2- vjet me Kosovën shtet, por…

U bënë dy vjet që njihemi si shtet i pavarur, ndërsa rruga deri këtu ishte e gjatë, na u dashtë shumë sakrifica, ngase për ballë kishim një armik vrastar që ndaj nesh nuk zgjodhi metoda, por ndoqi taktikën  e tokës së djegur.

Janë dy vjet nga shpallja e Pavarësisë që shkuan shumë shpejtë, por problemet kanë mbetur aty ku kanë qenë. Atëbotë, u manifestua euforia e të bërit shtet, por  ajo ka filluar të zbehet, ngase shqetësimet që lidhen edhe rrugëtimin e Kosovës shtet, kanë filluar të dalin në plan të parë. Qytetarët e Kosovës të liruar tashmë  nga ajo që është  ngulitë, se së pari është pavarësi, kurse të tjerat vijnë lehtë, doli se ata kishin vetëm një dëshirë ose ndjenjë të mirë sepse ata po e kuptojnë se punët po shkojnë shumë  ngadalë dhe procesi nuk po ec, ashtu siç është pritur. Kjo lë të kuptohet, se në përgjithësi nuk jemi të përgatitur si duhet për t’u përballur me sfidën e re ose nuk e kemi analizuar mirë atë që është dashur, të përgatitemi për funksionimin e mirë të shtetit të ri.

Nuk ka shumë hapësirë për t’u lavdëruar, edhe pse Kosovën e kanë njohur 65 shtete të botës. Pushteti shtetëror ende nuk ka shtrirje në tërë hapësirën territoriale të Kosovës shtet. Mbi 30% e territorit, në pjesën veriore të Kosovës ende është jashtë kontrollit të institucioneve të Kosovës. Në këtë pjesë nuk ka kufij, veprojnë strukturat e një shteti tjetër – Serbisë, doganat nuk kontrollohen, ndërhyrjet dhe veprimet e Serbisë në Kosovë dhe strukturave të saj të organizuara veprojnë pa frikë se mund t’i ndëshkojë shteti i Kosovës, pastaj nuk ka të ndalur qarkullimi i paligjshëm i mallrave dhe trafiqet e shumta, të cilat buxhetit të Kosovës i kushtojnë  me  miliona  euro.

Në njërën anë, ekzistojnë fakte që flasin se, me qindra punëtorë të nacionalitetit serb marrin paga nga buxheti i shtetit të Kosovës(edhe nga buxheti i shtetit të Serbisë),  të cilin jo vetëm që nuk e njohin, por edhe punojnë orë e çast kundër tij, kurse në anën tjetër, varfëria e skajshme e qytetarëve shumicë, përfshirë edhe ata që kanë dhënë  gjymtyrët e trupit për këtë shtet, janë pa  ndonjë përkujdesje nga shteti i tyre.

Nëse bëjmë krahasim të të drejtave dhe privilegjeve që ka minoritetit serb në Kosovë  me diskriminimin që ua bëjnë, bie fjala shqiptarëve autoktonë që lëngojnë ende prej vargonjve si “shpërblim” nga qeveritë e vendeve fqinjë.

Neve na është bërë rutinë të dëgjojmë sidomos nëpër qarqe ndërkombëtare  ankesat  serbe, se gjoja në Kosovë serbët nuk e paskan lirinë e mjaftueshme, nuk paskan mbështetje, janë të rrezikuar, etj. Vërtet ky është cinizëm dhe ironi therëse, kur dihet se minoriteti serb është i privilegjuar, sikur të njerëzit e kësaj etnie të ishin idhuj dhe jo qenie njerëzore.

Në IRJM shqiptarët edhe pse përbëjnë  zyrtarisht mbi 26% të popullsisë (jo-zyrtarisht mësohet se përqindja është edhe më e madhe) ndërsa të drejtat e tyre, nuk plotësojnë as 10%-in sa ka minoriteti serb në Kosovë. Edhe më keq, në aspektin e të drejtave kombëtare qëndrojnë shqiptarët që jetojnë në trojet e veta nën  Serbi dhe Mal të  Zi. Sipas kësaj logjike, pashmangshëm lindin pyetjet: Mbi bazën e cilave  kritere apo cilave konventa ndërkombëtare po veprohet? Pastaj, nëse paska të tilla kritere dhe kështu qenka e rregulluar me konventa ndërkombëtare- A thua ato vlejnë vetëm për Kosovën dhe nuk vlejnë për fqinjët e saj, Serbinë, IRJM-në dhe Malin e Zi? Dihet se të tri këto shtete i kanë  nënshkruar ato, por askush nuk merret dhe nuk bën presion mbi këto shtete (përjashto Republikën e Kosovës, e cila është bërë një vend që sikur i duhet dikujt si storie e suksesit për pakica, duke dëmtuar interesat e shumicës së popullit të vet), bile-bile, për më shumë, ato favorizohen nga bashkësia ndërkombëtare, ua liberalizojnë vizat, iu krijohen kushte për zhvillim, për forcimin e pozitës së tyre në arenën ndërkombëtare, iu jepet mbështetje edhe për anëtarësim në mekanizmat ndërkombëtarë. Pra, rrugëtojnë pa u penguar prej bashkësisë ndërkombëtare, edhe pse sillen me agresivitet ndaj ne shqiptarëve, vendosin kushte dhe adresojnë presion edhe ndaj të huajve, jo rrallë edhe i sulmojnë misionet e tyre. Nuk lënë gjë pa bërë dhe trajtohen si shtete të përkëdhelura, ndërsa kur janë  në pyetje shqiptarët, duke iu referuar sjelljeve të buta, të moderuara, servile të tyre, ndryshojnë kriteret, ashpërsohen kushtet dhe kushtëzimet. Një mal vërejtje, një valë e vazhdueshme presioni, një gogol që iu rri si shpatë mbi kokë. Ende Kosova është një vend ku loja dhe eksperimentet ndaj saj vazhdojnë t’i bëhen pengesë për të pasur normalitet, zhvillim, të ardhme të qartë dhe të sigurt, mirëqenie shoqërore dhe ngritje  ekonomike, një vend të dashur që i bën  me dinjitet qytetarët tanë. Në rrafshin ndërkombëtar, diplomacia e Kosovës është mjaft e brishtë, kurse ajo e shtetit amë, ende nuk është ajo që i duhet kombit shqiptar të ndarë dhe me pozitë të mirë gjeopolitike, me mundësi të mëdha zhvillimi, përparimi, me resurse të shumta mbitokësore, nëntokësore dhe ujore, me vitalitet të madh, me energji të mëdha njerëzore, me të rinj të gatshëm për fronte pune, me kapacitete të mjaftueshme për të mbuluar veprimtari të ndryshme që i duhen një shteti të bashkuar kombëtar dhe të integruar në rrjedhat e ecjes si i barabartë me shtetet e tjerë të lirë.

Për të arritur këto objektiva reale, doemos kërkohet  rishqyrtim serioz i veprimeve politike i tërë spektrit politik dhe institucionalë shqiptar si e vetmja mundësi që të përballemi me një Serbi e cila gjithnjë mundohet të raportojë çdo gjë të keqe për Kosovën. Nuk mund të ketë sukses Kosova, nëse Serbisë vazhdon t’i mungon kundërpërgjigjja nga ana e institucioneve të Kosovës. Serbia do të mbetet e fortë për sa kohë që merr përgjigje shumë të zbehtë nga Kosova. Kosova kërkon hapësirë, populli i saj kërkon zgjerim, popullit shqiptar i duhet integrimi, nuk i duhen pengesat dhe kufijtë që e mbajnë të ndarë atë. Nuk ka interes më të madh se sa shteti i Kosovës të dalë jashtë kornizës së imponuar që e ka penguar Kosovën për dy vjet që të jetë një shtet funksional dhe i zhvilluar. Krahas këtyre problemeve dhe pengesave që i përjetoi Republika e Kosovës në këto dy vite, në funksion të kapërcimit të tyre dhe për të pasur një rrëfim të suksesshëm, kërkohet veprim i dendur që ka për qëllim: thellimin e integrimeve ndërshqiptare, veprime të përbashkëta politike dhe shtetërore të faktorit progresiv shqiptar, mbështetje dhe përpjekje për shqiptarët kudo që jetojnë në trojet veta. Kjo është rruga që na shpie në fitore të reja, na mundëson t’iu bëjmë ballë veprimeve të shumta destruktive dhe ofensivës politike, invazionit ekonomik të prodhimeve serbe, betejës  diplomatike dhe dëmeve praktike të Serbisë, malit të Zi dhe IRJM-së..

17.2.2010                                                   HYPERLINK “http://www.lib-ks.org” www.lib-ks.org