Norvegjia ka problem 560 miliardë euro, me të cilat nuk di çfarë të bëjë
Fjorde blu, peizazhe të bukura, shumë para: shkaqe për t’u ankuar në Norvegji gjen pak, edhe pak para zgjedhjev eparlamentare. Por çfarë i nevojitet vendit, që me sa duket i ka të gjitha? Nëse në pjesën tjetër të Evropës shtetarët vuajnë të gjejnë para për të rregulluar balancat e shtetit, norvegjezët debatojnë për mënyrën se si duhet të përdorin suficitin. 560 miliardë euro nga i ashtuquajturi fondi i naftës që deri tani janë përdorur për të blerë rrugë të tëra në Londër apo qendra tregtare në SHBA. Norvegjezët kanë shumë pak për çfarë mund të ankohen. Ata vuajnë si shumë vende nga emigrantët ilegalë që lypin në rrugë, por numri i tyre është mjaft i vogël krahasuar me vende si Italia, Gjermani apo edhe Britania e Madhe. Madje Norvegjia ka nevojë për më shumë emigrantë, pasi vendasit preferojnë të punojnë pak.
Në sipërfaqe, Norvegjia është vendi që ka zili gjithë bota: rritja ekonomike është e fortë, Prodhimi i Brendshëm Bruto për frymë është mbi 100 mijë dollarë dhe ky komb ka mbi 700 miliardë dollarë rezervë valutore, ose 140 mijë dollarë për çdo burrë, grua apo fëmijë.
Por kjo mund të jetë një pasuri e tepërt për shkak se norvegjezët, më të prirur për kënaqësi dhe jetë familjare, po punojnë gjithnjë e më pak. Emigrimi nuk po plotëson hendekun te pjesa e specializuar e forcës së punës. “Nafta është metaforë për fitoren e lotarisë”, thotë Ivar Froeness, një profesor sociologjie në Universitetin e Oslos. “Mirëqenia ka rënë ngadalë mbi shoqërinë… njerëzit thjesht nuk arrijnë ta vënë re për shkak se është kaq graduale. Në këto ditë, më shumë njerëz largohen nga Oslo të enjten pasdreke se sa të premten, duke marrë fundjava të gjata”, tha ai. “Ne e marrim të mirëqenë se mund të kemi një shtëpi apo një kasolle në mal apo ndoshta edhe një shtëpi tjetër në plazh”. Kostoja e pagave është rritur me 63 për qind që nga viti 2000, rreth gjashtë herë më shumë se sa në Gjermani apo Suedi, ndërsa norma e punësimit është 61 për qind, më poshtë se kudo tjetër në vendet nordike dhe madje më poshtë sesa në Greqi, thotë Banka Qendrore. Megjithatë, papunësia është e padukshme, në nivelin 3 për qind, për shkak se shumë njerëz parapëlqejnë punën me kohë të pjesshme. “E pse duhet të punoj më shumë kur nuk kam nevojë?”, thotë Elise Bakke, 36 vjeçe, e cila së fundmi e shkurtoi ditën e saj të punës te një kompani telekomi në vetëm 6 orë. “Ndoshta është fat, ndoshta ne e kemi fituar atë, kjo nuk ka rëndësi. Ne kemi para për të jetuar një jetë nordike: shkoj te kasollja në mal, bëj ski, biçikletë dhe kaloj kohë me fëmijët”…
Që nga oborri, përmes pemëve mund të shohësh deri poshtë në fjordin e Trondheimit. Është një pasdite e vonë vere në qytetin e vogël norvegjez Stjördal, rreth 30 km në lindje të Trondheimit. Ngadalë, në shtëpitë e veçuara për një familje në lagjen e re Geving ndizen dritat. Rune Vist mbështetet në kangjellat e ballkonit, pi një gllënjkë birrë dhe hedh vështrimin në fjord.
“Të jetosh këtu është më mirë për familjen”, thotë ai. “Një vend më i bukur për fëmijët. Veç kësaj këtu vendi është më i qetë dhe cilësia e jetesës më e lartë”. 41 vjeçari financier punon në një bankë të madhe në Trondheim. Pasi kanë jetuar 10 vjet në Oslo, Vist dhe e shoqja sapo janë futur në shtëpinë e tyre të re. Një shtëpi e gatshme nga katalogu: me shumë dritë, moderne, sipërfaqe të mëdha xhami, brenda e prerë me bollëk dhe me tavane të larta. 250 metra katrorë e ndarë në tri kate. Shumë vend, por që ka çmimin e vet.
“Ne kemi paguar gjashtë milionë krona për shtëpinë tonë”, tregon ajo. Këto janë rreth 750.000 euro. Çmimet e pasurive të patundshme në një qytet të vogël të Norvegjisë mund të krahasohen pa problem me çmimet e qyteteve të mëdha gjermane. Megjithatë, kudo në Stjördal ndërtohet. “Emigrimi i fuqisë punëtore në Norvegji është shumë i lartë”, thotë Rune Vist. “Ka shumë pak shtëpi. Prandaj aktualisht ia vlen të blesh shtëpi, për t’i dhënë ato me qira”.
Por shumica e norvegjezëve preferojnë të investojnë para për të blerë shtëpi për vete. Edhe familje të reja marrin me shumë lehtësi kredi në Norvegji -vetëm pak kapital vetjak duhet të ekzistojë dhe një kontratë pune. Punë në Norvegji kanë thuajse të gjithë. Kuota e papunësisë në të gjithë vendin është pak më e lartë se tre për qind – në Stjördal ajo është madje më e ulët.
Shtëpi që i financon lehtë, thuajse fare papunësi dhe çdo herë, kur bëhet fjalë për nivelin më të lartë të jetesës në Evropë, shumicën e herëve Norvegjia zë vendet më të larta. A ka probleme populli në Norvegji? Sipas pensionistit të ri, Stig Eikeland po. “Rrugët tona janë të këqia, edhe sistemi hekurudhor”. Veç kësaj, lypësit, shumica nga Evropa lindore, duhet të largohen më në fund nga rruga. “Dhe veç kësaj, një pjesë më e madhe e fondit të naftës duhet të shkojë për sistemet sociale.”
Gropa në rrugë, pak emigrantë ilegalë nga Evropa Lindore, që lypin dhe mendime të ndryshme për faktin, se sa para duhen kursyer për kohë të këqija, në vend që të rrjedhin menjëherë në sistemin social? Probleme të tilla, vendet e tjera do të luteshin t’i kishin. Por këto janë pikërisht temat, të cilat do të vendosin zgjedhjet parlamentare të së hënës (09.09.). Kryeministri aktual Jens Stoltenberg, i partisë Social-Demokrate u duket i pavendosur bashkatdhetarëve të tij. Pas masakrës së Utoyas, dy vjet më parë ai bëri figurë të mirë, por përsa i përket infrastrukturës dhe politikës sociale ai nuk i plotësoi të gjitha ato që priteshin. Shumë norvegjezë do të preferonin ta shihnin më të fortë sistemin social, duke investuar në të më shumë para nga shfrytëzimi i naftës dhe i gazit para bregdetit të Norvegjisë.
“Fondi norvegjez shtetëror i naftës është i ndarë në dy pjesë: një pjesë më e vogël investohet në vend dhe përbën sigurimet e pleqërisë dhe ato sociale. Pjesa tjetër, më e madhe përdoret vetëm për investime në botën e jashtme”, shpjegon Vist. Ky fond ka arritur tani shumën 560 miliardë euro. Kohët e fundit, fondi i naftës investoi në Londër, në Zvicër dhe në SHBA. Në Londër me të u ble një pjesë e Regent Street, një rrugë e madhe me dyqane. Në Zvicër u ble qendra e koncernit të Credit Suisse, në Bazel dhe në SHBA disa qendra tregtare apo të ngjashme.