Dialogu mund të dështojë
Analisti politik Azem Vllasi ka thënë se dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë mund të dështojë në rast se Beogradi vazhdon të parashtrojë kërkesa të reja sikurse ajo e fletëvotimeve në veri për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit.
“Ka rrezik të dështojnë bisedimet. Përndryshe, këto bisedime kanë rrëshqitur në një proces të pafund”, ka deklaruar Vllasi, duke shtuar se pretendimet e Ivica Daçiqit për dizajnimin e këtyre fletëvotimeve paraqesin ndërhyrje flagrante në punët e brendshme të Kosovës. Vllasi ka thënë se është interes i Kosovës dhe i Serbisë që serbët e veriut të dalin në zgjedhje. “Serbia daljen në zgjedhje nuk mund ta kushtëzojë e as Kosovën ta shantazhojë me kërkesa të papranueshme”, ka thënë Vllasi.
Në këtë intervistë për “Epokën e re”, Vllasi ka thënë se në rast se do të dështojë dialogu Kosovë – Serbi, përgjegjësinë duhet ta marrin të dyja shtetet. “Pala e Kosovës ka përgjegjësi sepse nuk i ka respektuar vijat e kuqe, pra ka lejuar Serbinë nëpërmjet këtyre bisedimeve të ndërhyjë në punët e brendshme të Kosovës, ndërsa Serbia ka përgjegjësi sepse asnjëherë nuk e ka pasur me sinqeritet këtë proces”, ka theksuar Vllasi.
Ai ka thënë se vitet e fundit Kosova më shumë është duke u marrë me Serbinë sesa në kohën kur vendi ynë ishte nën regjimin e këtij shteti. “Që dy vjet më shumë jemi duke u marrë me Serbinë sesa në kohën kur ishim në një shtet me Serbinë, në Jugosllavi. Ky proces duhet të ketë një fund dhe duhet ta vlerësojmë rezultatin e tij”, ka thënë Vllasi. Sipas Vllasit, nga procesi i dialogut politik me Kosovën Serbia ka fituar më shumë sesa ka pritur. “Si duket, pala serbe në çdo aspekt po eskalon me kërkesa të reja ngase është e trimëruar me koncesione të mëdha që po i bën pala e Kosovës. Tani Serbia është kthyer në ofensivë, duke shtruar gjithnjë kushte të reja”, ka thënë Vllasi.
“Epoka e re”: Z. Vllasi, në çfarë pike ka arritur procesi i dialogut Kosovë – Serbi, kur kemi parasysh se dy kryeministrat në dy takimet e fundit nuk kanë arritur të pajtohen për energjinë dhe telekomunikacionin?
Vllasi: Si duket të martën nuk ishte problemi për energjinë dhe telekomunikacionin, por për formën e fletëvotimeve. Për nivelin e dy kryeministrave, lidhur me sistemin energjetik, me rëndësi janë dy çështje. E para, furnizimi me energji i pjesës veriore duhet të jetë brenda sistemit unik energjetik të Kosovës. E dyta, faturimi i shpenzimit të energjisë duhet të bëhet nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK). Ndërsa lidhur me telekomunikacionin, e rëndësishme është që Kosova ta marrë kodin telefonik ndërkombëtar pa ndikim dhe pa pengesa nga ana e Serbisë. Çdo gjë tjetër është për biseda në nivel të ekspertëve. Por, si duket, pala serbe në çdo aspekt po eskalon me kërkesa të reja ngase është e trimëruar me koncesione të mëdha që po i bën pala e Kosovës. Tani është kthyer në ofensivë duke shtruar gjithnjë kushte të reja, e kjo nuk ka fund.
“Epoka e re”: Si po i shihni tendencat destruktive të Serbisë karshi normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë?
Vllasi: Deri tani pala serbe nga bisedimet ka përfituar edhe më shumë sesa ka pritur, prandaj edhe ka eskaluar me kërkesa të reja, të cilave nuk u shihet fundi. Pretendimi i Daçiqit, që të ndikojë në dizajnimin e fletëvotimeve për zgjedhjet lokale në Kosovë, është një përzierje flagrante në punët e brendshme të Kosovës. Neni 87, pika 1 e Ligjit për Zgjedhje të Përgjithshme, përcakton dizajnin dhe formën e fletëvotimeve dhe nuk ka asnjë arsye të bëhet ndryshe. Ne kemi interes që serbët e veriut të dalin në zgjedhje, por po aq interes ka Serbia dhe serbët e veriut të Kosovës. Prandaj, Serbia daljen në zgjedhje nuk mund ta kushtëzojë e as Kosovën ta shantazhojë me kërkesa të papranueshme.
“Epoka e re”: Si mund të konceptohet ideja e Daçiqit për listë të përbashkët zgjedhore, së fundi insistimi i tij që zgjedhjet në veri të mbahen pa logo të Republikës së Kosovës?
Vllasi: Sa iu përket listave, se a do të jenë unike apo më shumë lista të subjekteve politike serbe, nuk mund të përzihem në atë punë. Më e rëndësishme është që ndikimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) të jetë edhe në pjesën veriore, pa marrë parasysh se OSBE-ja do të ndihmojë në organizimin e zgjedhjeve atje.
“Epoka e re”: Ka rrezik të dështojnë zgjedhjet në veri të Kosovës?
Vllasi: Nëse pala serbe eskalon me kërkesa dhe kushte të reja të papranueshme, ka rrezik të dështojnë bisedimet. Përndryshe, këto bisedime kanë rrëshqitur në një proces të pafund. Që dy vjet më shumë jemi duke u marrë me Serbinë sesa në kohën kur ishim në një shtet me Serbinë, në Jugosllavi. Ky proces duhet të ketë një fund dhe duhet ta vlerësojmë rezultatin e tij, se a i kemi normalizuar marrëdhëniet me Serbinë si dy shtete apo kemi humbur kohë kot dhe bisedimet kanë qenë vetëm si instrument për avancimin e Serbisë drejt anëtarësimit në Bashkim Evropian (BE).
“Epoka e re”: Kush duhet ta marrë përgjegjësinë në rast se do të dështonte procesi i normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë?
Vllasi: Nëse dështojnë bisedimet, përgjegjësi kanë të dyja palët. Pala e Kosovës ka përgjegjësi sepse nuk i ka respektuar vijat e kuqe, pra e ka lejuar Serbinë që nëpërmjet këtyre bisedimeve të ndërhyjë në punët e brendshme të Kosovës, ndërsa Serbia ka përgjegjësi sepse asnjëherë nuk e ka pasur me sinqeritet këtë proces. Ajo bisedimet i ka shfrytëzuar për ta mbajtur gjendjen e njëjtë në veri, për ta formalizuar me marrëveshje.
Lirim GECI