limajTrupi gjykues i përbërë nga dy gjyqtarë të EULEX-it dhe një gjyqtare vendore shpalli të pafajshëm ish-komandantin e UÇK-së Fatmir Limaj, dhe nëntë të akuzuarit tjerë në rastin “Kleçka”.Këtë pasdite në Gjykatën Themelore të Prishtinës, një trup gjykues i përbërë nga dy gjyqtarë të EULEX-it dhe një gjyqtar kosovar, i kryesuar nga njëri gjyqtar i EULEX-it i liroi të pandehurit Arben Krasniqi, Naser Krasniqi, Naser Shala, Nexhmi Krasniqi, Fatmir Limaj, Behlul Limaj, Shaban Shala, Sabit Shala, Besim Shurdhaj dhe Refki Mazreku nga akuzat për Krimeve të Luftës dhe veprat tjera të ndërlidhura në të ashtuquajturin rasti “Kleçka”.

Po ashtu, trupi gjykues e ndërpreu masën e paraqitjes në stacionin e policisë për të gjithë të pandehurit dhe urdhëroi që atyre t’u kthehen pasaportat e tyre.

Trupi gjykues konsideroi se lënda e Prokurorisë mbështetej kryesisht në dëshminë e dëshmitarit të mbrojtur, Agim Zogaj, tani i ndjerë.

Megjithatë, trupi gjykues vendosi që dëshmia e tij lidhur me disa çështje të rëndësishme në fjalë, veçanërisht identiteti i personave për të cilët ai pohon se i kanë kryer veprat që u ngarkohen, nuk është vërtetuar me dëshmi të besueshme dhe të pavarura dhe ishte, në fakt, në mospërputhje dhe e kundërshtuar nga dëshmitë tjera.

Në përgjithësi, Trupi gjykues vlerësoi se, në aspektet e rëndësishme materiale, dëshmia e Agim Zogaj ishte tërësisht e pabesueshme dhe se do të ishte e pasigurt që të bazoheshin në të për t’i dënuar të pandehurit për veprat nga aktakuza.

Aktgjykimi me arsyetimin e plotë do të dorëzohet brenda tridhjetë ditëve.

Po ashtu, trupi gjykues i vlerëson si të vërteta faktet se:

(1) në vitin 1999, UÇK-ja e kishte një qendër ndalimi në fshatin Kleçkë.

(2) Disa të ndaluar ishin keqtrajtuar gjatë mbajtjes së tyre në Kleçkë.

(3) Dragoljub Tanaskoviq, Zharko Filipoviq, Zhivota Todoroviq, Dragan Vuçetiq dhe Bojan Cvetkoviq ishin vrarë në mënyrë të kundërligjshme dhe trupat e tyre qenë varrosur në lokacionin KER01 në fshatin Kleçkë.

(4) Veljko Markoviq dhe Nebojsha Gjuriçiq ishin vrarë në mënyrë të kundërligjshme dhe trupat e tyre qenë varrosur në lokacionin KEQ01 në fshatin Kleçkë.

(5) Arben Avdyli, për të cilin Agim Zogaj kishte deklaruar se ishte vrarë gjithashtu në Kleçkë, zyrtarisht llogaritet si i zhdukur.

Rastin e ka ndjekur penalisht një prokuror i EULEX-it nga Prokuroria Speciale e EULEX-it.Të gjitha palët kanë të drejtë ankese.

Limaj me shok u desh të përballen edhe një herë me drejtësinë nga nëntori i vitit të kaluar pasi Gjykata Supreme e miratoi pjesërisht ankesën e prokurorit special të EULEX-it, dhe e anuloi vendimin e gjykatës së shkallës së parë e cila më herët shfajësoi Limajn dhe të tjerët nga akuza për krime lufte.

Ne mbrojtja e tij, deklaroi avokati Tom Gashi, e konsiderojmë fitore të Limajt dhe fitore të drejtësisë dhe të sundimit të ligjit. Në këtë rast u vërtetua se kur nuk ka implikime nga jashtë drejtësia triumfon, shtoi Gashi.

Prokuroria Speciale e Kosovës, kishte ngritur aktakuzë kundër Limajt dhe nëntë ish-bashkëluftëtarëve të tij, për vepra të cilat thuhej të jenë kryer nga fillimi i vitit 1999 deri në mesin e qershorit 1999, kundër civilëve serbë dhe shqiptarë, si dhe kundër pjesëtarëve të burgosur të ushtrisë serbe dhe policëve serbë të mbajtur në një qendër të improvizuar paraburgimi nga UÇK-ja.