krahasuar me vitin 2003, kur renditej e 34-ta dhe konsiderohej asokohe, vendi me performancën më të mirë në këtë drejtim në Ballkanin Perëndimor. Prej vitit 2006, Shqipëria ka dalë në krye nga fundi, në këtë rajon duke kapur treguesit më të këqij në këtë drejtim, lidhur me lirinë e medias”. Sipas liderit të opozitës, “në raport sillen si raste tipike të presionit qeveritar mbi median e pavarur, rastet e vendosjes së gjobave, tashmë famëkëqija ngaj ‘Top-Media’-s, ndaj ‘News 24’, apo edhe mbyllja e dhunshme e gazetës ‘Tema’, me të gjitha konsekuencat e më pastajme lidhur drejtpërdrejt me botuesin dhe kryeredaktorin e saj”. Kreu i PS-së ka kërkuar të largohet, sepse i duhej të shkonte në Elbasan, në miting, por më pas, me kërkesën e organizatorëve, ka qëndruar 10 minuta të tjera në panel.

Berisha

Kryeministri Berisha, duke marrë fjalën, ka deklaruar se qeveria që ai drejton do të mbrojë pavarësinë dhe lirinë e medias. Kreu i qeverisë ka përsëritur premtimin se asnjë nëpunës i administratës nuk do të padisë gazetarët, ndërkohë që ka propozuar që mediat t’i drejtohen sa më shumë gazetarisë “online”. Ndërkaq, duke replikuar me liderin e opozitës, Berisha përdori një ironi duke thënë se “unë erdha këtu jo për të kërcyer tango, po për të respektuar median”. Në lidhje me raportin e cituar nga Rama, Berisha theksoi se ai ishte hartuar nga deputeti i PS-së, Ditmir Bushati, i cili, sipas Kryeministrit, “ka akuzuar dhe kryebashkiakun e Tiranës për lejet e ndërtimit”. Por, më pas Berisha ka deklaruar se është i gatshëm të zhvillojë kurdo dhe për çfarëdo teme debat televiziv “live” me rivalin e tij. Duke replikuar në mënyrë të menjëhershme, lideri i opozitës, Edi Rama, tha se “doja të largohesha për të shkuar në miting, sepse nëse vonohem, nuk mund t’u thoja njerëzve: më falni por u vonova pak se isha në takim me Berishën! Nuk është vendi këtu për të folur për tangon, pasi dikush e kërcen, dikush jo, por për të ndarë secili këndvështrimin e tij”.
 
Gazeta Shqip
 
 

Zbulohet pasuria e fajdeve në Elbasan

24/04/2010

Sokol Çobo

Disa makineri të firmës greke “Siontis”, me vlerë 100 mijë euro, pritet të sekuestrohen nga Gjykata e Tiranës

Kryeadministratori i fajdeve, Malaj: Do të sjellim nga Greqia 15 milionë dollarë

Pronat dhe pasuritë e firmave piramidale që lulëzuan në Shqipërinë postkomuniste vazhdojnë të prodhojnë ende shuma të majme parash, duke u dhënë shpresë kreditorëve që të marrin disa për qind nga depozitat te “Gjallica”, “VEFA” dhe “Cenaj”.
Grupi mbikëqyrës i firmave rentiere i ka kërkuar Gjykatës së Tiranës sekuestrimin e disa makinerive në qytetin e Elbasanit në pronësi të firmës greke “Siontis”, e cila është debitore në shumën prej 3.5 milionë USD në firmën “Gjallica”. “Siontis”, kundrejt një akt marrëveshjeje, ka marrë tre milion e gjysmë dollarë nga shoqëria “Gjallica”, me qëllim ndërtimin e qendrës së biznesit në Vlorë, por që nuk arriti ta nisë për shkak të trazirave të vitit 1997. Ndërkohë, pasuria, e cila pritet të sekuestrohet dhe t’i kalojë në administrim grupit mbikëqyrës së firmave piramidale, është rreth 100 mijë euro, shumë që do t’i zbritet firmës “Siontis” nga borxhi që i ka shtetit shqiptar. Makineritë janë “ngrirë” në një firmë në qytetin e Elbasanit, ndërsa paraprakisht kanë ardhur edhe ofertat e para për blerjen e tyre. Firma shqiptare, e cila ka humbur gjyqin me “Siontis”, është e gatshme t’ia blejë shtetit shqiptar. Pas konstatimit të kësaj pasurie, administratorët e firmave piramidale filluan punën për sekuestrimin e tyre, ndërsa aktualisht i kanë kërkuar Gjykatës së Tiranës ekzekutimin e vendimit të Përmbarimit, i cili kishte shpallur debitore firmën “Siontis, që drejtohet nga shtetasi Kristo Siontis. Ky i fundit është biznesmen dhe ka qenë deputet në Parlamentin e Greqisë dhe aktualisht është konsull nderi i Italisë në Janinë.
Sipas grupit mbikëqyrës të firmave piramidale, firma “Siontis”, kundrejt një akt marrëveshjeje dhe dokumenteve që zotëron, ka marrë tre milionë e gjysmë USD nga shoqëria “Gjallica”, me qëllim ndërtimin e qendrës së biznesit në Vlorë. Firma ka pretendime se ka sjellë disa pajisje dhe ka bërë disa punime paraprake për përgatitjen e sheshit të ndërtimit, të cilat nuk janë të evidentuara. Firma greke, që është shpallur debitore pretendon se vendimi i administratorit, që e ka shpallur debitor, si dhe vendimi i gjykatës shqiptare, janë të paligjshëm, pasi sipas saj, ka kaluar një kohë shumë e gjatë që nga koha e kësaj kontrate.
Në lidhje me sjelljen e parave të fajdeve që ndodhen në bankat greke, burime nga grupi mbikëqyrës i firmave piramidale thanë se ka filluar puna për riatdhesimin e tyre në Shqipëri. Kryeadministratori i fajdeve, Bajram Malaj, tha dje për gazetën “Shqip” se është në përfundim të procedurave për lidhjen e marrëveshjes me një studio ligjore greke. “Jemi në përfundim të procedurave për lidhjen e marrëveshjes me një studio ligjore greke për ngritjen e një padie gjyqësore për riatdhesimin e parave të disa debitorëve grekë ndaj shoqërive huamarrëse në administrim, ‘Gjallica’, ‘VEFA’ dhe ‘Cenaj’”, deklaroi Malaj, duke shtuar se bëhet fjalë për një pretendim fillestar në shumën prej rreth 15 milionë dollarësh.
 
Marre nga gazeta Shqip

 

Rama: Debat me Berishën, vetëm kur të hapë kutitë
 
Rama: Debat me Berishën, vetëm kur të hapë kutitëTIRANE-Kryetari Edi Rama deklaroi sot gjatë një konference për shtyp se do të jetë gati të përballet me një debat me kundërshtarin politik Sali Berisha, sapo ky i fundit të hapë kutitë.
“Sapo Sali Berisha të hapë kutitë, atëhere do të pranoj të debatoj me Berishën. Vetëm atëhere do jem gati të pranoj një debat, ku të dojë dhe si të dojë Sali Berisha”.
Në këtë mënyrë i është përgjigjur pyetjes së gazetarëve Edi Rama pas ftesës që i bëri dje kryeministri Sali Berisha që mes tyre të mund të zhvillohet një debat ku të diskutohet gjerësisht për cështje të ndryshme.

Gjatë fjalës së tij përshendetëse në Forumin për Median, moderuar nga drejtori i “La Gazzetta del Mezzogiorno, Carlo Bollino, kreu i qeverise shqiptare, Sali Berisha i ka komunikuar Ramës, (i pranishëm në Forum) që akuzat politike nuk duhet të jenë pjesë e këtij forumi, por pjesë e një debati televiziv.
“Une mendoj që këto cështje nuk duhen të jenë pjesë e forumeve të tilla. Jam i gatshëm të përballem me ty për cdo cështje, pasi respekti im për opozitën është i palëkundur” – deklaroi Berisha.

Por, sot Rama pasi komentoi dhe njëherë për krizën që sipas tij ka pushtuar jo vetëm politikisht por edhe ekonomikisht vendin theksoi se “Berisha është sfiduar prej 10 muajsh që të hapë kutitë që mban mbyllur” dhe se ai vetë do përballonte një debat, vetëm kur të realizohet kërkesa e palëkundur e PS për hapjen e kutive e votimit të 28 Qershorit 2009.

Rama dhe në daljen e radhës në konferencë për shtyp i bëri thirrje popullit të marrë pjesë në protestat e opozitës më 30 Prill.
Kreu i PS-së shprehu shqetësimin për rritjen e çmimit të shërbimeve gjyqësore për qytetarët, duke theksuar se “tarifat e reja të miratuara së fundmi për shërbimet gjyqësore në disa raste janë 4 fishuar dhe depozitimi i një padie në gjykatë shkon tani në 12 mijë lekë.

(d.b/BalkanWeb)

 
 

Xibri: Berisha festë në 1 Maj, minatorët gati për protestë
 
Xibri: Berisha festë në 1 Maj, minatorët gati për protestëTIRANE- Kreu i sindikatës së minatorëve Fiqiri Xibri, ka deklaruar se minatorët do të jenë në shesh më 1 Maj por jo për të festuar arritjet me Berishën, por sic u shpreh ai, për premtimet e pambajtura të kësaj qeverie.

“Është mjaft e habitshme kur dëgjon zëra sic është ai i kryeministrit për të bërë festime në 1 Maj, apo zëri i sindikatave të vdekura të Bashkimit të Sindikatave që thonë se do protestojnë, kur pikërisht këto kanë qënë pjesë e qeverisë dhe kanë festuar në 1 Maj gjithmonë” – deklaron Xibri. 

Xibri ka nënvizuar, se minatorë janë të gatshëm ti shkojnë deri në fund qëllimeve të tyre, ndërsa ka shtuar se aty ku do të jetë qeveria për të festuar do të jenë edhe minatorët për të protestuar.

“Sigurisht që qëndrimi ynë është krejt i prerë, në e kemi shpallur dhe e rishpallim përsëri që 1 Maji është dita jonë dhe e askujt tjetër. Aty ku qeveria do të kërkojë të bëjë festime për arritjet e veta, aty do të jemi ne për të protestuar kundër mosarritjeve të qeverisë, në radhë të parë për statusin e minatorit. Nëqoftëse qeveria do të kërkojë përplasjen me ne, aty e ka është e mirëpritur, ne jemi gati. E kemi shprehur edhe herë të tjera ose të arrijmë kërkesat tona social-ekonomike ose më mirë të jemi të vdekur”- theksoi më tej kreu i sindikatës së minatorëve.
(m.a/BalkanWeb)

 
 

Meta: NATO vlerësime Shqipërisë na mbështet për vizat
 
Meta: NATO vlerësime Shqipërisë na mbështet për vizatTIRANE-Ministri i Jashtëm Ilir Meta pas kthimit nga Estonia, ku mori pjesë në një takim me homologët e tij, shpreh optimist për procesin e liberalizimit të vizave, që sipas tij shënon progres të vazhdueshëm
“Gjatë takimit në Estoni me Ministrat e Jashtëm të NATO-s mori mbështetjen e plotë për liberalizimin e vizave”.
“Të gjithë kanë bindjen se Shqipëria ka bërë progres në përmbushjen e kritereve të Udhërrëfyesit”, tha z. Meta në një konferencë për shtyp, ku informoi mbi takimin jozyrtar të ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s, në Talin.
Sipas Metes “procesi i liberalizimit të vizave për vendin tonë progreson çdo orë”. Ai kërkoi që “çdo faktor dhe aktor politik të marrë përgjegjësitë e tij në mënyrë që të jetë kontribues dhe jo pengues apo frenues në këto procese integruese të mëdha dhe pozitive që po përjeton Shqipëria”.
Me këtë rast ai i kërkoi të gjithë faktorëvë dhe aktorëve politikë në vend, që të marrin përgjegjësitë e tyre dhe të jenë kontribues në proceset e mëdha integruese që po përjeton Shqipëria.

Meta deklaroi se Shqipëria ka marrë vlerësime për politikën konstruktive dhe rolin e saj në rajon.

I pyetur mbi lëvizjet e fundit në disa përfaqësi diplomatike të Shqipërisë, Meta theksoi se “çdo gjë bëhet konform ligjit për shërbimin e jashtëm që parashikon një mandat të caktuar të ambasadorëve dhe kjo është një gjë shumë normale”.

Duke folur për ministerialin e ministrave të Jashtëm të NATO-s, Meta deklaroi se vendimi më i rëndësishëm për këtë ministerial ishte ftesa për Bosnjën.
Sipas Metës, me këtë hap, Bosnjës i hap përfundimisht mundësia që të bëhet pjesë e Aleancës në një të ardhme jo shumë të gjatë.
“Një nga vendimet më të rëndësishme të këtij ministeriali për të cilën Shqipëria ishte angazhuar ishte edhe ftesa për Bosnjën, një korridor që në të ardhmen do të bëjë këtë shtet anëtare me të drejta të plota të NATO-s”, tha Meta para pak momentesh. 

Nder te tjera, Zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, deklaroi sot se “Shqipëria ka shtuar konsiderueshëm kontributin me trupa paqeruajtëse në Afganistan dhe do të vazhdojë të mbështesë NATO-n në realizimin e objektivave strategjikë”. 

Këshilli i Atlantikut të Veriut me vendet kontribuese në operacionin ISAF në Afganistan, sipas Meta u shpreh i inkurajuar për rritjen e numrit të vendeve kontribuese në kuadër të ISAF (aktualisht 46). 
Meta vuri në dukje se “angazhimi në Afganistan nuk ka për qëllim sigurinë e Aleatëve dhe as të ndonjë vendi të veçantë, por të gjithë komunitetit të vendeve demokratike”.
“U morën vendime të rëndësishme në lidhje me procesin e tranzicionit në Afganistan dhe marrjen e më shumë përgjegjësive nga qeveria dhe autoritetet afgane me mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar. Ky proces u vlerësua si i pakthyeshëm, por në të njëjtën kohë edhe i matur dhe i mbështetur mbi analizën progresive të situatës në terren”, tha Meta.
Duke u ndalur te kontributi i Shqipërisë, z. Meta theksoi angazhimin në kuadër të përqasjes gjithëpërfshirëse, duke nënvizuar rëndësinë e komponentit civil mjekësor dhe asistencës në fushën e arsimimit.
“Shqipëria ka një pozicion të qartë mbi elementët që duhet të përfshijë Koncepti i ri Strategjik i NATO-s dhe do të vazhdojë të ketë një rol aktiv, deri në miratimin e këtij dokumenti të rëndësishëm strategjik të Aleancës, në Samitin e Lisbonës”, tha  Meta.

(d.b/BalkanWeb)

 

Greqi, operacioni “Fshesa” kthen 106 shqiptarë
 
Greqi, operacioni "Fshesa" kthen 106 shqiptarëATHINË- Një operacion i gjerë i forcave të policisë greke ka arrestuar 106 shqiptarë të cilët jetonin dhe punonin në mënyrë të paligjshme në vendin fqinj. Operacioni nisi në orën 10 të mbrëmjes së 22 prillit për të vijuar deri në orën 3 të mëngjesit të ditës tjetër. Në operacion u përfshinë forca të policisë nga 4 qytete të Greqisë veriore, Grevenas, Kastoria, Kozanit dhe Florinas.

Gjatë operacionit, në të cilën morën pjesë gjithsej 176 policë, u ushtrua kontroll mbi 1023 persona, 861 automjete dhe u arrestuan 3 shtetas greke. Shqiptarët e arrestuar janë dërguar për në Shqipëri.
(m.a/News24/BalkanWeb)

 

Berisha: Rama, eja ne debat televiziv
 
 
Kryeministri Berisha fton kryesocialistin Rama, ne nje perballje televizive per te gjitha ceshtjet, pasi sipas tij, respekti per opoziten eshte i palekundur. Nderkohe qe kreu i mazhorances shqiptare, i pranishem ne forumin per median, ka deklaruar se pjesemarrja e kundershtarit te tij Edi Rama e ka shtyre te marre pjese, teksa ka deklaruar se eshte i hapur per nje debat televiziv me te. “I nderuar zoteri une jam kryeministri i vendit, ju jeni kryetari i Partise Socialiste. Une jam i gatshem te perballem me ty, ne cdo debat televiziv te moderuar kudo dhe per cdo ceshtje, per mediat, jo mediat dhe cfare t’u interesojne. Respekti im per opoziten eshte i palekundur, por ne duhet te ruhemi edhe nga bashkepunetoret te cilet i shkelin rregullat”, ka qene deklarata e Berishes, teksa ka shpjeguar dhe arsyet e kesaj gjuhe te ashper ne forumin e medias. Nderkohe qe fteses se Berishes per nje debat te hapur televiziv, kreu i PS Edi Rama nuk i eshte pergjigjur, por nuk ka munguar nderhyrja e drejtuesit te panelit, teksa ka deklaruar se TV i drejtuar prej tij, eshte i hapur per t’i pritur te dy lideret ne nje debat televiziv. Sipas kryeministrit, nuk ka gje me te trishtuar, se te kujtosh koherat e lumtura ne hidherim. Berisha ka hedhur akuzen e radhes, teksa eshte shprehur se per politikanet nuk ka gje me te trishtuar se te lexojne dhe te besojne raportet e vartesve te tyre. “Pasi na lexove ketu nje raport te Ditmir Bushatit, e them kete per hir te transparences mediatike, i cili per hir te vertetes atakon ne ate raport ne menyren me thelbesore, kryetarin e tij Edi Rama, per lejet e ndertimit. Por une mendoj qe keto ceshtje nuk duhet te jene probleme te forumeve te tilla”, ka qene deklarata e Berishes, teksa ka shpjeguar per auditorin e mbledhur ne kete diskutim per mediat, se perse kishte gjetur mundesine per te marre pjese ne kete forum mediatik. “Nuk dua ta fsheh se prania e kundershtareve te mi ne kete takim ishte nje shtyse per te marre pjese, ju garantoj se po te me ftonin per tango nuk do te isha ketu. Pershendes te gjithe gazetaret shqiptare dhe italiane, per forumin qe realizohet ne kuader te nje eventi nga me te rendesishmit mes dy popujve. Media dhe kriza perbejne nje raport sh te rendesishem per shoqerine e lire”, theksoi Berisha. Gjate fjales se tij kreu i qeverise ka deklaruar se mediat e kane ndjere me shume se pushtetet e tjera krizen, porse per te, kjo duhet te sherbeje si nje apel per mediat qe te kthehen drejt perdorimit te mediave on line. Krizen ne media Berisha e cilesoi si te paprecedente, si te krijuar nga lakmia e njeriut, por theksoi se mediat kane luajtur nje kontribut real per transparencen e krizes. Berisha ka theksuar gjithashtu se qeveria e tij garanton lirine e mediave dhe lirine e informacionit qe ato percojne. “Qeveria ime garanton dhe respekton mediat. I njoh vetes detyrimin e pavaresise se tyre, pasi jane pushtete te pavarura. Administrata ime ka ndaluar plotesisht cdo padi civile ndaj medias nga shtatori i vitit 2005 deri sot nuk ka asnje gazetar qe te jete paditur per ceshtje penale apo civile nga administrate ime, kjo perben nje arritje te madhe”,-tha Berisha. Berisha: “Jam i gatshem te perballem me ty, ne cdo debat televiziv te moderuar kudo dhe per cdo ceshtje, per mediat, jo mediat, dhe cfare t’u interesojne. Respekti im per opoziten eshte i palekundur, por ne duhet te ruhemi edhe nga bashkepunetoret te cilet i shkelin rregullat”. Arsyeja: “Nuk dua ta fsheh se prania e kundershtareve te mi ne kete takim, ishte nje shtyse per te marre pjese, ju garantoj se po te me ftonin per tango, nuk do te isha ketu”, ka qene deklarata e Berishes, teksa ka shpjeguar se perse kishte marre pjese ne forum.
 
Marre nga Koha Jone