Kod etike, shfuqizim i importit te mbetjeve, portreti i Ismail Qemalit ne zyra
22 ushtarë të Gardës ishin rreshtuar dje në hyrje të Këshillit të Ministrave për të nderuar kabinetin e ri qeveritar. Ndërsa 9 flamuj kuqezi ishin të varur në faqen ballore të godinës, e cila ndriçohej nga drita të purpurta për të simbolizuar RilindjenFamiljarë të ministrave, deputetë të Partisë Socialiste, si dhe simpatizantë të shumtë të kësaj partie ishin dje të pranishëm përpara Kryeministrisë për të përshëndetur qeverinë e re. Turma nuk kurseu thirrjet entuziaste dhe as fishekzjarrët
Mbyllet tranzicioni i pushtetit
Adresa – Stafi i Kryeministrit të ri, Edi Rama, ka ndryshuar dje faqen e internetit të Këshillit të Ministrave, duke e përditësuar atë me të dhënat e kabinetit dhe programit të ri qeveritar. Tashmë faqja mund të gjendet në adresën: www.kryeministria.al.
Detyrat – Paraditen e sotme, një pjesë e mirë e ministrave të qeverisë Rama do të hyjnë në ministritë që kanë marrë në drejtim, ku pritet të prezantojnë dhe kabinetin e tyre qeverisës. Në këtë mënyrë sot nis edhe puna e drejtuesve të rinj të dikastereve qeveritare
Urimet – Rama ka nisur të marrë dje edhe urimet e para për zgjedhjen e tij si Kryeministër i vendit. Një nga këto urime ka qenë edhe ai i Ali Ahmetit, kryetari i Partisë Bashkimi Demokrat për Integrim në Maqedoni
Brukseli – Në orët e para të ditës së sotme, Rama do të jetë në Bruksel për të nisur vizitën e tij dyditore në kryeqendrën europiane të politikës. Ai pritet të shoqërohet nga ministri i Jashtëm dhe ajo e Integrimit europian
Shqipëria mbylli dje periudhën e tranzicionit të pushtetit, për t’i lënë në mënyrë zyrtare tashmë drejtimin e ekzekutivit Edi Ramës dhe 20 anëtarëve të tjerë të kabinetit qeveritar. Pasditja e djeshme ka bërë përfundimisht realitet ëndrrën e kryesocialistit Rama për të hyrë si Kryeministër në godinën e Këshillit të Ministrave dhe po kështu të gjithë mbështetësve të koalicionit të “Aleancës së Shqipërisë Europiane”. Në orën 16:00 Rama dhe kabineti i tij qeveritar iu drejtua Presidencës, kur kreu i shtetit, Bujar Nishani, dekretoi në mënyrë zyrtare secilin nga ministrat e kabinetit të ri qeveritar. Pas fotos së kujtimit të bërë me Presidentin Nishani, në ambientet e jashtme të Presidencës, Rama dhe ministrat iu drejtuan godinës së Kryeministrisë në këmbë, duke u përshëndetur me qindra qytetarë, të cilët me lule dhe britma entuziazmi i prisnin dhe uronin. Rama ka preferuar të mbajë një fjalë në tapetin e kuq të shtruar për hyrjen e qeverisë së re në Kryeministri dhe me 20 ministrat në sfond. Ai ka premtuar se do të jetë Kryeministër edhe i shqiptarëve që nuk e votuan të majtën më 23 qershor dhe se qeveria e re do ta çonte edhe më tej ëndrrën që shqiptarët kishin në vitin 1990, atë të “Shqipërisë si e gjithë Europa”. Me futjen e Ramës dhe ministrave në godinën e Kryeministrisë dhe pas dorëzimit protokollar të ambienteve nga ana e ish-sekretarit të përgjithshëm të Kryeministrisë, Gjergj Lezhja, u mbajt dhe mbledhja e parë e qeverisë, e cila zgjati vetëm 20 minuta dhe pa praninë e mediave. Ndërkaq, pavarësisht kohës, qeveria e re mori tri vendime të rëndësishme. E para ishte miratimi i një kodi të ri etike për ministrat në raport me qytetarët, vendimi i dytë ishte ai për ndaljen e importit të mbetjeve urbane dhe i treti, heqjen me ligj të fotografisë së Presidentit të Republikës nga institucionet zyrtare dhe vendosjen në të, të themeluesit të shtetit shqiptar, Ismail Qemali.
Fjala
Kryeministri i ri, Edi Rama, u është drejtuar simpatizantëve të majtë të mbledhur në sheshin përpara Kryeministrisë, por dhe të gjithë shqiptarëve me një fjalë të shkurtër përpara se të ngjitej në zyrën e Kryeministrit. Ai e ka nisur këtë fjalë me falënderime, dhe e ka vendosur theksin te nevoja për të qenë Kryeministër i të gjithë shqiptarëve. “Dua të shpreh mirënjohje për ata 1 milion shqiptarë dhe shqiptare, nga Tropoja në Konispol, që më 23 qershor votuan për ne. Por, edhe respekt po njësoj, për të gjithë ata që më 23 qershor nuk votuan për ne. Qeveria e re që sapo është betuar, është qeveria e të gjithë shqiptarëve dhe do të qeverisë për të gjithë shqiptarët. Ne jemi zgjedhur për të bashkuar dhe jo për të ndarë, dhe ne do të bashkojmë, nuk do të ndajmë”, tha Rama. Ai theksoi se tashmë kishte përfunduar koha e fjalëve dhe për qeverinë niste koha e punës. Kryeministri u shpreh se kjo qeveri do të ishte në shërbim të qytetarëve dhe shembull në luftën kundër padrejtësive dhe korrupsionit. Rama i vendosi një vëmendje të veçantë në fjalim punës që duhej të bëhej për sa i përket integrimit të vendit në Bashkimin Europian dhe deklaroi se ëndrra e shqiptarëve për ta pasur Shqipërinë si e gjithë Europa do të jetë edhe më e gjatë, gjatë kohës së qeverisjes së majtë të vendit.
Vendimet
Qeveria Rama ditën e parë të mbledhjes së qeverisë së saj, mori tri vendime të premtuara edhe gjatë fushatës së saj elektorale. I pari kishte të bënte me miratimin e kodit të etikës të ministrave në raport me qëndrimin e tyre ndaj qytetarëve, i cili ishte përmendur nga Rama menjëherë pas fitores së zgjedhjeve më 23 qershor. Nga ana tjetër, një tjetër vendim ishte edhe ai i shfuqizimit të ligjit për importin e plehrave, i cili ishte kërkuar me ngulm nga Aleanca kundër Importit të Plehrave dhe për të cilin ishte parashikuar të mbahej një referendum në fund të këtij viti. Po kështu, një tjetër vendim ishte edhe heqja e fotografisë së Presidentit të Republikës nga institucionet zyrtare dhe zëvendësimi i saj me fotografinë e themeluesit të shtetit shqiptar, Ismail Qemali.
Kabineti i ri qeveritar:
Edi Rama – Kryeministër
I lindur në Tiranë, më 4 korrik 1964
Niko Peleshi – Zëvendëskryeministër
I lindur në Korçë, më 11 nëntor 1970
Mimi Kodheli – Ministër i Mbrojtjes
I lindur në Tiranë, më 11 shtator 1964
Saimir Tahiri – Ministër i Brendshëm
I lindur në Tiranë, më datë 30 tetor 1979
Ditmir Bushati – Ministër i Punëve të Jashtme
I lindur në Shkodër, më 24 mars 1977
Klajda Gjosha – Ministre e Integrimit Europian
E lindur në Tiranë, më datë 28 korrik 1983.
Shkëlqim Cani – Ministër i Financave
I lindur në Tiranë, më 6 maj 1956,
Edmond Haxhinasto – Ministër i Transportit dhe Infrastrukturës
I lindur në Tiranë, më 16 nëntor 1966
Eglantina Gjermeni – Ministre e Zhvillimit Urban dhe Turizmit
E lindur në Krujë, në vitin 1968.
Arben Ahmetaj – Ministër i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes
I lindur në Gjirokastër, më 28 qershor 1969
Lindita Nikolla – Ministre e Arsimit dhe Sportit
E lindur në Tiranë, më 22 tetor 1965.
Nasip Naço – Ministër i Drejtësisë
I lindur në Skrapar, më 5 prill 1961
Mirela Kumbaro – Ministre e Kulturës
E lindur në Tiranë, në vitin 1966
Erion Veliaj – Ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë
I lindur në Tiranë, më 17 dhjetor 1979
Milena Harito – Ministre për Inovacionin dhe Administratën Publike
E lindur në Tiranë, më 4 tetor 1966,
Ilir Beqja – Ministër i Shëndetësisë
I lindur në Tiranë, më 18 shkurt 1968
Damian Gjiknuri – Ministër i Energjisë dhe Industrisë
I lindur në Tiranë, më 25 maj 1972
Lefter Koka – Ministër i Mjedisit
I lindur në Durrës, më 4 gusht 1964
Edmond Panariti – Ministër i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave
I lindur në Tiranë, më 1 qershor 1960
Ilirjan Celibashi – Ministër për Marrëdhëniet me Parlamentin
I lindur më 2 tetor 1969, në Çorovodë, Skrapar.
Bledi Çuçi – Ministër Shteti për Çështjet e Qeverisjes Vendore
I lindur në Tiranë, më 14 nëntor 1970
Simbolet – Në mesin e tryezës, në sallën e mbledhjeve të qeverisë, është vendosur një mozaik që duket si një hartë e vjetër ilire, mbi të cilën qëndron figura e një femre të ardhur nga lashtësia. Ndërsa në një pjesë të saj, duken qartë yjet e Bashkimit Europian dhe në mur qëndron portreti i Ismail Qemalit