SHKRIMTARI REXHEP HOXHA E MERITON ÇMIMIN ”NDERI I KOMBIT”!
LETËR PËRSHËNDETËSE! Sikur të kishte një çmim nderi, për QËNDRESË, NDER DHE BURRËRI, PËR RREZATIMIN DHE GUXIMIN INTELEKTUAL SHQIPTAR, ky çmim do t´i takonte shkrimtarit të shquar të kombit – Rexhep Hoxhës!
Këto ditë, siç u bë e ditur, shkrimtari ynë i madh shqiptar, Rexhep Hoxha, ka refuzuar çmimin ”Azem Shkreli”, të ofruar nga ata që më së paku e meritojnë t´i ofrojnë dikujt çmime të artit dhe të kulturës; për faktin, se më së miri u shprehë për këtë – vetë vigani i madh i letrave shqipe, refuzuesi i atij çmimi, i cili nuk e lejoi veten të bie pre e lajkave dhe mashtrimeve të kësaj kohe të pakohë, kur po shkelet e po përmbyset, ose po interpretohet me skajshmëri së prapthi çdo gjë e bukur dhe me vlera të pathyeshme shqiptare.
Ky çmim do t´i takonte më shumë se shumë shkrimtarëve të njohur dhe të përkëdhelur nga oborrtarët e brendshëm dhe të jashtëm të ”mbretërive” të letrave të huaja dhe shqipe. Vëmë në dukje kështu, sepse vlerat e artit të secilit nuk maten vetëm me peshën e artistike dhe të paraqitjes apo ngjyrimeve të jashtme; por, parasëgjithash, maten edhe me vlerat njerëzore dhe kombëtare që krijuesit i kanë bartur dhe i bartin mbi supet e tyre.
Këtu, kujtojmë që në këtë vështrim hyjnë dhe vlerat e qëndresës, nderit, karaktereve njerëzore dhe kombëtare; për aq sa janë të qëndrueshme apo të paqëndrueshme ato, përballë peshës së madhe të rrethanave e të sprovave të mëdha të kohës që jetuan ose jetojnë. Jemi të vetëdijshëm se këta margaritarë do t´ia shtonin më tej respektin ose mërinë secilit njeri, e në veçanti, artistëve të të gjitha kombeve e vendeve.
Tani, e bëjmë pyetjen për të gjithë ata që e njohin burrin e madh të letrave shqipe, të Gjakovës Kreshnike: a nuk i takon ky privilegj që për aq shumë vite e mbrojti me vendosmëri, Rexhep Hoxha i besës shqiptare?! Ay, që i qëndroi besnik për vite të tëra personazhit të tij, tek ”Lugjet e verdha”, që për të mbajtur besën shqiptare, ujkut ia fali edhe djalin e vetëm!
Vetëm Rexhep Hoxha deri tash, sidomos prej viteve ‘90-ta, e këtej me këtë refuzim, me atëfarë ”çmimi”, u tregua i vetmi burrë me vlera klasike dhe të çdokohëshme – i vetmi, ama!
Nuk ka kush sikurse Rexhep Hoxha, që i ka deklasuar përtokë më meritueshëm e më denjësisht, sidomos ”intelektualët” shqipfolës mbarëshqiptarë dhe sidomos, që prej viteve ‘90-ta, e këtej, me gjestin e tij në fjalë?!
Ay, u tregua një vigan intelektual, njerëzor dhe shqiptar.
Rexhep Hoxha, me këtë veprim të guximshëm, me ç´rast i shkelmoi ca dhjetëra, qindra apo mijëra euro; që do t´ia ofronin sahanlëpirësit e regjimeve kundërpopullore. Por Ay, me siguri është i vetëdijshëm se sakrifikimi dhe solidarizimi me masat e gjëra të varfra popullore, ia ka ngritur vlerat shumë të larta që i ka, në kalanë e nderit të shqiptarisë. Rexhep Hoxha, ishte dhe është i madh, vigan me shtat me burrëri dhe me letërsi dhe gëzon besimin të plotë tek mbarë lexuesit shqiptarë!
Janë të pakurrizorë dhe aspak burrërorë, ata që pranojnë ”çmime” me vlera të dyshimta titiste, të ish-pasuesve të xhelatit të shqiptarëve, Titos, siç qe rasti i ndarjes së ”çmimit” Fahredin Gunga, me ç´rast shkrimtari ”i famshëm” për nder dhe burrëri I. Kadare e mori pa ngurrim, për më tepër me atë rast pati deklaruar, se ”Fahredin Gungën e kisha mik”!!!
Përpjekjet e errëta për t´i rehabilituar penat e zeza që i shkruan me aq vullnet dhe dashuri dhe respekt Titos dhe regjimit të tij kriminal, si: Ali Podrimaja, Agim Deva, Fahredin Gunga, Maksut Shehu, Rifat Kukaj, Sinan Hasanin e të tjerë, që e “bartnin Titon në qepallat e syve”, ose deklaronin se, ”është e kaluara e sotmja dhe e ardhmja jonë” – kujtojmë këtu, Ibrahim Rugovën, ata, që përsëkeqi, atëbotë u kishte marrë koka erë; janë përpjekje që pretendojnë ta mbulojnë të kaluarën e hidhur të larë me gjak e lot shqiponjash.
Për më keq, nëse themi se i kishim, o i kemi miq, me këtë rast pa dorashka po e vërtetojmë se ishim dhe jemi në rrugën e tyre të turpit, të tradhtisë dhe të krimeve?!
Të pranosh nderimin prej një shtëpie kulture me emër të një ish-profashisti, si Rexhep Mitrovica dhe njëkohësisht të deklarosh se ish-titistin me damkë, Fahredin Gungën, e kisha mik, është vërtetë një shkarje dhe përplasje skandaloze-shkretane e shkrimtarit Ismail Kadare, me vlerat e mirëfillta njerëzore dhe kombëtare. Me këtë rast kujtojmë fjalën e urtë popullore që: ”secili varet në gozhdën e vet”!
Nuk varen në gozhda të mashtrimeve as të dhunës as e shesin ”lëkurën e tyre”, vetëm burra e gra të nderit e të besës shqiptare, natyrisht, kësaj armate që marshoi e do të marshojë në shekuj, ndër brezni i takon edhe Rexhep Hoxha!
Prandaj, me përgjegjësi të pathyeshme morale ne të nënshkruarit deklarojmë se, veprimi i tij na ka dhënë guxim dhe forca të reja për të punuar më tej në rrugën e ndritur të nderit e të qëndresës deri në bërjen e Shqipërisë Etnike – Shqipëri të përparuar dhe të lulëzuar nga shkenca, arti dhe kultura e denjë që u takon vetëm popujve që e duan lirinë; dhe jo asaj pjese së prishur, që në shpirt kanë vetëm ”kafshatën e madhe” të huajën e çoroditur, me elemente të dyshimta nderi kombëtar dhe njerëzor.
Po e përfundojmë këtë letër përkrahjeje me urimet dhe përshëndetjet tona shqiptare. Të urojmë shëndet, qëndresë dhe moral të fortë shqiptar, ashtu siç i pate dhe i ke deri në ditët tona, o i madhi profesor, o vigani i pathyeshëm përballë sfidave titiste!
Të nënshkruarit:
Fadil Shyti,
Faik Smajli
Zeqir Duraku,
Sejdi Veseli,
Xhemil Zeqiri,
Demir Reshiti
Adnan Abrashi
Beqir Elshani,
Tafil Duraku,
Ramadan Pllana,
Azem Musliu,
Nisret Ahmeti,
Sulejman Qyqalla,
Halil Dërguti.
Evropë- Kanada, 13.02.2010
SYLEJMAN QYQALLA
(Kushtuar mësuesit tim, shkrimtarit dhe atdhetarit, Rexhep Hoxha)
SHPATË E ZHVESHUR
Më ka marrë malli për Kosovën
Të dëgjoj fjalë prej burri;
Këmbëkryq me Rexhep Hoxhën,
I natyrshëm, si kalli gruri.
Ujkut kurrë s’ia hape derën,
Kur u turr ai , kah Nënëlokja,
Shpatë e zhveshur, për t’ vërtetën
Ndaj atyre, që s’ i do Toka.
Vargje s’ nxore kafeneve,
Duke thyer gota t´rakisë,
Por, për halle t’ shqiptarizmit,
Në mes gjakut të lirisë.
Shkëmb graniti, zemër kristali,
Lumë si kombi, që të ka ty!
Të paçim përjetë, Rexhep Shqiptari,
Dorë e ngrohtë, për Shqipëri!
Gjermani, shkurt 2010