Kim MEHMETI

Të gjithë njerëzit e kësaj bote jetojnë njësoj: duke e ndërmendur vdekjen dhe duke u munduar sa më madhërishëm ta kremtojnë jetën e tyre. Këtë mbase më së miri duhet ta dinë njerëzit që i janë përkushtuar religjionit, ata që njerëzimin e shohin si një kope të madhe të cilën duhet drejtuar rrugës së drejtë, e jo asaj që mund të jetë më e lezetshme, por që konsiderohet mëkatare. Këtë pra më së miri do duhej ta dinin prijësit religjioz, të cilët i udhëzojnë njerëzit sa më shpesh të kalojnë pranë varrezave, që të ndërmendin se banesat e të gjallëve janë më të ngrohta dhe të ndryshueshme, por ato të të vdekurve janë më të paprekshme. Me çka ata më lehtë do e kuptojnë se pronarë të tokës janë të gjallët dhe se të vdekurit janë pronë e dheut. Apo më lehtë do e zbërthejnë të vërtetën se vetëm të vdekurit dhe të palindurit, janë me të gjitha të barabartë mes veti dhe se vetëm atyre nuk u mungon as hapësirë as kohë.

Jo vetëm dikur, por edhe sot, religjionet kanë qenë ato që kanë përcaktuar marrëdhëniet mes njerëzve dhe popujve. Religjionet kanë ndikuar edhe në marrëdhëniet mes banorëve të këtij Ballkani, ku shekuj me radhë popujt kanë lëvizur si valët e detit, me çka edhe harta e nëntokës së këtyre hapësirave është vizatuar nga përkatësia etnike dhe religjioze e të vdekurve. Dhe kjo hartë e nëntokës së Ballkanit, si edhe e të gjitha hapësirave tjera, shpeshherë nuk përputhet me reliefin etnik dhe religjioz të atyre që sot jetojnë mbi të. Pra, në barkun e tokës ballkanike, prehen eshtrat e popujve të lashtë, si për shembull ato të ilirëve, si edhe të atyre të ardhur gjatë shekujve të mëvonshëm, si për shembull i sllavëve të jugut. Nëntoka e kësaj hapësira ballkanike përgjithmonë i ka tretur edhe kufomat e ushtarëve të ardhur nga larg, me urdhrin që të zgjerojnë hapësirën jetësore për popujt e tyre. Kështu që Ballkani nuk është vetëm një përzierje etnike e atyre që sot jetojnë në këtë treva, por edhe tollovi varrezash të atyre që kanë ardhur e shkuar, që kanë jetuar e kanë vdekur, duke bërë atë që gjithmonë e kanë bërë popujt e tërë botës: luftëra për të zgjeruar kufijtë e pronës së tyre mbi këtë tokë, duke harruar se ata janë pronë e nëntokës.

Duke qenë Ballkani me shekuj vend ku vdiset për token, por edhe tokë që nuk e ushqen gjithaq lehtë jetën, edhe sot e kësaj dite, kjo hapësirë ka mbetur atdhe ku jetojnë popuj të cilët sa herë që e ngatërrojnë kalendarin e të sotmes së tyre, prehjen e shpirtërore e kërkojnë atje ku tjetër kush është pronar i jetës. Kështu që nuk është e çuditshme pse P

atriarku serb, Irinei në mesazhin e tij me rastin ePashkëve tha se Kosovaështë Jerusalemi serb dhe, duke u lutur për paqe, nuk harroi t’i bëjë lutje Zotit t’ia kthej Serbisë Kosovën, “djepin shpirtëror” të serbëve. Me çka edhe njëherë dëshmoi se në këto hapësira ka diçka që është rrënjosur aq thellë në vetëdijen e disa njerëzve, sa ata i çon të besojnë se nuk duhet ta kremtojnë jetën me të gjallët që kanë pranë tyre, por me mosdurimin ndaj të tjerëve. Pra, ka diçka që disa njerëz të këtyre trojeve i çon të besojnë se mbi varrin e atij që nuk i takon etnisë dhe religjionit të tyre, mund të mbijë bima e lumturia që u mungon