Maqedonisë po i “kruhet”
Arben ZEQIRI-Vendimet e fundit të Qeverisë së Maqedonisë ndaj Kosovës, si dhe paralajmërimi për mundësinë e kthimit të vizave, imponon nevojën e rishqyrtimit të pozicioneve ndaj këtij shteti nga ana e gjithë faktorit shqiptar në rajon dhe koordinimin e tyre me pjesën shqiptare në këtë qeveri, për t’i dhënë një goditje të fortë kësaj politike raciste e cila me haraçin në kufi tenton të imitojë plaçkitjet e hordhive pushtuese serbe gjatë luftës së Kosovës
-Pas shkeljes së Marrëveshjes për tregti të lirë (CEFTA), Maqedonia shkelë edhe marrëveshjen për qarkullim të lirë të njerëzve. Taksa rrugore vetëm për kosovarët, i ngjan më së shumti një vendimi të marrë nga një grup hajnash dhe banditësh, të cilët kanë vendosur të plaçkitin qytetarët e Kosovës, duke i detyruar të gjithë ata që të paguajnë haraç prej dhjetëra eurove nëse duan të hyjnë në territorin e Maqedonisë.
Ky vendim që merret nga prirjet raciste të nomenklaturës politike në pushtet, ngjashëm me ato të Gjermanisë naziste ndaj çifutëve, bëhet në kundërshtim me të gjitha marrëveshjet e nënshkruara dhe të ratifikuara deri më tani nga ky i ashtuquajtur shtet, por që ndaj shqiptarëve zbaton rregullat e plaçkës sikur të ishin hordhitë serbe që mblidhnin pasurinë e kosovarëve gjatë luftës së vitit 1999.
Se kësaj qeverie po i kruhet aq shume b… me shqiptarët, është edhe paralajmërimi i disa mediave proqeveritare të cilët të brifuara nga urdhërdhënësit e tyre, plasuan edhe lajmin për mundësinë e kthimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Se çfarë pasoja do të kishte për rajonin një veprim i tillë, shqiptarët mund ta marrin me mend, por fatkeqësisht këtë duket se nuk e shohin antishqiptarët e verbuar të kësaj qeverie.
Kriza ekonomike bëhet politike
Pas vendimit të Qeverisë së Maqedonisë për vendosjen e taksës rrugore nga 2 euro për person, 5 euro për vetura dhe 20 euro për autobusë, Kosova ka bllokuar importin e të gjitha produkteve nga Maqedonia. Të martën në kalimin kufitarë të Bllacës janë vërejtur vetëm automobila dhe shumë pak kamionë të bllokuar në territorin e Maqedonisë. Konflikti ekonomik që lindi kohë më parë mes Shkupit dhe Prishtinës, fillimisht me ndalesën e importit të grurit nga qeveria maqedonase dhe pastaj me kundërpërgjigjen e kosovarëve duke ndaluar disa produkte maqedonase, rrezikon të eskalojë në një konflikt politik ku në radhë të parë cenohet e drejta e lëvizjes së lirë të qytetarëve. Vendimi i fundit i Qeverisë së Maqedonisë sipas analistëve kosovarë dëshmon se shtetet e Ballkanit Perëndimor, përkatësisht ato shtete që ende e vuajnë sindromin e megalomanisë sipas “shkollës serbe” të sjelljes, veçanërisht me shqiptarët, assesi nuk arrijnë ta kapin kohën dhe ta rivlerësojnë veten dhe pozitën e tyre prej të sëmurës së Ballkanit. “Kjo vlen para së gjithash për FYROM-in, që për shkak të politikave të vjetra ballkanike nuk i ka punët kurrqysh pothuajse me askënd në rajonin tonë. Ideja e pushtetit në Shkup nuk po mund ta mbijetoje klero-fashizmin, që me sa duket po ia bën varrin vet shtetit modern, multikulturor dhe multientik. Shkupi nuk ndihet mirë në barabar, në reciprocitet, prandaj shpik e shpif masa administrative ndaj shqiptarëve të Kosovës, duke pritur që të marr falënderime përkulëse nga Prishtina. Pra, Shkupi ende nuk e pranon për zemër shtetin e Kosovës si të barabartë e me ndikim, prandaj politikat e këqija dhe paranoike në Shkup fabrikojnë armiq në rajon, pra këto politika të këqija nacionaliste prodhojnë edhe probleme ekonomike dhe tensione ndërqytetare e ndëretnike, sikur në shekullin e kaluar”, thotë analisti Halil Matoshi.
Shkupi godet vetveten
Sipas tij, dëmet do t’i ndjejnë të dyja vendet, por pasojat më të rënda do të bien mbi kurrizin e Maqedonisë e cila është eksportuese më e madhe drejt Kosovës. Nëse edhe pala kosovare do të binte në nivelin e Maqedonisë dhe të vendoste taksën e njëjtë rrugore, kjo do të godiste më së shumti përsëri qytetarët e Maqedonisë. “Shkupi me taksa rrugore pavetëdijshëm e godet edhe veten, sepse në njërën anë, më shumë qytetarë të FYROM-it tregtojnë dhe punojnë në Prishtinë, se sa anasjelltas, kurse në anën tjetër e detyron Prishtinën të sillet njëjtë duke bllokuar tërë mallrat e saj. Kjo ndonëse është humbje për të dy fqinjët besoj se do ta këndellë Shkupin që vuan nga mungesa e modernizimit dhe nga mungesa e demokracisë, prandaj tërë rajoni e shikojnë vëngër, si një fëmijë të lazdruar që nuk dëshiron të rritet”, shprehet Matoshi.
Mosmarrëveshjet duhet të zgjidhen në kornizat e CEFTA-s dhe për këtë nuk duhet të dënohen qytetarët e Kosovës, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Vlladimir Gligorov nga Instituti për studime ekonomike . “Kjo që po ndodh tani nuk duhej aspak të ndodhë sepse ekziston CEFTA, kjo është një marrëveshje për tregti të lirë, kështu që problemet eventuale do të duhej të zgjidhen në kuadër të kësaj marrëveshje që ekziston dhe është rajonale. Përndryshe kështu do të eskalojë situata, ashtu siç edhe tanimë ka eskaluar dhe në fund përsëri do të duhet që në kuadër të CEFTA-s të arrihet ndonjë marrëveshje”, ka thënë Gligorov.
Siç është e njohur shkëmbimi tregtar midis dy vendeve gjatë 2012 ka qenë 320 milionë euro, prej të cilave 303 milionë janë nga eksporti i mallrave të Maqedonisë në Kosovë dhe vetëm 17 milion euro janë eksportuar nga Kosova në Maqedoni
Viza dhe ofendime për Kosovën
Qeveria e Maqedonisë mendon të vendosë viza për qytetarët e Kosovës, shkruan e përditshmja në gjuhën maqedonase “Dnevnik”, duke u thirrur në burime të saj. Në këtë dhe mediat e tjera në gjuhën maqedonase vërehet gjithashtu edhe një retorikë e ashpër gjatë emërimit të shtetit kosovarë ku disa herë atë e quajnë si “protektorat” ose “krahinë ish jugosllave”. “Kjo rrjedhë e zhvillimeve në ‘luftën tregtare’ me protektoratin është e mundur pasi Prishtina vendosi embargo për importin e produkteve maqedonase, ndërsa sot në kufi u kthyen disa kamionë”, shkruan Dnevnik. Portale të tjera në gjuhën maqedonase gjatë informimit për rastin e fundit preferojnë që Republikën e Kosovën ta quajnë si ish krahinë jugosllave ose të Serbisë. Informatat për vendosjen eventuale të vizave për qytetarët e Kosovës gjatë ditës së hënë nuk janë komentuar aspak nga autoritetet zyrtare në Shkup.