Korrupsioni po e lufton Qeverinë
Të gjithë e dimë dhe e pranojmë se ka korrupsion në Kosovë. Ky korrupsion mund të na lë pa u integruar në Bashkimin Evropian (BE), edhe, nëse doni, pa bashkim kombëtar, bile edhe pa shtet. Këtë shtet po e ha korrupsioni, pa kurrfarë dileme. Si krimbi mollën. Perceptim letrar-romantik? Ndoshta, por kjo është e vërtetë.
Ndërkohë, Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri nga Drenica, Hashim Thaçi, nuk po përton që çdo ditë, në mënyrën dhe stilin e vet medial, të na tregojë që ajo ose po e lufton ose është e gatshme ta luftojë korrupsionin në Kosovë. Pra, Qeveria e Hashim Thaçit nuk po zgjedhë as mjete e as mënyra mediale-publike të na e tregojë këtë. Kjo nuk është edhe aq problem.
Kur jemi tek mediet, Qeveria aktuale e Kosovës i ka shumicën e medieve të shkruara dhe elektronike-televizive në anën e vet. Por, këtu nuk është fjala për mediet, por për aftësitë e shkëlqyeshme të kryeministrit Hashim Thaçi i cili po gjen forma e mënyra të sofistikuara dhe kompromisi që në çdo rrethanë e situatë mediale t’i ketë mediet, sidomos televizive, edhe me vete edhe në anën e vet. Përzgjedhja e Mentor Shalës si zëvendës/drejtor i përgjithshëm i Radio televizionit të Kosovës (RTK), si kompromis, e tregon këtë gjë më së miri. Kjo përzgjedhje (dhe disa të tjera) në këtë televizion publik, kaloi pa diskutim publik sepse KEK-u nuk po i mbledhë 3.5 euro nga amvisëritë dhe bizneset në Kosovë për RTK-në. Dhimbja, tash për tash, nuk po hetohet.
Por, çfarë i duhen mediet e shkruara dhe televizive kryeministrit Hashim Thaçi në luftën kundër korrupsionit në Kosovë? Duhet pranuar se kjo është paksa pyetje dhe çështje e çuditshme. Dikush do të mund të formulonte se mediet janë ndër mjetet më të mira, më efikase dhe efektive, për të luftuar korrupsionin e çfarëdoshëm në Kosovë. Dhe ky formulim, për hallall, është i saktë. Por, përvoja në Kosovë na e tregon të kundërtën – se shpesh mediet në Kosovë po përdoren për të fshehur korrupsionin në Kosovë. Dua të them, nuk është çudi nëse do të konstatonim që të korruptuarit në Kosovë gjejnë strehim në medie. Pra, nëse do të shikosh se cilët janë dhe si duken të korruptuarit, atëherë ndize televizorin. Cilindo kanal televiziv, pa dallim.
Larg qoftë që kushdo që del në televizor, të jetë i korruptuar. Esenca e asaj që dua të them është se korrupsioni në Kosovë gjendet në mënyrën e qeverisjes, se korrupsioni në Kosovë ndodhet në Qeverinë e Kosovës. E tash, shumica e atyre përfaqësuesve të Qeverisë dhe të qeverisjes në Kosovë (presidenti, kryeministri, kryeparlamentari, ministrat dhe kryeshefat ekzekutiv) nuk ka ditë, në fakt, nuk ka orë që nuk dalin në televizor. Bile, pa pare. Dhe njërën ndër temat e kanë luftën kundër korrupsionit. Paksa ironike? Bile, shumë.
E tash, cila do të ishte mënyra më e mirë për të luftuar korrupsionin – fikja e televizorit? Nuk është aq e sigurt. Ndërrimi i kanalit të televizorit në X1 ose X2? As kjo nuk është e sigurt. Tashti jam në ato momente kur është paksa vështirë të përmbyllet shkrimi, në këtë temë dhe kontekst që është shkruar. Sido që të bëhet, televizori nuk ka faj, por ne duhet të dimë se çka po shohim e dëgjojmë në të. Nuk kemi nga ikim.
Skënder Limani
