Tiranë, 19 prill – Kongresi i Partisë Socialiste ka legjitimuar përfundimisht nismën e paralajmëruar të ekipit drejtues të saj për protesta masive deri në largimin e qeverisë aktuale. Edhe pse në pamje të parë një formalitet prej të cilit nuk pritej ndonjë oponencë ndaj qëndrimeve të deritanishme, Kongresi i djeshëm me vendimet e veta ka përkufizuar edhe më mirë stadin e krizës politike ku ndodhet aktualisht Shqipëria. Në këtë kontekst, fjala e kryetarit të PS-së, Edi Rama, ka pasur një tingëllim të spikatur si për terminologjinë, ashtu edhe për simbolikën historike të përdorur. “Ejani në rrugën e protestës, për ta përshpejtuar fundin e betejës, e cila s’dihet kur dhe s’dihet ku, po dihet me siguri si mbaron: me fitoren e njerëzve që kërkojnë vetëm lirinë për të zgjedhur dhe të drejtën për të jetuar e punuar si të barabartë përpara ligjit e mundësive që ofron demokracia”, tha ndër të tjera kreu i PS-së. Ai ka paralajmëruar se protesta e 30 prillit do të vijojë edhe më 1 maj, jo më vetëm si një lëvizje që synon grumbullimin e një mase njerëzish, por si një betejë kundër pushtetit. “…do ta kthejmë 1 Majin në ditën e një beteje demokratike në rrugë kundër pushtetit të papunësisë e të varfërimit të përditshëm të shqiptarëve… Nuk do të ndalemi deri në largimin e qeverisë, në rast se qeveria nuk do të largojë publikisht duart nga kutitë ku mban mbyllur zgjedhjet dhe zgjidhjet për demokracinë”, vijoi Rama. Edhe pse fjalori i përdorur nuk sjell asgjë të re në thelbin e retorikës së përdorur deri më tani nga selia rozë, gjithsesi ai hap një parantezë për të kuptuar nervozizmin dhe tendosjen politike ku ka hyrë klasa politike. Sa i përket opozitës, fjalimi i Edi Ramës është prezantuar si një direktivë prej nga ku tipizohet natyra e reagimit politik që ka zgjedhur Partia Socialiste që i adresohet si mesazh politik edhe qeverisë. Në këtë pikë, me interes është simbolika historike e përfshirë në fjalën e kreut socialist, e cila i është drejtuar antagonizmit të viteve ‘20 të shoqërisë shqiptare, si burim për konfliktin aktual. Referimi ndaj Fan Nolit apo edhe Luigj Gurakuqit i përdorur si hapje dhe si epilog i fjalimit të Edi Ramës, nuk mund t’i shpëtojë interpretimit politik që e lidh oratorinë e peshkopit shqiptar me aksionet e tij radikale. Thënë ndryshe, fjala e fortë është një stimul për veprime të forta dhe huazimi nga historia në këtë rast legjitimon më mirë drejtësinë e kauzës, ku është përfshirë Partia Socialiste. “Duam një qeveri të popullit, prej popullit, për popullin, të përbërë prej njerëzve më të ditur, më patriotë, më të zotët e më të ndershmit… Shërimi pra është në ndërrimin e kësaj guverne. Këtë e ka populli në dorë në zgjedhjet e afërme. Kabineti ynë i sotëm është në kuptimin e plotë të fjalës Kabineti i Pykave. Se ca janë pyka nga dituria e ca janë pyka nga vlera civile. Dhe është në natyrë të pykave të jenë të rrethuar me pyka e me dallkaukë”, ka mbyllur fjalimin e tij kreu socialist. Zbërthimi i këtij qëndrimi politik ka rëndësi vetëm në aspektin praktik, pasi vetëm parashikimi i veprimeve konkrete të PS-së është ende i paqartë për opinionin. Ashtu sikurse nënvizoi Rama, protesta e 30 prillit, masive dhe pa afat kohor, ka si synim gjunjëzimin e qeverisë, ç’ka nënkupton kalimin drejt zgjedhjeve të parakohshme. Në fakt, ky objektiv, i nënrenditur si derivat i protestave, mbetet ende i paqartë, për shkak se edhe sot, pas 9 muajsh, lëvizjet qytetare nuk kanë arritur të imponojnë zgjidhje politike nga rruga.

Kongresi i Socialistëve ka miratuar edhe disa ndryshime në Statutin e partisë.