Filloi sot manifestimi tradicional treditor Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë. Në mesditë, në Prishtinë parakaloi garda e nderit e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi vlerësuan sakrificën e familjes së komandantit legjendar Adem Jashari. Në Prekaz ndërkaq, kanë filluar homazhet në varrezat e dëshmorëve. …

Nën patronatin e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, dhe me pjesëmarrje të zyrtarëve të lartë shtetëror dhe shumë qytetarëve, sot në Prishtinë në Sheshin ‘’Skënderbeu’’, u hap manifestimi Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Me këtë rast Garda e Nderit e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe një njësit i Policisë së Kosovës për herë të parë me parakalimin e tyre nderuan këtë manifestim.

Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu me këtë rast ka vlerësuar sakrificën e familjes Jashari dhe komandantit legjendar Adem Jashari. Ai tha se fal kësaj sakrifice dhe asaj të dëshmorëve të tjerë, populli i Kosovës po e përjeton tre vjetorin e pavarësisë në një shtet demokratik që i paraprinë stabilitetit dhe paqes në rajon.

“Dymbëdhjetë vjet pas asaj sakrifice të pa imagjinueshme, trungu i familjes Jashari është përtërirë me fëmijë të lindur pas mbarimit luftës. Republika e Kosovës ka hyrë në vitin e tretë të pavarësisë së saj. Gjatë kësaj kohe ajo është dëshmuar si një faktor shumë i rëndësishëm i paqes dhe stabilitetit në rajon”, tha Sejdiu.

Ndërsa, kryeministri Hashim Thaçi tha se Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është rezistenca më origjinale në historinë e një populli. Ai tha se lufta e Kosovës ishte kryevepër e komandantit legjendar Adem Jashari dhe e Ushtrisë Çlirimtare por edhe e popullit të Kosovës. Kryeministri Thaçi tha se 12 vjet pas kësaj sakrifice, Kosova po hynë në vitin e tretë të pavarësisë e sigurt për të qenë pjesë e strukturave euro-atlantike.

“Shumë vjet pas epopesë së komandantit Adem Jashari dhe familjes Jashari, Kosova ka hyrë në vitin e 11 të lirisë, gjithnjë e sigurt dhe vendosur për të qenë pjesë e botës euro-atlantike, pjesë e botës për të cilën ëndërruan ata që na sollën në ditën e sotme”, tha kryeministri Thaçi.

Anëtari i familjes Jashari, Bekim Jashari kërkoi nga institucionet që të punojnë në shtetndërtimin e vendit dhe në mirëqenien e popullit të Kosovës. Ai uroi që në Kosovë të mbretëroi paqja dhe të mos ketë mosmarrëveshje brenda politikës kosovare në mënyrë që qytetarët ta gëzojnë lirinë dhe shtetësinë e vendit.

“Urojmë dhe lusim zotin që të na e jap mendjen e shëndoshë, ta duam njëri tjetrin t’i ndihmojmë njëri tjetrit që ta qojmë këtë vend përpara. Ne posa festuam dy vjetorin e pavarësisë dhe ta ndërtojmë një shtet të fortë”, tha Jashari.

Në kuadër të manifestimit Epopeja e UÇK-së sot në mbrëmje fillon turneu ndërkombëtar i futbollit të vogël “Adem Jashari”, me pjesëmarrje të reprezentacioneve dhe ekipeve nga rajoni dhe më gjerë. Manifestimet e epopesë vazhdojnë edhe të shtunën ku është paraparë të bëhen homazhe tek Varrezat e Dëshmorëve në Prekaz, ndërsa në orën 18 në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë mbahet Akademia Përkujtimore. Për të dielën, në Prekaz, është paraparë manifestimi tradicional kulturor “Nata e Zjarreve, ku marrin pjesë mijëra shqiptarë nga Kosova, por edhe vise tjera shqiptare.