OEMVP : Të zhbllokohet menjëherë kufiri
Oda ekonomike e Maqedonisë Veri-perëndimore është e indinjuar me veprimin e pamenduar dhe të njëanshëm të bllokimit të kufirit në bazë të iniciativave private nga ana e shoqatës së kamionistëve ‘Makam Trans’. “Kërkojmë që në mënyrë urgjente të debllokohet kufiri nga ana e kësaj shoqate, Askush nuk guxon që të ndërmarrë veprime të tilla anti-ligjore dhe mbi të gjitha anti-njerëzore të pengimit të qarkullimit të lirë të njerëzve, mallrave dhe kapitalit që paraqesin edhe parimet bazë të ekonomisë së tregut por edhe kriteriume bazë të Marrëveshjes së CEFTAS. Ne si OEMVP në mënyrë të vazhdueshme kemi kërkuar që të ndërmerren hapa konkrete për gjetjen e një zgjidhjeje ndërmjet institucioneve reprezentative të dy vendeve, respektivisht Republikës së Maqedonisë si inicuese e problemit dhe Republikës së Kosovës që të njëjtit iu përgjigj me masa reciprociteti”, thuhet në reagimin e OEMVP.
OEMVP gjithashtu vlerëson se bllokim i kufirit nuk mund të zhbllokohet me bllokime të reja, prandaj çdo iniciativë e këtij lloji vetëm se kontribuon në përkeqësimin e gjendjes edhe ashtu të rënduar ekonomike dhe sociale në vend.
“Iniciativat e këtij lloji rrisin edhe më tej iritimin e popullsisë vendore të cilat shpejtë mund të ndodhë që të eskalojë kurse pasojat do jenë të shumanshme. Në këtë fazë kërkohet pjekuri nga të gjitha palët, dhe detyrimisht ulje në tavolinën e bisedimeve për gjetje të një zgjidhjeje urgjente dhe të qëndrueshme ndërmjet qeverive të të dyja vendeve”, thuhet më tej në reagimin e OEMVP.