Tetovë, 17 prill – Partia për Prosperitet Demokratik (PPD) ka festuar të shtunën njëzetvjetorin e themelimit të partisë. Njëzet vite më parë, në fshatin Xhepçishtë të Tetovës, si nevojë e artikulimit të interesave të shqiptarëve në Maqedoni është formuar PPD-ja me në krye Nevzat Halilin. Ky subjekt është përfaqësuar në qeveri me Beqir Zhutën si zëvendëskryeministër, Iljas Sabriun, ministër i Punës dhe Politikës Sociale, dhe Alajdin Toskën si ministër pa portofol. Ndërsa pas tyre qëndronin 23 deputetët e zgjedhur nga populli shqiptar i Maqedonisë. Kreu i PPD-së, Sefedin Haruni, madje ka paralajmëruar riorganizimin e PPD-së dhe pjesëmarrjen në zgjedhjet e ardhshme.

“Ky është përvjetor i zgjimit demokratik shqiptarë në Maqedoni, prandaj e meriton kujtimin e tij të denjë nga ne anëtarët e simpatizantët e PPD-së, e meriton nga votuesit e saj të parë që i dhanë forcë fjalës së saj që i dhanë forcë veprimit të saj. Ky përvjetor në këtë vit të 20 të rrënimit të kauzës shqiptare që pushteti e bëri pas rrënimit të PPD-së, për ne anëtarët dhe simpatizantët e saj është një përvjetor për ta rimarrë dhe çuar më tej e më gjerë në fund idealin e kauzës kombëtare për dinjitet”, ka thënë para të pranishmëve kreu i Prosperitetit Sefedin Haruni.Kjo parti ka kërkuar nga anëtarët e saj që të jenë të bashkuar dhe t’i qëndrojnë besnik programit të PPD-së, pasi siç ka shtuar, “do zgjidhë çështjen e shqiptarëve në Maqedoni”.

“Bëjmë thirrje që të jetë një fillim i ri për kauzën shqiptare në Maqedoni dhe këtë fillim të ri si në fillimet e para të pluralizmit politikë këtu do ta nisë prapë zëdhënësja e parë historike e fillimit të parë politik dhe aspiratave autentike e të paprekshme për shqiptar pra do të nis me ne PPD-ja”, ka shtuar më tej Haruni.