Shkelzen_HalimiShkëlzen HALIMI–Ai ishte çuni i lagjes sonë, berberi i vogël, që mezi e pati kryer tetëvjeçaren. Atëherë ishte simpatik. Gjithnjë e mbante veshur mantelin e bardhë dhe sa herë që nuk kishte myshterinj, ai qëndronte para pasqyrës duke i rregulluar flokët e buta dhe të drejta, të cilat herë i kthente në të majtë e herë në të djathtë. Dhe, sa herë që kaloja përreth lokali ku ai atëbotë ende ishte çirak, më thoshte: “bujrëm, myshteri, bujrëm”. Më vonë, ai do të bëhet shef i lokalit, pra berberi kryesor. “Edhe ky doli në selamet”, thoshin atëbotë pleqtë e lagjes, sepse nuk ishte punë e lehtë që në Jugosllavinë e atëhershme të ishe shef.

A të kujtohet çuni i lagjes sonë, berberi i vogël, me pyeti një ditë fqinji im, të cilin nuk e kisha takuar vite me radhë, pasi unë u largova nga lagjja jonë, kurse ai shkoi për të punuar në Perëndim.
Po si, më kujtohet, ka qenë simpatik dhe kurrë nuk e hiqte mantelin e bardhë, thashë unë.
E po, atëherë ishte i vogël, por sot është shumë i madh. Është bërë magjistër dhe pritet që së shpejti edhe të doktorojë, tha fqinji.
E pabesueshme, ia ktheva.
E ke gabim, sot asgjë nuk është e pabesueshme, edhe fantastikja bëhet realitet, tha ai.
Po, sa e di, ai atëherë nuk e vazhdoi shkollimin e mesëm.
Kush të pyet për të mesmen e fakultetin, kryesore është të magjistrosh e doktorosh, tha fqinji im me një zë të indinjuar, duke shtuar se fare nuk duhet të habitemi nëse ai së shpejti bëhet edhe ligjërues fakulteti.
Ky “kërcim” kaq i madh i berberit të dikurshëm të lagjes sonë nuk duhet kuptuar si diçka jonormale, sepse ndodh në një kohë e ambient jonormal, ku normaliteti jeton vetëm në dëshirat e atyre që thellë – thellë në vetëdijen e tyre e ndjejnë peshën e madhe të anomalive të shumta të shoqërisë shqiptare. Më nuk ka dilema, sistemi i arsimit është rrënuar tërësisht, por kjo fatkeqësisht nga ata që shtiren kompetentë kuptohet se nuk mund të vërehet.
Kushdo që sinjalizon se diçka nuk është në rregull në shoqërinë shqiptare në Maqedoni, sakaq do ta shohë veten me kostumin e Don Kishotit. Gjendja amorfe që mbretëron tash e sa kohë nuk premton asnjë ndryshim. Sot nuk kemi mendim të shëndoshë, gjykim të shëndoshë, nuk kemi gjeneratë që premton, nuk kemi alternativë, opsion të ri, s’kemi letërsi, kritikë, teatër, përgjithësisht kulturë të mirëfilltë. “Artisti” shqiptar në Maqedoni, në vend që të sjellë vlera artistike, ai merren me biznes, me politikë servile, me intriga e shantazhe, krejt kjo në emër të popullit, pa patur mandat për këtë. I keni parë disa matrapazë të kulturës, të cilët interesat e veta i realizojnë vetëm duke “vajtuar” për të drejtat e popullit shqiptar. Të tillët ka 20 vjet që me sukses notojnë në ujërat e pushteteve, duke qenë të përshtatshëm për çdo garniturë qeverisëse. Zvarranikë e tillë bëjnë biznes në emër të politikës shqiptare, në emër të patriotizmit shqiptar, në emër të kulturës shqiptare, në emër të sinqeritetit të atyre që ende nuk e kanë kuptuar se politika dhe intriga janë dy çështje që ushqejnë njëra tjetrin dhe që veçmas nuk mund të funksionojnë.
Çfarë po mendon më tha fqinji im, teksa po e prisja kamerierin për ta bërë pagesën.
Do ta zhveshi kostumin e Don Kishotit, i thashë.
S’po të kuptoj, m’i hapi ai sytë.
Pastaj do të duhet që edhe unë t’i kthehem ambientit dhe atmosferës jonormale, sepse, kështu, i vetmuar, në normalitet nuk po mund të funksionoj. Kishte të drejtë ai lexuesi anonim, i cili në telefon më tha: “kot je duke i dhënë zor, përse po harxhon energji kur askush nuk t’i përfill tekstet. As ata që i ke pranë”.
Kjo nuk është koha ime. Është koha e atij çuni të lagjes sime, që dikur ishte berber i vogël, kurse sot i madh dhe me autoritet. Është koha e “patriotëve”, që tallin bythin me ndjenjat sinqerta të hallexhinjve, e atyre që të shohin vetëm si monedhë (të qëndrojnë afër vetëm për interes), a “analistëve” që huazojnë mendime. Është kohë e mbrapshtë, është koha e atyre që së pari doktorojnë pastaj e mbarojnë filloren. Si ai berberi i vogël i lagje sime, që papritmas bëri “kërcimin” e madh jetësor. Sot është faktor dhe vendos për fate njerëzish.
Tash e kupton miku im, se përse do ta zhveshi kostumin e Don Kishotit, të cilin në fakt asnjëherë nuk e kam veshur…