MË MIRË SOT TË GJITHË NË PROTESTË, SESA NESËR NOMADË PA PLANG DHE PA ADRESË!
BAROMETRI DIPLOMATIK
Prof.Dr.Mehdi HYSENI
*** Jo vetëm në Shkup, në Tetovë, por edhe në Dibër, në Strugë, në Gastivar e Kumanovë, të gjithë në këmbë për liri, pavarësi, drejtësi, barazi, demokraci, paqe dhe vetëvendosje, ashtu siç i kanë edhe sllavomaqedonët me ligj dhe kushtetutë, as më pak e as më shumë!
*** “Më se 170.000 mijë shqiptarëve” , të emigruar në vende të ndryshme të botës (në diasporë), Maqedonia multietnike dhe “demokratike” nuk ua njeh të drejtën e nënshtetësisë, një akt i këtillë, antihuman, anticivlizues, antiligjor dhe anticivilizues evropian është në kundërshtim flagrant me të gjitha rregullat dhe me normat e së drejtës ndërkombëtare, sepse de facto dhe de jure shqiptarëve autoktonë të Maqedonisë ua mohon të drejtën e riatdhesimit si shtetas legjitimë të Maqedonisë(!)
Maqedonia, të heqë dorë nga politika aparteide dhe koloniale ndaj shqiptarëve!
Një nga format institucionale dhe civilizuese të përmbajtjes dhe të zbatimit të demokracisë, është edhe organizimi i protestave paqësore në një shtet me rend politiko-shoqëror demokratik. Mirëpo, në rastin konkret të Maqedonisë, ende nuk mund të thuhet se kjo është shtet demokratik, edhe pse ekzistojnë shumë parti në kuadrin e sistemit të saj ekzistues politiko-shoqëror. Kjo nuk nënkupton se esenca e demokracisë mund të peshohet me numrin e madh të partive. Përkundrazi, historia e praktikës së deritadshme ka provuar se, sa më shumë parti të ketë në skenën politike (kudo qoftë në botë) ka më pak liri, më pak demokraci, më pak mëvetësi qoftë politike, qoftë ekonomike etj.
Argument tjetër i përmbajtjes jodemokratike të shtetit të Maqedonisë, është edhe politika, ligjet dhe Kushtetuta e saj diskriminuese dhe e aparteidt ndaj shqiptarëve (1990-2009), të cilat shqiptarëve nuk ua njohin të drejtën e vetëvendosjes, ashtu sikurse “kombit maqedon”, por vetëm si minortet shqiptar.
Krahas mohimit të së drejtës historike, edhe mohimi i së drejtës së vetëvendosjes janë ndër shkaqet kryesore pse shqiptarët përmes organizimit dhe mbajtjes së protestave paqësore, duhet të jenë të vendosur në realizimin e kërkesës së tyre për ndryshimin e sistemit kushtetues dhe politik në Maqedoni, duke mos pranuar që edhe më tej të jenë hyzmeqarë dhe vasalë të shtetit sallbomaqedon dhe të kuislingëve filosllavë.
Jo vetëm qarqet politike drejtuese të Maqedonisë (qeveria, parlamenti dhe presidenti), por të gjithë maqedonët në Maqedoni, duhet të jenë të lumtur, që shqiptarët po kërkojnë vetëm minimumin e minimumit të së drejtave të tyre, të jenë të barabartë me popullin maqedon si para të të gjitha ligjeve, ashtu edhe para kushtetutës së re, që do të hartohej me rastin e arritjes së marrëveshjes midis palës shqiptare dhe asaj maqedone., e cila, pa dyshim, do të passillte demokratizimin e Maqedonisë.
Ipso facto, ky do të ishte shansi historik i maqedonëve për t’u pajtuar me shqiptarët është ndryshimi i Kushtetutës ekzistuese, e cila i ka përjashtuar shqiptarët si komb shtetformues të Republikës së Maqedonisë. Ndryshe, Maqedonia do të numërojë ditët e shpërbërjes së saj midis Shqipërisë dhe Bullgarisë. Këtë maqedonët, duhet ta mbajnë parasysh, sepse do të jenë vetë fajtorë dhe vetë përgjegjës kryesorë nëse vihet deri te ndarja e Maqedonisë midis shqiptarëve dhe bullgarëve. Ndaj elita politike shtetërore maqedone me në krye Gjorgje Ivanov (president i Republikës së Maqedonisë), sa më parë të jetë e mundur, duhet ta kenë marrë në konsideratë kërkesën e palës shqiptare për ndryshimin e Kushtetutës së Maqedonisë, ndryshim ky, i cili nënkupton federalizimin e Republikës së Maqedonisë midis dy kombeve të barabarta shqiptare – maqedone. Ky do të ishte grushti më fortë, si dhe përgjigjja më adekuate ndaj pretendimeve territoriale të Greqisë, e cila me të gjitha mjetet dhe format po synon copëtiimin dhe përthithjen e Maqedonisë, ashtu sikurse Maqedoninë e Egjeut
Politikanët udhëheqës mashtrues dhe të vetëmashtruar shqiptarë, duhet t’i mbështesin fuqishëm dhe pa asnjë rezervë protestat shqiptare në Maqedoni, ndryshe në të ardhmen, do të ngelin edhe pa vota, edhe pa fotele në qeverinë dhe “sobrania-n” maqedone!
Ky është shansi i fundit historiko-politik, demokratik dhe paqësor, që të ridefinohet statusi politik, juridik dhe kushtetues i shqiptarëve në Maqedoni. Nesër, do bëhet vonë, nëse Athina dhe Shkupi do të dakordohen për ndryshimin e emrit të tanishëm të Maqedonisë në emërtimin e ri “Maqedonia Veriore”, me ndërmjetësimin e vullnetit të mirë të KS të Kombeve të Bashkuara të Ban Ki Moon-it. –Sepse Maqedonia Veriore, Veriperëndimore dhe Perëndimore nuk është greke e as maqedone, por është shqiptare, që historikisht dhe gjeografikisht i përket Shqipërisë Etnike. Si rrjedhim, grekët dhe maqedonët e as Kombetet e Bashkuara të Ban Ki Moon-it, nuk kanë kurrfarë të drejtash ligjore, që pa pjesëmarrjen dhe pa pëlqimin e shqiptarëve, të vendosin për ndryshimin e emrit të Maqedonisë në një emërtim tjetër gjeopolitik dhe historik, ashtu si u konvenon aspisratave hegjemoniste dhe kolonialiste të Greqisë (të cilës pak i duket kolonizimi i Maqeodnisë së Egjeut, por tash po do edhe kolonizimin e Maqedonisë Veriperëndimore-Iliridën e shqiptarëve dhe të Shqipërisë Etnike)..
Mirëpo, këtë “pazarllëk pa hanxhiun”, duhet t’ua prishim invaduesve kolonialistë dhe imperialistë shekullorë të shqiptarëve dhe të territoreve indigjene të Shqipërisë Etnike. Më mirë sot, bashkarisht, të hidhemi në veprim konkret për jetësimin e të drejtave tona historike, kombëtare dhe shtetërore, sepse nesër, gjithmonë, do jetë vonë!
Protestat e 16 korrikut 2009, që do të mbahen në sheshin kryesor të qytetit të Tetovës, janë vazhdim i Protestave kombëtare demokratike paqësore të 23 qershorit 2009, të bëra në Shkup, ku morën pjesë “mbi 3000 mijë shqiptarë me flamuj kombëtarë, amerikanë, të NATO-s dhe të BE-së”(www.albaniapress.com, 14.07.2009), duke kërkuar nga qarqet politike zyrtare të Maqedonisë dhe nga faktorët relevantë të bashkësisë ndërkimbëtare, “që krahas debatit për ndryshimin e emrit, të hapet debat edhe për ndryshimet kushtetuese, përkatësisht në vend të shtetit unitar, Maqedonia të definohet si shtet federal, i shqiptarëve dhe maqedonasve.” (www.albaniapress.com, po aty).
Organizimi dhe mbajtja e këtyre protestave në frymën demokratike dhe paqësore, është argumenti më i fuqishëm dhe më raconal që, para tërë botës së lirë dhe demorkatike, provon se shqiptarët janë përcaktuar që, problemet e tyre ekzistuese me fqinjtë kolonialistë sllavomaqedonë-grekë , t’i zgjidhin në mënyrë paqësore dhe me dialogim, ashtu siç parashikojnë edhe normat e rregullat e së drejtës ndërkombëtare, si dhe standardet e tjera politike, juridike dhe demokratike të Evropës së bashkuar.
S’ka dilemë se, është e drejtë, e ligjshme dhe, plotësisht e arsyeshme kërkesa e ideuar dhe e shtruar e organizatorit të këtyre protestave, që patjetër, “Maqedonia të definohet si shtet federal i shqiptarëve dhe i maqedonasve.”(www..albaniapress.com, po aty). Prandaj, si për palën sllavomaqedone, ashtu edhe për faktorët e involvuar evro-ndërkombëtarë, kërkesa për FEDERALIZIMIN e Maqedonisë, duhet të jetë e mirëseardhur dhe e pranueshme për të dyja palët, sepse kësisoj, në mënyrë paqësore dhe, krejtsisht të ligjshme dhe demokratike, do të krijohej një shtet i fortë dykombësh në Ballkan, formimi i të cilit, do të mbyllte çdo ambicie, çdo përpjekje dhe çdo program nacional-shovinist dhe ekstremist sllavo-bizantin për copëtimin e Maqedonisë.
Derisa kolonizatorët dhe imperialistët grekë, pohojnë se Qamëria, Epiri dhe Maqedonia “janë pronë trashëgimore e tyre”, kur faktografia historike ka provuar të kundërtën, pse ne të heshtim para së vërtetës sonë natyrore dhe historike mbi territoret tona pellazgo-ilire-shqiptare, të shtrira në Gadishullin Ballkanik? – Pse të lejojmë, që grekët dhe maqedonët (me prejardhje bullgare), të vendosin për fatin tonë, në shtëpinë tonë, në tokën tonë styrgjyshore mijëravjeçare? Deri kur kjo Evropë, do ta kuptojë të vërtetën historike dhe natyrore të shqiptarëve mbi territoret e tyre abrogjene etnike? – Përgjigjja : – Derisa të gjithë shqiptarët, të bashkohen në një PROTESTË TË PËRBASHKËT GJITHËKOMBËTARE SHQIPTARE për t’i kërkuar të drejtat e tyre historike dhe legjitime, realiizimi i së cilave është e vetmja garanci për zgjidhjen e çështjes koloniale shqiptare në Ballkan.
Ata politikanë udhëheqës shqiptarë, që nuk i mbështesin dhe, që nuk iu bashkohen protestave për ndryshimin e statusit politiko-juridik dhe kushtetues të shqiptarëve në Maqedoni, ata nuk duan liri, pavarësi, barazi e drejtësi për popullin dhe për shtëpinë e përbashkët shqiptare, por duan miqësi të përjetshme me sunduesit robërues të tij. Ose më thjesht, ata që janë pajtuar me status quo-n e shqiptarëve si “pakicë kombëtare” nën sundimin kolonial sllavomaqedon, kuptohet dhe, është tejet qartë se ata kanë marrë anën e kundërt antishiptare për interesa të tyre të ngushta dhe të shkreta kuislinge në shlrbim të qeverisë dhe të “Sobrania-s” sllavomaqedone!
Mirëpo, harrojnë ata hyzmeqarë të politikës ditore sllavomaqedone se me vota të shqiptarëve kanë arritur atje në “retë e larta” të sundimit të egër kolonial sllavomaqedon. Gjithashtu, harrojnë ata të mjerë, se dikur në të njëjtat poste dhe karrige të qeverisë dhe “Sobrania-s” ishin paraardhësit e tyre azem zylfiqarët…, etj., por, tanimë kanë shkuar së bashku me Kërste Cërvenkovskin, Bllagoje Popovin, Llazar Kolishevskin, Milan Pançevskin, Kiro Gligorovin, Llazar Mojsovin…etj. Prandaj, së shpejti, do të shkojnë nga skena politike udhëheqëse edhe pasardhësit e tyre (Ivanov, Gruevski, Miloshoski, aliti, xhaviti, amiti etj.). Kjo është dialektika e natyrës, pjesë së e së cilës është edhe politika, e cila nuk është, dhe nuk duhet kuptuar si kategori statike dhe absolute, sepse është pjesë e ndryshueshme dhe relative, ashtu sikurse pjesët e tjera të përmbajtjes së saj si në kuptimin e përgjithshëm, ashtu edhe në atë veçantë.
Më mirë me gjithë popullin shqiptar në protest paqësore dhe demokratike për liri dhe vetëvendosje sesa nëpër kolltuqe të organeve dhe të instituiocneve shtypëse dhe tiranike të armikut!
Së pari, duhet ta duash vetëvetën, pastaj të tjerët. Në të kundërtën, e mohon vetëvetën dhe i gënjen të tjerët.
Prandaj, të gjithë në protestë, nuk kemi ku të vemë përtej historisë dhe shtëpisë sonë stërgjyshore shqiptare!