Agolli-Dritero82-vjetori i lindjes e gjen shkrimtarin e madh Dritëro Agolli të nderuar me çmimin e letërsisë “Carlo Levi” në Itali, me të cilin ai u vlerësua vetëm pak ditë më parë në shtetin fqinj.
Mes miqsh që nuk mungojnë kurrë në shtëpinë e tij, telefonin që nuk resht së rëni, bisedave plot humor të tij, në ditën e lindjes edhe simboli i kombit shqiptar, shqiponja që pak ditë më parë zbriti në stadiumin “Qemal Stafa”, si një përshëndetje e veçantë për figurën simbol të letrave shqipe dhe personalitetin Dritëro Agolli.

“E kam të vështirë të flas për veten pasi marr çmime ose pasi botoj libër, por kësaj here do të bëj një përjashtim. Jam në një moshë të “superthyer” dhe ky çmim më ka ngritur shumë humorin. Kam marrë edhe çmime të tjera, por ky çmim i marrë në pleqëri më kujton që ende jetoj”, thotë shkrimtari i shquar.

Por, Dritëro Agolli është po aq i spikatur edhe në opinionet e herëpas’hershme për zhvillimet sociale dhe politike në vend e për këtë ka gjithmonë ç’të thotë si një ndjekës i rregullt i tyre. Dritëro Agolli është konkret edhe për përplasjen e parë mes mazhorancës së re dhe opozitës, ligjin e nëpunësit civil: “Gjithmonë kështu ka qenë, administrata është ndryshuar me ndryshimin e qeverisë. Nëse heqim dorë nga ky “zakon”, kemi bërë një përparim të madh. Njerëzit duhet të jenë specialistë të zotë dhe nuk duhen parë nga bindjet politike.”

Duket se e ka nisur mbarë qeveria e re punën, thotë shkrimtari, i cili sheh si emancipim emërimin e një ekzekutivi të ri në moshë. Megjithëse pohon se për kryeministrin Rama ka patur edhe kritika kur ai ishte kryetar i opozitës dhe si kryetar i PS-së, patriarku i kësaj partie beson tek Edi Rama si njeriu i ndryshimit të dukshëm të Shqipërisë: “Mendoj se si kryetar qeverie mund të bëjë hapa përpara. Edhe Tirana që dikur e ka drejtuar ishte si qeveri e vogël dhe në atë kohë bëri punë shumë të mira duke ia ndryshuar faqen kryeqytetit.