Doli prej shtypit libri më i ri i shpisë botuese Rrokullia, ‘Adem Demaçi – biografi (e paautorizuar)’ i autorit Shkëlzen Gashi. Përmblidhen në të hulumtimet dyvjeçare, jo vetëm nga intervistat me Demaçin, por edhe me një mori njerëzish që e kanë njohë nga afër në kohë të ndryshme: mësuesja e fillores, bashkëvuajtësit, bashkëpunëtorët, oponentët, gazetarët, asistentët, aktivistët, familjarët e deri te politikanët me të cilët është afruar viteve të fundit.

Biografia sjell edhe të dhëna nga shumë burime të shkruara nga Demaçi ose nga të tjerë për të, si dhe nga audio- e video-inçizime të paraqitjeve publike të Demaçit. Libri ilustrohet me dhjeta fotografi profesionale, disa të papublikuara më parë, kryesisht të fotografit të mirënjohur Hazir Reka.

Biografia botohet e paautorizuar prej Demaçit, i cili kërkoi t’i hiqeshin pasazhet që flasin mbi komentet dhe qëndrimet e tij ndaj Dušan Mugoša-s, Fadil Hoxhës, Pandeli Majkos, Ismail Kadaresë, Fatmir Limajt, Jakup Krasniqit, Agim Çekut, Hashim Thaçit, Ramush Haradinajt, Veton Surroit dhe Fatmir Sejdiut.

Biografia ka 260 faqe dhe prej të hënës më 5 prill mund të gjendet në të gjitha pikat e shitjes së librit. Pas dy javësh del edhe në anglisht, me përkthim nga Elizabeth Gowing.