Bashkimi Demokratik Shqiptar në vazhdimësi ka dënuar dhe dënon të gjitha përpjekjet e politikës diktatoriale të VMRO-së  që, përmes interpretimit të shtrembëruar dhe një dimensional të së kaluarës, përpiqet të trasojë rrugën një etnike, një fetare dhe një gjuhësore të Maqedonisë.

Projekti “Skopje  2014”  paraqet një nga dëshmitë e fundit të kësaj politike etnocidale.Shkatërrimi i trashëgimisë historike dhe kulturore shqiptare, humbja e gjurmëve iliro-shqiptare, ndalimi i simboleve kombëtare shqiptare, imponimi i mësimit të maqedonishtes nga klasa e parë e arsimit fillor janë vetëm disa nga 100 hapat e politikës etnocidale të VMRO-së.

Krahas dimensionit etnocidal, projektet megalomane të llojit “Skopje 2014” në një kohë krize të përgjithshme ku qytetarët e Maqedonisë janë qytetarët më të varfër në Evropë, dëshmojnë se për diktatorët më i rëndësishëm është realizimi i projekteve të tyre se vetë mirëqenia e popullsisë.

Kjo logjikë diktatoriale nuk dallon aspak nga logjika diktatoriale komuniste dhe është në kundërshtim të plotë me vlerat euro-atlantike.

Bashkimi Demokratik Shqiptar është kategorikisht kundër këtij projekti dhe kërkon që të hartohet një projekt i ri për Shkupin që do të simbolizonte, para se gjithash, distancim nga logjika totalitare komuniste dhe që do t’i mbyllte rrugët një herë e përgjithmonë çfarëdo forme të totalitarizmit.

Ky distancim bëhet duke hequr dorë nga shpenzimet e marramendëse, karakteristikë e diktatorëve megaloman, dhe me ngritjen e një kompleksi memorial për viktimat e komunizmit.

Në këtë kompleks memorial, krahas viktimave të etnive tjera, një vend të veçantë duhet të zënë figurat emblematike të rezistencës antifashiste dhe antikomuniste si:

Nexhat Agolli – Ministër në Qeverinë e parë të Maqedonisë, i pushkatuar si nacionalist!;

Xhafer Kodra – Ministër në Qeverinë e parë të Maqedonisë, i dënuar me burgim si nacionalist, i cili pas vuajtjes së dënimit në burgun famëkeq Goli Otok vdes nga pasojat e torturave dhe formave të ndryshme të dhunës!;

Sali Lisi – deputet i parë i Parlamentit të Maqedonisë nga Gostivari, i  pushkatuar si nacionalist!

Mehmet Gegë Tetova, i cili për gjashtë dekada ka përjetuar të gjitha format e dhunës dhe presionit diktatorial të regjimeve të Shkupit!

Ky kompleks memorial duhet të shënojë mbylljen e epokave diktatoriale dhe hapjen e perspektivës së re demokratike.

Heqja e të gjitha formave të diskriminimit dhe realizimi i të drejtave legjitime të shqiptarëve do të ishte hapi praktik në rrugën drejtë vlerave dhe institucioneve euro-atlantike.

Bashkimit Demokratik Shqiptar

Bardhyl Mahmuti

18 shkurt, 2010