Emin Azemi-Për reforma në gjyqësi, nevojitet edhe konsenzus ndëretnik

Në ndryshimet e paralajmëruara në gjyqësor, nevojitet një invencë dhe guxim më i madhe parties shqiptare në pushtet, e cila duhet të na dëshmojë në praktikë se cila ishte arsyeja e insistimit të hyrjes në qeveri, pas zgjedhjeve të fundit parlamentare. Nëse në të ardhmen do të gjykohet ndonjë shqiptar i pafajshëm, me procedura shkel e shko dhe me shkelje drastike të normave elementare të etikës gjyqësore, siç ndodhi me rastin e Sopotit, apo me rastin e dënimit me burg të përjetshëm të z. Harun Aliut dhe dy shqiptarëve të tjerë, atëherë nën petkun e atyre gjyqtarëve të papërgjegjshëm do të ndodhet vetë partia shqiptare që është në pushtet, e cila që tani e ka në dorë mekanizmin e bllokimit dhe parandalimit të pseudoreformave në gjyqësi

Një marrëveshje e re e Ohrit, apo respektim strikt i marrëveshjes ekzituese? Kjo nuk është dilemë, por kërkesë që sa më shumë po largohemi nga koha kur u miratua Marrëveshja e Ohrit, aq më e domosdoshme po bëhet nevoja që ajo të krijojë një harmoni më të madhe në mes të frustrimeve dhe realitetit ekzistues në vend. Ekziston një prirje në një pjesë të estabilishmentit politik maqedonas që t’i bishtnohet zbatimit të plotë të kësaj marrëveshjeje, duke i bërë asaj obstruime të buta, në formë të gjoja reformave që në instancë të fundit kanë për qëllim krjimin e një ambienti të ri politik në Maqedoni.

Edhe ndryshimet e paralajmëruara në sferën e gjyqësisë nuk japin të kuptosh se elita politike e vendit po punon krejtësisht në frymën e Marrëveshje së Ohrit, sepse edhe në gjyqësi nuk zbatohen parimet bazë të kësaj marrëveshjeje, siç është edhe ai i Badenterit. Forcat politike shqiptare kanë paralajmëruar me kohë për defektet e këtyre reformave të shumëpërfolura dhe nuk e dijmë nëse takimet e liderëve, si ky i djeshmi, janë përgjigja më efikase kundrejt këtyre defekteve. Në këtë takim vetë kryeminstri Gruevski nuk u tregua i gatshëm të demonstrojë një sens më të lartë për vërejtjet që i kanë partitë shqiptare, ndonëse ka kohë ende të presim nëse partia më e madhe maqedonase do të dëshmojë kooperativitet më të madh në përmbylljen e këtyre reformave, sipas një koncenzusi më të gjerë jo vetëm politk, por edhe ndëretnik.

Nëse gjatë konfliktit të v. 2001, përgjegjësia politike u takonte forcave politike që ishin në pushtet për ta menaxhuar drejt këtë konflikt, tani, afro dhjetë vjetë pas, u takon po atyre forcave politike që ndodhen aktualisht në pushtet të menaxhojnë bilancin politik, legjislativ e ekonomik të kësaj periudhe postkonfliktuoze. Por, tani mund të flasim edhe për një përgjegjsi të dyfishë morale e politike të partisë shqiptare që ndodhet në pushtet, e cila prejardhjen revolucionare e ideologjike e ka nga ish – UÇK, formacion ky ushtarak që u shpërbë, jo për të krijuar elita politike vetëm për pushtet, por edhe elita që e arsyetojnë pushtetin, duke i mbrojtur fortë disa ideale për të cilat edhe në pranverën dhe verën e 2001-shit dikush dikush luftoi. Na duket paradoksale që eksponentët e caktuar të kësaj partie, në pamundësi për të menaxhuar dhe korrigjuar deformimet që vijnë nga kreu i ekzekutivit, bëhen robër të do parimeve skolastike, të cilëve intimisht as ata vetë s’u besojnë.

Prandaj edhe në ndryshimet e paralajmëruara në gjyqësor, nevojitet një invencë dhe guxim më i madhe i kësaj partie, e cila duhet të na dëshmojë në praktikë se cila ishte arsyeja e insistimit të hyrjes në qeveri, pas zgjedhjeve të fundit parlamentare. Nëse në të ardhmen do të gjykohet ndonjë shqiptar i pafajshëm, me procedura shkel e shko dhe me shkelje drastike të normave elementare të etikës gjyqësore, siç ndodhi me rastin e Sopotit, apo me rastin e dënimit me burg të përjetshëm të z. Harun Aliut dhe dy shqiptarëve të tjerë, atëherë nën petkun e atyre gjyqtarëve të papërgjegjshëm do të ndodhet vetë partia shqiptare që është në pushtet, e cila që tani e ka në dorë mekanizmin e bllokimit dhe parandalimit të pseudoreformave në gjyqësi.

Politika është e lezetshme, por e ka edhe koston e lartë të saj të harxhueshmërisë, nëse nuk bazohet në etikë, parime dhe vizion largapamës.

Sa politikanë të harxhuar shqiptarë kanë parakaluar para hundëve tona dhe shyqyr që jetojmë në demokraci dhe nga materiali i tyre i harxhuar nuk ka shansë të bëhet sërish politikë