Ylli Pango-Gjithmonë dikush komandon e dikush bindet e nënshtrohet. Kështu ka qenë deri më sot në marrëdhëniet midisylli-pango njerëzve. Madje jo vetëm në raportet midis sovranëve dhe të shtypurve. Edhe në raportet më të thjeshta shoqërore, në grupet e vogla sociale midis tre apo katër shokëve, në marrëdhëniet dashurore: barazia absolute ka qenë e pamundur. Janë vetë diferencat fizike, intelektuale, të karakterit, të temperamentit etj., që e sjellin këtë fillimisht.
Është ky faktori i parë, biologjik apo trashëgimtar, që sjell nënshtrimin. Por gjithmonë, përsëri për shkak të këtyre diferencave, dikush është më lart se një njeri, por njëkohësisht më poshtë se një tjetër. Raporti midis këtyre tendencave është i ndryshëm te njerëz të ndryshëm. Nga pesha që zë njëra apo tjetra, njeriu mund të jetë më tepër i tipit të nënshtruar apo i atij superior. Faktori i dytë, ai social, ka gjithashtu peshën e tij të madhe. Ndikimi i familjes (pushteti i parë prindëror), i shkollës, fesë, propagandës, i edukimit, mjedisit, shtetit (sidomos atij diktatorial), i sovranit apo i diktatorit. Këtu diferencat theksohen. Ndërtimi i shoqërisë është i tillë që një pjesë të mirë të njerëzve, madje edhe disa nga ata me predispozita të mira për t’u shquar, për të komanduar etj., t’i bëjë të nënshtruar.
Liderët, sovranët, komanduesit janë gjithnjë një pakicë. Madje edhe midis tyre ka të nënshtruar në raport me të tjerët. Sovranët e mbretërive të vogla, liderët e shteteve të vegjël, të dobët, të shteteve bij karshi atyre të shteteve mëmë, supershteteve, perandorive, ambasadorëve të tyre, zyrtarëve të lartë etj. Madje edhe malet e ulëta (gjithsesi male) e jo më majat e piramidave të sajuara nga rodi njerëzor, ndjehen të ulëta karshi maleve më të larta.
Ndërkohë shkaqet psikologjike, sociale, fizike, të këtyre raporteve njerëzore janë të thella dhe të komplikuara, si vetë personaliteti i njeriut, i shtresave, grupeve apo popujve të ndryshëm.
Lakenjtë apo nënshtrimi servil
Ka njerëz krenarë, inteligjentë, të panënshtruar, që në një moment të caktuar, pas dështimesh të panumërta në jetë, injorimesh, mossuksesesh, i kanë bërë analizën vetes dhe kanë kuptuar se psikologjia e tyre, karakteri, papajtueshmëria me të keqen, e reflektuar kjo deri në fizionominë krenare, i ka dëmtuar. Kanë provuar qoftë edhe për një çast të vetëm (nga e keqja e madhe, për hir të fëmijëve, familjes, dëshirës për sukses më në fund etj.), të nënshtrohen, të bëhen lakenj dhe nuk ia kanë arritur.
Atyre ose nuk iu kanë besuar, ose shpejt lakenjtë e sajuar kanë dalë te vetja dhe sërish janë shfaqur të vërtetë. Nënshtruesit, eprorët, sovranët, e ndjejnë gati organikisht lakeun e vërtetë. Nënshtruesit nuk ndjehen komodë me këtë kategori njerëzore. E ndjejnë që nuk është natyrale. E mënjanojnë. Kësaj kategorie i mungon, le ta quajmë, “lakeizmi natyror”. Nënshtrimi apo lakeizmi, sado e çuditshme të duket, është edhe ai një lloj “talenti”, prirje a aftësi e një lloji të veçantë për të jetuar asisoj. E lindur, por edhe e fituar dhe e përpunuar në marrëdhëniet me njerëzit. Duke filluar nga karakteri, intelekti e deri te mimika, pamja e jashtme e shprehur në aftësinë për t’u ngërdheshur, për të buzëqeshur përulësisht, për t’u lakuar.
Përfytyroni një 60-vjeçar me fytyrë të zhubravitur pas vitesh jete karakterizuar nga ngërdheshjet, shpërvjeljet e mimikës, transformimet e përditshme të saj në funksion të servilizmit, buzëqeshjeve-ngërdheshje, nënshtrimit permanent ndaj cilitdo që kishte pushtet apo ndaj të cilit mund të kishte ndonjë interes apo përfitim. Kur vinte ora 9 e darkës, ky individ, zakonisht ulur në tryezat e restoranteve, përgjumej, nuk rezistonte dot më dhe flinte, madje me lugë në gojë. Muskujt e supertensionuar të fytyrës për orë të tëra rresht, kërkonin çlodhje. Kjo kishte qenë, në aspektin real, puna e tij kryesore e përditshme për pothuaj 50 vjet, nëse e nisim marrjen në konsideratë të jetës sociale, diku aty nga fëmijëria e hershme. Në një aspekt është diçka e ngjashme me superlodhjen muskulore të punëtorit të krahut, por ndërsa ky i fundit e ndjen këtë lodhje në muskuj të trupit, ekzemplari ynë e realizon dhe ndjen superlodhjen në muskujt tejet të ngarkuar të fytyrës.
Natyrisht lodhja vinte edhe si rrjedhojë e lakimeve të trupit, lëvizjeve fizike të shërbimeve të vogla më të fuqishmëve në kafene, përkuljeve të vazhdueshme, por të gjitha këto nuk ishin asgjë në raport me atë çka bënte fytyra. Ky personazh mjaft i njohur në qarqe publike kryeqytetase, e realizoi gjithë jetën e vet nëpërmjet lakueshmërisë ekstreme rrëshqanore. Pa asnjë aftësi të veçantë në asnjë fushë, që do ta bënte jetën e tij të fokusuar e personin specialist në një fushë të caktuar; ai nuk bëri asgjë të tillë. Ai arriti si rrallëkush, si fillim të merrte një diplomë në një fakultet mjaft të vështirë, ndonëse student i pozicionuar midis katrës e pesës. I paaftë të lexonte qoftë edhe një libër, njeriu në fjalë (i cili njihet pa ia përmendur fare emrin e madje as edhe ndonjë karakteristikë fizike), arriti nëpërmjet një aftësie të veçantë, do ta quaja hienike (homo hien-us), të mbijetonte, madje edhe duke arritur në sajë të depërtimeve rrëshqanore, disa herë të emërohej edhe drejtues, natyrisht i nivelit të mesëm.
Kjo arriti t’i siguronte atij të ardhura të mbimjaftueshme për të jetuar më mirë se pjesa dërrmuese e popullsisë. Si vallë? Veç lidhjeve në momente të caktuara me njerëz të caktuar, nënshtrimi e shërbimet servilore, ndaj të cilëve e bënte të realizonte qëllimet e veta, për të arritur deri këtu ai zotëronte një aftësi të veçantë që lidhet me specien e përmendur më sipër. Ai arrinte të nuhaste në segmente të caktuara të jetës ekonomike e sociale, atë pjesë të kërmëzuar a të atrofizuar, e cila kishte ende mish të mjaftueshëm, që mund ta ushqente atë si përfaqësues tipik i llojit të vet, dhe ia arriti kësaj në mënyrë të shkëlqyer. Në një shoqëri ku vijimësisht kërmëzimi, ka kapur në mënyrë konsekutive pjesë të tëra të saj: dikur për shkak të sistemit politik e më vonë për shkak të tranzicionit. Kështu ai kapi kërmëzimn e ndërmarrjeve të tipit socialist dikur, më pas të institucioneve të fundit mbetur në trajtë gërmadhe nga ai sistem etj.
Kohët e fundit ai kapi kërmëzimin e segmenteve të tëra të arsimit të lartë, atij universitar, dhe u ngul aty me shpejtësi me dhëmbët e mprehtë duke shkëputur ndofta copat e fundit në kalbje të presë së madhe, tashmë prej vitesh ushqim i grabitqarëve të mëdhenj të biznesit spekulativ, të mjaftueshme për jetesën e species së tij. Mes miqsh kam theksuar, se me akreditimin e tij atje, sistemi ynë i lartë arsimor (pa dyshim me përjashtime), tashmë prej vitesh në dekadencë, mori vulën e tij përfundimtare si sistemi më qesharak universitar botëror. Në asnjë universitet në botë, madje as në ishujt më të largët të Oqeanisë, nuk mund të gjendet pedagog me mesatare 5. U ndala më gjatë në këtë rast ekzemplar, për të vënë në dukje më qartë, se kjo aftësi superjetese (për të mos e ngatërruar me mbijetesën), e mishëruar tek individi në fjalë në formën e saj më të përkryer, shfaqet e tillë apo me variacione, në fusha e kategori njerëzore nga më të ndryshmet dhe përbën një element bazë të nënshtrimit a lakueshmërisë sociale shqiptare që në mjaft raste siguron mbijetesën, por që në rastet e saj më brilante sjell superjetesën në luks si ajo e individit në fjalë.
Kategoria e parë e lakeizmit apo nënshtrimit: oborrtarët në vendet e ish-kampit socialist, por edhe të sistemit të sotshëm tranzit, nëpunësit e lartë partiakë apo shtetërorë deri tek ata të majave më të larta të piramidës. Hyrja në oborr dhe më tej mbijetesa në të, kërkojnë gjithmonë nënshtrimin, servilizmin, buzëqeshjen aprovuese për sovranin dhe pranimin e gjithçkaje që thotë ai, aftësinë e thurjes së ditirambeve, kryeunjtësinë, modestinë e shtirur ekstreme në kontaktet me të etj. Edhe ndërtimi i oborrit të lartë partiak dikur, dhe i atij shtetëror si kryestruktura grupore, u modeluan në trajtë oborresh të vegjël (struktura të vogla grupore) në ndërmarrje apo institucione, ku sekretari i partisë, shefi i kuadrit, drejtuesi dhe lakenjtë e tjerë të administratës e bënin më të plotë dhe më të theksuar psikozën e nënshtrimit të punonjësit apo të intelektualit, nëpërmjet të pasurit në dorë të punës apo të pagës së tyre, të rezervave biografike në dosjet personale etj.
Po raporti i oborrtarëve me të tjerët? Mund të vihen re lehtë në ekranin e televizionit apo kudo në jetë, transformimet e menjëhershme të zërit, të buzëqeshjes, të grimasave të funksionarit të lartë në kalimin nga takimi me sovranin në kontaktet me njerëzit e thjeshtë, vartësit etj. Tonet e lehta lajkatare të shndërruara në hijet e rënda, ndjesia e futjes nën sqetullën e sovranit dhe menjëherë pas saj, ajo e marrjes nën sqetull të të tjerëve, më të vegjël se ai, nxënësi i bindur i mësimeve të mëdha dhe mësimdhënësi, çdo fjalë e të cilit mbahet shënim. Dhe e gjitha kjo brenda të njëjtit njeri, njeriut oborrtar. Vini re me sado pak vëmendje: tipari kryesor i gjithë Ansamblit të ri qeveritar shtator 2013: kryeunjtësia: asnjeri syresh nuk mbahet mend të ketë patur as edhe shkëndijën më të vogël të kundërshtimit ndaj sovranit partiak.
Kategoria e dytë: nëpunësit e mesit të piramidës së shtetit totalitar, shefat dhe drejtorët, drejtuesit qendrorë (në diktaturë sidomos ata partiakë) apo të pushtetit lokal nëpër rrethe apo institucione etj. E njëjta dyfaqësi, veçse me një raport më shumë përveç atyre me sovranin e popullin: atë karshi oborrtarit të lartë. Shpesh herë këtu prepotenca, anë e pasme e medaljes së nënshtrimit të njerëzve me pushtet është më e shfaqur. Kontaktet me popullin janë më të shpeshta, më të drejtpërdrejta, hallet dhe problemet e tij më të mëdha, pra edhe më të bezdisshme për ta, e si rrjedhim edhe reagimet e kësaj kategorie të piramidës më të ashpra, më të dukshme, më frekuente.
Në këtë kategori hyjnë edhe “politikanët” karrieristë, njerëzit që nuk arrijnë të bëjnë hajër në fushat për të cilat kanë studiuar a kanë falsifikuar dokumentet e studimit, të paaftët e çdo fushe. Etja për grada, lavdi, ofiqe, mirëqenie i shtyn këta deri në shkallën më groteske, të paskrupullt, rrëshqanore të nënshtrimit. Këta bëhen edhe nënshtruesit më të tmerrshëm të së ardhmes në nivelin ku janë: për më të vegjlit, por ca më keq, në qoftë se arrijnë të bëhen drejtues. Mes tyre gjen raste të veçanta klounësh oborri që mbijetojnë si këpusha, pa bërë asgjë tërë jetën, vetëm në sajë të njohjes me sovranin apo me ndonjë oborrtar të lartë. Oborret gjithmonë kanë pasur klounët e tyre. Për klounët e dikurshëm mjaftonte jetesa pranë mbretit. Klounët e sistemeve totalitare, mburreshin me daljen në fotografi me një sovran apo zëvendës sovran, me një shëtitje të bërë me të para syve kureshtarë të ziliqarëve të mahnitur. Madje ata mburreshin edhe me njohjen me emër prej të mëdhenjve.
Ca më poshtë vinin shtresat e intelektualëve mediokër apo të pseudointelektualëve. Mediokriteti i tyre është premisa e parë e nënshtrimit. Mediokri nuk mund të mos nënshtrohet. Së paku në fillimet e karrierës së tij. (Të mëdhenjtë e artit, të shkencës, kulturës, në përgjithësi nuk nënshtrohen. Ata janë sovranë të fushës së tyre dhe mbretërojnë shpesh edhe të vetëm aty. Mjafton të kujtojmë Bethovenin, Frojdin, Ainshtainin etj., që ndonëse mjaft kohë, të pakuptuar, të sulmuar apo të braktisur nga bashkëkohësit, vazhdonin të panënshtruar të krijonin universin, mbretërinë e tyre të krijimit). Ndër intelektualët e kësaj kategorie, pa dyshim më të shquarit në vendet e ish-kampit komunist, ndofta për vetë specifikën e fushës së tyre, ishin shkrimtarët e artistët skematikë apo artistët e skemës, “arkitektët” e shpirtrave njerëzorë apo më saktë të lejfenizmit apo të përçudnimit të tyre, artistët e oborrit, retushuesit më të mirë të realitetit të sistemeve diktatoriale, autorët e veprave letrare, dramave (lexo: komedive), monumenteve e pikturave monumentale të sovranëve, lustruesit e bojaxhinjtë e realitetit. Sot kjo kategori vazhdon të mbijetojë në formën e lakenjve të medias, pronarëve të mediave të vëna në shërbim të njërit a tjetrit grupim politik a të individëve me pushtetin më të madh personal, në veçanti, të kryetarëve të partive a drejtuesve të qeverive. Ka ende syresh biografë, thurës ditirambesh, lustrues.
Një kategori tjetër është ajo e lakenjve nga populli. Në të vërtetë këta nuk përbëjnë shumicë. Pa personalitet, të prirur ndaj nënshtrimit, të etur për pakëz famë apo privilegje të vogla, qoftë edhe nëpërmjet njohjes me birin apo me të afërmin e një “të madhi”, me ndonjë shef a njeri me influencë, shfaqjeve të vazhdueshme përqark selive të partive të mëdha pushtetmbajtëse, ngjyerjes me pak shëllirë partiake të bukës së përditshme,..dje dhe sot, në çdo sistem. Shpesh herë të zhgënjyer nga trajtimi përbuzës i oborrtarëve apo i farefisit të tyre, nga mosplotësimi i ndonjë nderi të vogël, apo jetik, por gjithsesi të nënshtruar, të butë, të bindur. Por gjithsesi të vetëmjaftuar edhe vetëm me njohjen me të mëdhenjtë a ca të tjerë pranë tyre, gjithmonë falës të dhunimeve a përdhunës së të mëdhenjve (duke mos patur ku të shkojnë tjetër), si e vetmja formë mbijetese a iluzioni i një grimë lavdie brenda lavdisë së madhe partiake së cilës mendojnë se i takojnë, shkëndijë e zbehtë në universin e tyre mediokritar.
Në të vërtetë për sovranët, duke dashur të japim sadopak indulgjencë, ashtu si për këdo që është fare lart, është tepër e vështirë të dallojnë poshtë relievin e fushave dhe kënetave, madje edhe relievin e majave e kodrave mjafton që ato të ndodhen poshtë tyre. Ngjet si me reliefin e parë nga avioni. Gjithçka rrafshohet. Kështu shkrihen në një rrafsh të aftë e të paaftë, të nënshtruar e krenarë, njerëz e jo njerëz. Shpesh këtu gabohet dhe lidershipi shpërblen ata që nuk e meritojnë, ata që dinë të zvarriten më mirë drejt majës, madje nganjëherë, varrmihësit e ardhshëm të pushteteve. Dhe i afrohen më shumë majës lakenjtë e talentuar, ata që dinë t’i shfaqen më pranë sovranit pa u ndjerë, mjeshtrat e nënshtrimit.