Skerdilajd Zaimi-Vizita e komisionierit për Zgjerimin në Komisionin Evropian, Stefan Fule në Tiranë i ka dhënë një hapësirë të re çështjes së zgjedhjes së Presidentit të ri të Shqipërisë. Vetëm dy ditë pasi Fule është larguar, bëhet e ditur se aktiviteti politik për “negocimin e një emri për President”, do të nisë që këtë javë, e konkretisht nga socialistët. “Kreu i PS-së, Edi Rama pritet të zhvillojë në ditët në vijim takime me krerët kryesorë politikë në vend, duke nisur që nga kryeministri Sali Berisha, kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, por edhe drejtues të tjerë të partive parlamentare”,-thanë burime pranë shefit të opozitës, Rama.

Kjo është një nismë, që merr peshë përtej kontekstit për të cilin ajo vihet në zbatim, pra zgjedhjes së pasuesit të Bamir Topit. Takimet e një niveli të lartë politik janë pika fundore të një procesi komunikimi informal mes pjesëtarëve të nivelit të dytë të stafeve përkatës.  Ato shërbejnë si momente marrëveshjesh të rëndësishme. Takimet e Nanos me Berishën, rëndom janë vlerësuar si katalizatorë të krizave e kuadër rregullues për institucione dhe segmente me peshë specifike të pushtetit. Këtu ka vend të nënvizohet “Po”-ja e Berishës për takimin me Ramën, meqenëse socialisti ka zbuluar se për Presidentin do të kërkohet një proces me kushte të qarta dhe jo thjesht një emër. Takimi tjetër, ai me Ilir Metën është po kaq i rëndësishëm, pasi rivendos për herë të parë që pas vitit 2008, një kontakt direkt publik mes dy politikanëve, të cilët që prej transmetimit të videoregjistrimit të Dritan Priftit kanë akuzuar njëri-tjetrin. Nëse sillet ndërmend se disa zyrtarë të rëndësishëm të Brukselit, përfshi Fulen, kanë vlerësuar mënyrën sesi u zgjodh Avokati i Popullit, atëherë mund të kuptohet se cili është modeli më preferuar që pritet të ndiqet edhe për Presidentin.

Negocimi i një serie institucionesh kaq të rëndësishme, si gjykatat, prokuroria dhe gjithë çfarë buron prej tyre, e vë në provë sidomos rinovimin apo ndryshimin e PS-së në administrimin e të mirës publike. Do të jetë thjesht një pazar i disa personave mbi raportin e kontrollit të pushtetit dhe emrat që do të jenë në këtë kuadër loje, apo procesi do të zbardhet para opinionit përmes nismash ligjore dhe një diskutimi të zgjeruar, siç paralajmëroi Rama disa ditë më parë? Mes PD-së dhe LSI-së, qasja e socialistëve mbetet gjithsesi edhe një formë manovre për të provuar koalicionin qeverisës, që sado i vulosur nën zotimin për vijim normal deri më 2013-n, nuk mund të mos ndikohet nga llogaritë politike.

Statusi i është premtuar që t’i falet Shqipërisë dhe me këtë rast klasës politike i është kërkuar vetëm të bëjë një sforco për arritjen e një konsensusi relativ, nga i cili në momentin e tanishëm duket se askush nuk humbet. E panjohur reale në këtë lojë është emri i kandidatit me më shumë shanse. Deri më tani, i vetmi garues që ka zhvilluar një fushatë paraprake, është Fatos Nano, i cili ka takuar thuajse të gjithë aktorët politikë, ndonëse mbështetje të vërtetë ka marrë vetëm nga Dule dhe Idrizi, të dy përfaqësues me peshë specifike të vogël.

 

Presidenti, përfaqësues i unitetit

Presidenca “Topi” merr sinjale vlerësuese nga Vatikani. Në takimin e zhvilluar mes kreut të Shtetit dhe përfaqësuesit të komunitetit të Sant Exhidios të drejtuar nga Imzot Vinçenco Palia. Duke folur mbi rolin e Presidentit, Palia ka theksuar “rolin e ekuilibruar e të moderuar të Presidentit Topi duke vënë në dukje rëndësinë e një Presidenti të Republikës, i cili përfaqëson vërtet bashkimin e popullit dhe mbron interesat e qytetarëve”. Një vlerësim ky që vjen në përputhje edhe me misionin e Sant Exhidios,  por që përcjell mesazhe politike për figurën e Presidentit të ri të Shqipërisë.