Policia e Kosovë më 28 prill merr nga KFOR-i kompetencat në kufirin me Shqipërinë
Prishtinë, 19 prill – Gjendja stabile e sigurisë në Kosovë i ka shtyrë udhëheqësit më të lartë të NATO-së që ta vazhdojnë tutje procesin e transferimit të kompetencave nga KFOR-i tek Policia e Kosovës.
Që nga fundi i këtij muaji Policisë së Kosovës do ti shtohen kompetencat edhe në sigurimin e pikave kufitare. KFOR-i është bërë gati që më 28 prill t’ia transferojë kompetencat Policisë së Kosovës për komplet brezin kufitar me Shqipërinë. Kjo është bërë me dije të hënën në një konferencë të përbashkët për media të mbajtur nga komandanti i KFOR-it, gjenerali Markus Bentler dhe komandanti i Komandës së Forcave të Përbashkëta të Aleancës në Napoli, Admirali Mark Fitzgerald.
“Mendoj se pas vlerësimeve të kujdesshme transferimi i kompetencave me Shqipërinë do të bëhet më 28 prill”, ka treguar komandanti Bentler.
Mirëpo ai ka thënë se tash për tash nuk është në plan që të bëhet transferimi i kompetencave edhe për pikat tjera kufitare, si me Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë.
“Transferimi i kompetencave në pikat tjera kufitare do të bëhet hap pas hapi varësisht prej përparimeve që do të bëhen dhe normalisht duke shikuar linjën administrative të kufijve”, është shprehur Bentler. Ndërsa ka shtuar se KFOR-i është duke punuar që t’i shtyjë proceset përpara dhe në të njëjtën kohë është duke punuar me shtetin serb që të përgjatë pikave kufitare me Serbinë ta mbajë ambientin e qetë.
Procesi i transferimit të kompetencave nga KFOR-i tek Policia e Kosovës, që ka filluar me Gazimestanin, nga komandanti Fitzgerlad është vlerësuar si rezultat i dy palëve.
“Gjërat këtu janë duke shkuar mjaftë mirë dhe transferimi i kompetencave është indikator për përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë dhe mendoj që ata kanë qenë gjendje ti pranojnë këto detyra dhe kjo është një gjë shumë pozitive”, ka theksuar Fitzgerald.
Ndërkaq ka shtuar se “kur shikojmë se çka është arritur këta muajt e fundit si transferimi i kompetencave për Gazimestanin atëherë shihet se është sinjal edhe për dorëzim të kompetencave edhe për objektet tjera”, është shprehur Fitzgerald. Ai ka thënë se “ne nuk dëshirojmë që të presim deri në minutën e fundit kur të ketë KFOR-i prezencën minimale. Ne po mundohemi që këto gjëra t’i shtyjmë pak përpara që të kemi mundësi t’i monitorojmë pas dorëzimit”, është shprehur admirali Fitzgerald.
Transferimin e kompetencave nga KFOR-i tek Policia e Kosovës e ka konfirmuar për gazetën edhe zëdhënësi i PK-së, Baki Kelani.
“Polica e Kosovës në bashkëpunim me KFOR-in është duke u përgatitur që të kalojë nën përgjegjësinë e Policisë së Kosovës komplet brezin kufitar më Shqipërinë dhe kjo do të ndodhë shumë shpejtë”, ka pohuar Kelani.
Por, përveç transferimit të kompetencave nga KFOR-i tek Policia e Kosovës, Bentler e Fitzgerald kanë folur edhe për transferimin e kompetencave të FSK-së, e cila sipas tyre duhet të zhvillohet edhe më tej për procese të tilla.
“Mandati ynë në NATO është që t’i zhvillojmë kapacitet kryesore të FSK-së dhe transferimet tjera do të bëhen më vonë”, është shprehur Fitzgerald.
Ndërsa sa i përket pajisjeve me armë të reja për FSK-në, komandanti Bentler ka treguar se së shpejti FSK-ja do të pajiset me një lloj të armëve gjermane.
“Kemi folur për armë të lehta, një model gjerman heckler,
dhe është vetëm çështje e transportit. Mos më pyesni për datën, sepse nuk e di, mirëpo do të jenë në një të ardhshme shumë të afërt që do të vijnë. Ato vetëm sa nuk janë dorëzuar”, ka thënë Bentler pas takimit me admiralin Fitzgerald. Ky i fundit gjatë qëndrimit të tij në Kosovë është takuar me shefin e EULEX-it, Yves De Kermabon si dhe ka vizituar pikën kufitare Porta 1, që ndodhet në kufi me Serbinë.