agim-cekuAgim Çeku ka pranuar me dëshirë të jetë kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryetar të Komunës së Prishtinës për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit.Çeku në këtë intervistë për “Epokën e re”, pas zyrtarizimit të kandidaturës së tij për kryetar të Komunës së Prishtinës, ka thënë se është i bindur se do t’i fitojë zgjedhjet në Prishtinë. Megjithatë, është i vetëdijshëm se gara për Prishtinën nuk është aq e lehtë. “Gara për Prishtinën për mua është një sfidë e madhe dhe një betejë e vështirë. Por, në karrierën time kurrë nuk i kam ikur asnjë beteje dhe, pothuajse, në të gjitha betejat kam dal fitues”, ka thënë Çeku, duke shtuar se i ka hyrë kësaj gare me besimin se do t’i mposhtë të gjithë kandidatët e tjerë për kryetar të Prishtinës.

“Epoka e re”: Z. Çeku, ç’ju shtyri të kandidoni për kryetar të Komunës së Prishtinës?
Çeku: E kam pranuar këtë privilegj sepse e dua Prishtinën dhe dëshiroj t’u kontribuoj qytetarëve të saj. Besimi i liderit të PDK-së, Hashim Thaçi, i Degës së PDK-së në Prishtinë për të më kandiduar për kryetar të Komunës së Prishtinës në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, më bën nder. Do të bëj çmos të mos e zhgënjej besimin e liderit të PDK-së dhe të qytetarëve. Misionin im dhe i PDK-së është ta bëjmë Prishtinën evropiane. Po them edhe një herë, se jam i nderuar që lideri i PDK-së, Hashim Thaçi, e shfaqi besimin për të më ngarkuar me një detyrë jo të lehtë, sepse gara për Prishtinën për mua është një sfidë e madhe dhe një betejë e vështirë. Por, në karrierën time kurrë nuk i kam ikur asnjë beteje dhe, pothuajse, në të gjitha betejat kam dal fitues.
“Epoka e re”: Besoni se do ta fitoni edhe këtë betejë për Prishtinën?
Çeku: Kësaj gare i kam hyrë me bindjen e plotë për të fituar. Në asnjë garë nuk hyj pa e pasur qëllimin të dal fitues. E kam një besim të fuqishëm, se do t’i fitoj zgjedhjet në Prishtinë, pasi e kam mbështetjen unanime të PDK-së, anëtarësisë së saj dhe qytetarëve. Ky besim është shfaqur edhe gjatë takimeve që kemi pasur me qytetarët dhe anëtarësinë e PDK-së. Mendoj se PDK-ja i ka definuar problemet me të cilat ballafaqohet Prishtina, prandaj jam i bindur se oferta e PDK-së do të jetë më e mira për qytetarët e Prishtinës. Kryeqyteti ka nevojë për ndryshime, por ndryshimin nuk mund ta bëjë vetë. Këtë ndryshim do ta bëjmë së bashku me qytetarët. Motivi im në këtë garë nuk është ta mund njërin apo tjetrin kandidat, por ta fitoj besimin e qytetarëve.
“Epoka e re”: Prishtina duket të jetë garë e vështirë. LDK-ja për 14 vjet rresht udhëheq kryeqytetin.
Çeku: Kjo është një garë jashtëzakonisht e vështirë. Jam i vetëdijshëm për pozicionin që ka pasur dhe që ka aktualisht PDK-ja në Prishtinë, por besoj se qytetarët e kanë parë të nevojshme të mos jenë bastion i një subjekti politik, por ta ndryshojnë vetë situatën, duke mos votuar vetëm për kandidatët, por edhe për ofertën më të mirë. Mendoj se qytetarët tash e tutje do të bazohen më shumë në program sesa në parti apo kandidatë. Besoj se oferta e PDK-së për prishtinasit do të jetë alternativa më e mirë për zgjedhjet e 3 nëntorit. Ne kemi për synim që Prishtina me të vërtetë të bëhet kryeqytet evropian, sepse pasqyra e shtetit është kryeqyteti. Pra, do të përpiqemi dhe do të punojmë pa ndalur që Prishtinën ta bëjmë kryeqytet evropian.
“Epoka e re”: Do ta mposhtni edhe Isa Mustafën nëse do të rikandidohet edhe për një mandat të ri?
Çeku: Në rast se vetëm pak nuk do të besoja në fitoren time nuk do të kisha pranuar të jem kandidat për kryetar të Komunës së Prishtinës nga radhët e PDK-së. I kam hyrë kësaj gare duke besuar se do t’i mposhti të gjithë kandidatët e tjerë për kryetar të Prishtinës, jo vetëm për vlera të miat njerëzore dhe për petkun e partisë, por edhe për shkak të programit tonë për kryeqytetin.
“Epoka e re”: Pse jeni kaq i sigurt në fitore?
Çeku: Fillimisht kam besimin në vetvete, pastaj në liderin e PDK-së, Hashim Thaçi, në anëtarësinë e PDK-së dhe në qytetarët e Kosovës, në veçanti ata të Prishtinës.
“Epoka e re”: S’do të ketë balotazh për ju në Prishtinë? 
Çeku: Synoj fitore në Prishtinë qysh në rundin e parë, prandaj edhe i kam hyrë kësaj beteje. Nuk dëshiroj t’u nxjerr punë qytetarëve, as vetes, për të dal edhe një herë në zgjedhje.
“Epoka e re”: Pse kanë arsye qytetarët ta votojnë PDK-në në Prishtinë?
Çeku: PDK-ja në përgjithësi ka dhënë prova që me të vërtetë ka kapacitet, ka kurajë, ka guxim dhe potencial për ta udhëhequr vendin. Pasi ka dëshmuar se mund ta udhëheqë Kosovën, atëherë duhet ta udhëheqë edhe kryeqytetin.
“Epoka e re”: Ju vini nga një komunë tjetër. A do ta keni të vështirë ta kërkoni votën e prishtinasve?
Çeku: S’do të më paraqesë asnjë problem sepse unë jetoj në Prishtinë dhe dëshiroj t’i kontribuoj vendit ku jetoj.
“Epoka e re”: Cila do të jetë qasja e fushatës suaj? 
Çeku: Gjithmonë gjatë jetës sime jam munduar të vendos standarde, edhe kësaj radhe do të vendos standarde evropiane në fushatën zgjedhore, të cilat pastaj do t’i vendos në qeverisjen e kryeqytetit.
“Epoka e re”: Do të jepni dorëheqje nga posti i ministrit të FSK-së para fillimit të fushatës zgjedhore?
Çeku: Do të vazhdoj të jem ministër përderisa ma lejon ligji. Pa asnjë lëkundje do të jem ministër i FSK-së. Do të punoj në FSK sikur mos të ketë ndodhur asgjë, por sigurisht do të përgatitem për qeverisje të Prishtinës sikur nesër të ndodhë kjo. Vendimi për këtë çështje do të merret në kohën e duhur. Aktualisht përpara kam betejën për Prishtinën, së cilës i kam hyrë me besimin e plotë për fitoren time dhe të PDK-së.
(Shqipe HETEMI)