Kryeministri Sali Berisha priti sot në një takim ministrin e Jashtëm të Kosovës, Skënder Hyseni. Duke vlerësuar arritjet e mëdha të Kosovës, Kryeministri Berisha theksoi se Kosova është shndërruar tashmë dhe po konsolidohet gjithnjë e më shumë si një faktor thelbësor paqeje dhe stabiliteti në Ballkan. Në këtë kontekst, zgjedhjet e fundit lokale në Kosovë dhe në veçanti, pjesëmarrja e komunitetit serb në këto zgjedhje dëshmuan edhe një herë nivelin e lartë të standardeve demokratike, të arritura në Kosovë.

Ministri Hyseni e falënderoi përzemërsisht Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë dhe miqësore dhe i përcolli përshëndetjet e Presidentit Sejdiu, Kryeministrit Thaçi.

 

Ministri Hyseni i shprehu urimet më të ngrohta e vëllazërore Kryeministrit Berisha për dorëzimin e përgjigjeve të pyetësorit të Komisionit Evropian për Shqipërinë, duke e cilësuar këtë një ngjarje historike e madhore për Shqipërinë, por edhe për mbarë kombin shqiptar, një akt për të cilin jemi të gjithë krenar.

Ministri Hyseni e informoi Kryeministrin Berisha për fillimin e punimeve për pjesën e rrugës së kombit që kalon në Kosovë dhe e falënderoi edhe një herë për kontributin e tij për realizimin e veprës madhore të kombit, rrugës Durrës-Kukës-Morinë.

Në takim u diskutua për zgjerimin dhe thellimin e bashkëpunimit të shkëlqyer e të gjithanshëm mes të të dy vendeve në të gjitha fushat, në veçanti për promovimin e mëtejshëm të shkëmbimeve ekonomike, tregtare, kulturore, në fushën e energjisë si dhe bashkëpunimit rajonal dhe në kuadër të integrimit europian dhe atë euroatlantik. Kryeministri Berisha vlerësoi se është e rëndësishme që të dy vendet të ndërmarrin hapat për studimin e fizibilitetit për një projekt të dytë madhor që do të zgjeronte lidhjet midis tyre, por edhe mbarë rajonin, ndërtimin e linjës hekurudhore midis dy vendeve.

Në fund të takimit, ministri Hyseni u shpreh se për të, si edhe për çdo qytetar të Kosovës është një nder dhe kënaqësi e veçantë të takohet me Kryeministrin Berisha dhe të ketë rastin t’i shprehë atij mirënjohjen për kontributin e tij personal dhe të qeverisë shqiptare për gjithçka kanë bërë për Kosovën.