mero-baze (1)Për Sali Berishën u bë një lëshim cinik. Kryetari i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruci, ka dhënë konsensusin e tij që Berisha të mos kufizohej në kohë në fjalimin e tij. E ka bërë këtë i sigurt se do ta kishte Berishën në anën e tij. Dhe cinizmi ka funksionuar.

Kushdo që shihte një burrë të kërrusur, pa asnjë bosht logjik në fjalën e vet, me shenja të qarta të “demencës senile”, ku harronte fjalinë e mëparshme dhe përpiqej të kujtohej pse ishte aty, me një përrua psikik që përmbyti gjithë imazhin e opozitës normale, bindej se “konsensusi” i socialistëve për të lënë Berishën në orar të pakufizuar për të folur, ishte një vendim cinik, që në të vërtetë keqpërdor një të sëmurë kundër opozitës.

Shumë pak shqiptarë e dinë sot se çfarë përmban realisht programi i qeverisë së re. E dëgjojnë atë nga deputetët socialistë dhe nga disa ministra. Ka miliona shqiptarë që as duan të lodhen ta dëgjojnë me hollësi, por presin të bëjnë diçka për ta. Por është e sigurt se janë miliona shqiptarë brenda dhe jashtë këtij vendi, që mes një programi që ende nuk e njohin, dhe mes një njeriu që e njohin mirë dhe që u shfaq para tyre tërësisht i sëmurë, zgjedhin me dëshirë programin ende të panjohur për ta.

Sali Berisha është duke i bërë një dëm real opozitës së re, nga fakti se shumica e re kërkon doemos ta mbajë atë të lidhur me fatin e opozitës së re. Ai po përkëdhelet si lideri i saj prej qeverisë, duke i dhënë kohë të pakufizuar për të folur. Ai ka hyrë tashmë në spiralen e cinizmit të qeverisë së re, e cila e shikon atë si një avokat pa pagesë për publikun. Seanca e sotme ishte një finalizim  frustrues dhe poshtërues për të. Ai u keqpërdor për t’u treguar shqiptarëve jo se çfarë do bëhet, por se ku e ka katandisur jo vetëm Shqipërinë, por dhe veten ish- kryeministri i saj.

Unë e kuptoj se lufta politike, sidomos në Shqipëri, nuk ka rregulla ndershmërie. E kuptoj se dikush e tepron duke sulmuar dhe fyer më shumë se duhet apo duke bërë paqe e kompromise më ndyrë se ç’duhet. Por keqpërdorimi i një të sëmuri për të errësuar imazhin e opozitës, është realisht një pandershmëri.

Unë nuk hyj tek ata që besojnë se nga kjo opozitë duhet shmangur Berisha, se pastaj është “Luli, Mesila, Sokoli, Edi apo Majlinda”. Por cinizmi për të lejuar një plak të rrjedhur të flasë broçkulla 45 minuta, duke turpëruar opozitën, duhet të mos përsëritet. Kjo është rruga më e lehtë për të qeverisur. Kjo është dhe një ikje nga përgjegjësia që qeveria e re duhet të ketë para qytetarëve. Duke stimuluar si opozitar konsensual Sali Berishën, qeveria e sotme është duke zgjedhur rrugën më të lehtë për të asgjësuar mendimin opozitar dhe për ta karikaturuar  atë në portretin e Berishës. Ky stil diskreditues, edhe pse shumë i hollë, është një ikje nga ballafaqimi normal.

Për të gjithë ata që mbrojtën zgjedhjen e Lulëzim Bashës kryetar si fytyrë të re, ka ardhur momenti të kërkojnë ndjesë që i hapën rrugën përfaqësimit real të opozitës nga Berisha. Për të gjithë ata që pranuan, duke gënjyer veten, se në PD pati një garë, ka ardhur koha të kërkojnë ndjesë që u tallën me veten. Por dhe për të gjithë ata që shpresojnë se pafuqia e Bashës dhe të tjerëve për ta mbyllur në kafaz këtë plak të rrjedhur, duhet shfrytëzuar për ta diskretituar opozitën, janë duke bërë një padrejtësi reale ndaj saj. Problemet që kanë opozitarët me lidershipin e Bashës janë të ndryshme nga problemi që ka gjithë opozita nga përfaqësimi i saj prej Berishës. Nëse rivaliteti me Bashën brenda opozitës mund të prodhojë progres, konsensusi për t’u përfaqësuar pa limit nga Berisha është një regres i sigurt.

Unë nuk pres që Edi Paloka t’i vendosë Berishës kufirin tek thana, duke mos e lejuar të flasë vend e pa vend dhe kohë e pa kohë në Kuvend. Nuk pres që Lulëzim Basha po ashtu të bëhet kryetar i PD-së dhe të caktojë kush do flasë e kush jo. Nuk pres që Eduard Halimi të mos gëzohet duke i lëshuar goja lëng kur flet Berisha. Por pres më shumë përgjegjësi nga qeveri e re, që të ballafaqohet me opozitën reale dhe jo të stimulojë më shumë se PD-ja si kryeopozitar, një kryehumbës të urryer nga shqiptarët. Kjo është një padrejtësi reale ndaj opozitës, nga ato që “specialistët” e rinj që kanë ardhur në pushtet, i bëjnë me duart e lidhura të vetë opozitarëve.