Shkruajnë: Xhemil ZEQIRI –Fadil SHYTI-(Ky shkrim është vazhdim i shkrimit të datë. 14. mars 2010)

-Gjendja politike, ekonomike, ushtarake, shkencore, kulturore e të tjera fusha të jetës që po kalon sot kombi ynë, nuk është aspak e mirë; përkundrazi, është e mbërthyer nga kriza të rënda që i kanë shqetësuar dhe po i shqetësojnë thellë mendjet dhe shpirtrat e ndritur të kombit; sot, janë të kënaqur dhe të lumtur vetëm ata/ato, që ishin dhe janë mbetur përjetësisht puthadorë të të huajve pushtues dhe kolonialistë; të egër apo mashtrues të tejskajshëm; që, nuk hezituan as hezitojnë të shkelnin dhe të shkelin mbi çdo gjë të bukur shqiptare; -e, –për më keq , të shkelnin dhe të shkelin dhe mbi gjakun e vëllezërve dhe motrave, mbi gjakun e shokëve dhe të shoqeve të tyre dëshmorë dhe dëshmore; për të vetmin qëllim; të kenë ca pushtet, ani, se pa shtet: nga lagje e tyre e deri në parlamentin kukull të Kosovës , të pasurohen pakufishëm –dhe të jetojnë si sheikët andej nga shtetet e pasura arabe, -pa çka se populli hoqi dhe po heq të zitë e ullirit; pa çka se popullit po i mungojnë dhe gjërat më elementare të jetës; si: uji, buka dhe drita, popullit, po i mungon mirëqenia pa të cilën fatkeqësisht, jeta iu ka bërë e padurueshme nga papunësia dhe korrupsioni i pa fre, prandaj, po ngjajnë fatkeqësi dhe krime të rënda në familjet shqiptare dhe më tej, sot, shqiptarët e duan për atdhe të dytë çdo shtet të botës; madje, dhe shtetet armike -por, “nuk e duan” atdheun e tyre; sepse, nuk janë në gjendje as t´ i shkollojnë fëmijët e tyre as të kenë ardhmëri të ndritur nga shtypja sociale dhe politike ushtarake e të tjera!…

-Të gjitha këto vuajtje që, fatkeqësisht, jo me përmasa kaq të mëdha dhe tepër rrezikshme populli shqiptar i kishte edhe gjatë pushtimeve të regjimeve të huaja okupuese dhe të puthadorëve të tyre. Kjo, natyrisht i ka shqetësuar mendjet dhe shpirtrat e çdo atdhetari dhe atdhetareje; mirëpo, atëbotë kjo “kafshatë e mjerimit”kapërdihej disi; për faktin që prej armiqve as pritej më mirë! Për faktin që po bëheshin përpjekje të tejkalohej ajo gjendje tepër e ngulfatur që po e përjetonte kombi shqiptar në trojet e veta të robëruara nga shovinistët sllavë. Mirëpo, tani, “pas çlirimit” kur si në një kor të mjerë disa po pretendojnë se, “kemi shtet sovran” edhe në Kosovë, se, “jemi çliruar nga diktatura më e egër e botës në Shqipërinë londineze”!!! Edhe, atje tani shqiptarëve po u mungojnë të gjitha elementet kryesore për të bërë një jetë normale siç e bëjnë bile, fqinjët e tyre të Ballkanit. U mungojnë të mirat materiale por, nuk u mungojnë fatkeqësitë pambarimisht; herë me zjarr e herë me ujë; po i dënon qeveria “e zgjedhur prej tyre”, me në krye Sali Berishën, e jo ndonjë regjim i huaj!!!

-Nga jugu në veri, nga lindja në perëndim; shqiptarët po ndeshen me varfëri, dhe pasiguri për të sotmen dhe për të nesërmen –dhe, si shkak-pasojë mbi një milion shqiptarë e kanë marrë sot botën në sy, për të kërkuar një jetë më të mirë! Ato, radhë të gjata mërgimtarësh që po bëhen që po bëhen disa km, duke ikur jashtë trojeve etnike, drejt Greqisë, kujtojmë që, nuk e nderojnë aspak qeverinë as shtetin shqiptar! Nga kjo plagë e rëndë si kjo e mërgimit; populli shpëtohet duke hapur vende të reja pune, duke krijuar një qëndrueshmëri për mirëqenien e tij, për t´i siguruar breznitë e sotme dhe ato që vinë për një jetë normale në atdhe.

– Kjo, gjendje amullie e bënë edhe më skeptik çdo njeri me mend në kokë. Tani, po shihet qartë se kush paska qenë dhe është i sinqertë, për t´ i sjellë kombit shqiptar, liri dhe barazi, për t´i sjellë kombit shqiptar, mirëqenie dhe siguri dhe kush ia paska bërë dhe po ia bën pabesinë!…

-Është lehtë të bëhet zhurmë duke e dënuar kinse të kaluarën e “errët diktatoriale”, por, si duket për të korruptuarit deri në majat e piramidës së pushtetit, nuk qenka aspak e lehtë t´i sigurohet popullit, madje një jetë normale! Ndërsa, për veten e tyre në pallatet e ndërtuara nga djersa dhe gjaku i popullit; po hanë me lugë prej ari. Pse po ngjanë kështu burimet nuk është aspak e zorshme të gjenden; ato burime janë nga “lartësitë e maleve”- që, siç do të thoshte Migjeni:

O, si nuk kam nji grusht të fortë!

T’i bije mu në zemer malit që s’bëzanë,

Ta dij edhe ai se ç’do me thanë i dobët –

N’agoni të përdridhet si vigan i vramë,

O, si nuk kam nji grusht të fuqishëm!

Malit që hesht mu në zemër me ja njeshë

Ta shof si dridhet nga grusht’i paligjshëm…

E unë të kënaqem, të kënaqem t’u u qesh.

(Recital i Malcorit)

-Themi kështu, sepse vërtetë për vite të tëra kombi shqiptar -siç thotë një fjalë e urtë popullore shaljane: “Populli, po pi gjak me lugë”!

-Po pi gjak me lugë, jo vetëm nga armiqtë e jashtëm, por edhe prej matrapazëve shqipfolës, politikë e jo politikë të të gjitha ngjyrave që i bashkon vetëm një ngjyrë: ngjyra e zezë që jetën ia ka bërë vrer!…

-Nuk mund t´i fshihet përjetësisht e vërteta këtij kombi të lashtë dhe të ri; sepse, para së gjithash, jeta e ka bërë të fortë dhe të ditur që t´i kuptojë besnikërinë dhe tradhtinë që gjatë shekujve dhe deri në ditët tona ia kanë bërë qarqe të errëta të brendshme dhe të jashtme.

-Për kompromiset:

– Jo!

-Këto, nuk janë rastësi, këto janë të paramenduara fort mirë dhe të akorduara si në vallet e djajve përtej ferrit, në vatrat e krizave si në Bruksel, Moskë, Beograd, e gjetiu! -Pra, të gatuara atje dhe të përtypura e të gëlltitura si mos më keq në Tiranë, Prishtinë, Shkup e gjetiu, për t´i bërë trojet shqiptare përsëri; copa-copa dhe për t´i bërë shqiptarët “modernistë evropianë”; që as “veten të mos e njohin” sipas identitetit të tyre që iu takon!…

Shembuj më të qartë se gjithë ato “skandale” kulturore e shkencore çfarë po ngjajnë në Shkup dhe në Prizren; zor se mund të ketë; mbase këto dhe as ishin të parat as do jenë të fundit…

-Shkupin , shovinistët maqedonas duan ta bëjnë “operacion plastik”, pasi tentuan t´Ia mohojnë etninë e lashtë pellazge-ilire, tani po duan t´ia ndryshojnë fytyrën e vërtetë që e ka vetëm shqiptare; po duan ta paraqesin para pasqyrës së tyre të pistë; një kryeqytet fund e krye sllav!! Projektet e ndërtimit të kishave dhe rrugëve që do ta paraqesin atë kinse “den baba den” vetëm me etni maqedone e jo aspak shqiptare.

-Pastaj, skandali që ngjau këto ditë në, “Prizrenin e historisë, i ndamë me kufi imperialist” (Agim Gjakova), kur me “ferman” të EULEX-it nga disa shqipfolës të Gjykatës Kushtetuese, urdhërohet që të hiqet emblema e Kuvendit Komunal të Prizrenit. Lexo: http://www.albaniapress.com/lajme/11221/Gjykata-Kushtetuese-e-Kosoves-vendim-kunder-emblemes-se-Lidhjes-Shqiptare-te-Prizrenit.html

-Me këtë rast i bashkohemi reagimit të L. V , LIB dhe intelektualëve të Kosovës me në krye, Adem Demaçin; Ne, reagojmë me indinjatë të thellë kundër vendimit politik të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës për heqjen e emblemës së Kuvendit Komunal të Prizrenit.

…Edhe gjuhën e djallit sikur ta mësonin shqiptarët, edhe simbolet e tij po t´i përdornin shqiptarët, edhe rrobat e tij, po t´ i vishnin shqiptarët kjo askë s´ do ta pengonte; -madje, për këtë do të kishin edhe shumë përkrahje; mirëpo, i pengon zotërinjtë evropianë vetëm identiteti ynë i mirëfilltë shekullor! I pengon jo vetëm se, neve na e kanë mërinë, -por, ashtu i dirigjojnë pandalshëm simotrat e tyre Rusia e Putinit dinak dhe Serbia e Tadiqit “engjëll”!…

-Prandaj, mos të harrojmë: sa shumë bëri dikur Evropa gjithçka kundër Shqipërisë Etnike, -sepse ashtu e deshën këto e të tjera vende armike; po, këtë avaz po e vazhdon edhe sot; -por, tani me “mençuri” po vepron “Evropa e Re” e cila po dëshiron të mbetet mike edhe me ata, edhe me ne!!! -Sipas logjikës: “mishi të piqet, por helli të mos digjet”! Tani, nuk vjen tani Maxhar Pasha në Prizren, për të hapur luftë me Mic Sokolat shqiptarë; por, tani vjen Pieter Feith, me kostume gri i cili nën maskën e demokracisë, solidarizohet me ata që dëshirojnë t´ia humbin vlerat kombëtare Shqipërisë Etnike. Tani, këtë “Maxhar Pashën e Ri” politikanët shqiptarë e konsiderojnë si Zotin, “atje lart” në parlamentin e Kosovës “sovrane”! Pra, ai vendosë , ai vulosë!…

-Nuk është këtu fjala vetëm për dështime të çastit apo të rastit; nuk është këtu fjala për gabime të thjeshta protokollare “teknike” që, mund të quheshin “dobësi o gabime minimale” e, që pastaj do të mund të riparoheshin disi-por, këto shkelje të rënda që: disa po i konsiderojnë si “ të pranuara vullnetarisht” sipas stilit “të politikës së hollë” përballë kohës dhe situatave që po kalojmë; -pra, për t´u integruar në Evropë; -këto tërheqje nga të drejtat tona kombëtare, po krijohen disfavore të cilat po quhen me delikatesë diplomatike “kompromise”madje, herë-herë edhe “të dhimbshme” në dëm të kombit; a jemi të vetëdijshëm që, kanë dhe do të kenë pasoja tepër të rënda dhe shumë të zorshme të riparohen në të ardhmen; -po bëhen si shkak-pasojë e pranimit pa kushte; përballë qendrave të vendosjes; për të arritur strategjinë e tyre anti-shqiptare. Këto, vendnumërime po bëhen vetëm për t´i plotësuar orekset e interesave të ngushta personale, partiake dhe grupore që, pastaj kanë dhe do të kenë prapavija tepër të rrezikshme dhe mizore.

-Prandaj, është detyrë parësore dhe me përgjegjësi të madhe kombëtare që, pa hezitim të luftohen dhe të pengohen me të gjitha mjetet e mundshme që i lejon e drejta kombëtare dhe ndërkombëtare; këto vendime të politikanëve “tanë” servilë dhe xhelatë, të cilët çdo ditë e më tepër, çdo ditë e më keq, po e fusin kombin në rrugë pa krye, duke ecur prapakthehu në histori!

Një gjë duhet ta kenë të qartë të gjithë keqbërësit dhe armiqtë e hapur dhe të maskuar të shqiptarizmit se: ky popull, madje edhe kur nuk flet; mediton, vështron dhe dëgjon; edhe kur nuk proteston aq fuqishëm sa do të duhej, -me siguri revoltohet dhe kjo revoltë doemos një ditë do të shpërthejë fuqishëm si vullkan, i papërmbajtur si uragan –mbi të gjithë ata që dje dhe sot, kaq shumë e nëpërkëmbën dhe po e nëpërkëmbin!

Fund

Autorët janë , aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Danimarkë-Suedi, 27 mars 2010

PS: -Kërkojmë ndjesë tek lexuesit, sepse, nga pjesa e kaluar e shkrimit është lëshuar një gabim teknik: -Në momentin që e siguroi përsëri pushtetin në mënyrë perfide dhe tepër dinake e përçau kombin shqiptar, duke e përkrahur “kombin kosovar”, duke e përkrahur për herë të parë nga ish-ministri i qeverisë së tij, Besnik Mustafaj në OKB, përcaktimin e statusit të Kosovës, -si “autonomi të kushtëzuar”.Togfjalëshi, “autonomi të kushtëzuar” – do të duhej të shkruhej “pavarësi të kushtëzuar”.