legjionarE vërteta zbulohet nëpërmjet ADN-së-Francisko Benitez në raport me femrat ishte manipulues.Analiza e gjakut nga rrobalarësja zbulon e babai ka vrarë bashkëshorten dhe të bijën. Por, edhe dashnoren e tij

Një muaj u është dashur hetuesve francezë që t’i gjejnë dhe lidhin disa pika gjaku pas zhdukjes së dy femrave të cilat për herë të fundit janë parë të gjallë në mes të muajit korrik në vendin Perpinjan në jug të Francës. Në frigoriferin e shtëpisë familjare janë gjetur vetëm disa pika gjaku, por që kanë mjaftuar për analizë të ADN-së me të cilën është konfirmuar se bëhet fjalë për ADN-në e të zhdukurës 19-vjeçare Alison Benitez. ADN-ja e nënës së saj është gjetur në makinën rrobalarëse në kazermën në të cilën pjesëtari i Legjionit të të Huajve ka qenë i punësuar bashkëshorti dhe babai Francisko Benitez. Hetuesit tani mendojnë se ai legjionar francez në makinën rrobalarëse është përpjekur që t’i lajë rrobat me njolla të gjakut dhe në atë mënyrë t’i fshehë gjurmët e mbetura të vrasjeve. Por, të gjitha këto janë vetëm supozime, duke pasur parasysh teorinë e njohur sipas së cilës pa kufomë nuk ka as krim. Për këtë arsye njëri prej rasteve më intriguese kriminale në Francë ka mbetur ende i hapur.

Zhdukja e nënës me të bijën

Alison Benitez, e cila sikur edhe nëna e saj, 53-vjeçarja Mri-Zhoze, janë zhdukur nga shtëpia familjare në Perpinjan më 14 korrik. I fundit që i ka parë të gjalla ka qenë bashkëshorti dhe babai Francisko Benitez, pjesëtari 50-vjeçar aktiv i Legjionit të të Huajve. Nëna supozohet ti ketë dërguar në të njëjtën ditë vajzës së madhe një porosi në të cilën ka pohuar se është detyruar ta marrë një vendim të vështirë dhe që së bashku me Alisonën do të shpërngulet në Tuluz. Hetuesit më pas kanë vërtetuar sesi nuk ekzistojnë kurrfarë dëshmi që mu ajo e ka dërguar atë porosi dhe se janë pothuajse të sigurt që porosinë e diskutueshme e ka dërguar vetë Francisko për të fshehur dëshmitë për vrasje dhe për të fituar në kohë. Në favor të kësaj teze shkon edhe fakti që gjatë bastisjes së shtëpisë janë gjetur pasaportat e nënës dhe të bijës, por edhe telefoni mobil i të bijës, gjë që përfundimisht bie ndesh me disa teza sipas të cilave ato dyja kanë ikur jashtë shtetit. Për ta bërë misterin e zhdukjes edhe më të madh, nuk ekzistojnë kurrfarë dëshmi në xhirimet e kamerave mbikëqyrëse për kalimin e tyre eventual në stacione ose rrugë lokale, të dy telefonat mobilë të tyre janë çaktivizuar menjëherë pas dërgimit të porosisë, ndërsa në llogaritë e tyre bankare që nga zhdukja e tyre nuk është shënuar asnjë aktivitet. Në mëngjesin e 5 gushtit, tri javë pas zhdukjes së nënës dhe bijës, Francisko Benitez u gjet i varur në vendin e tij të punës, në kazermën e Perpinjanit. Ai u gjet i vdekur me një shami të zezë mbi fytyrë, ndërsa policia dyshon që ai me atë veprim e ka pranuar fajin. Më pas është gjetur edhe një video-porosi e tij në të cilën pohon se nuk ka të bëjë asgjë me zhdukjen e bashkëshortes dhe të bijës. “Njerëzit që më njohin e dinë shumë mirë që Alison është jeta ime”, ka thënë Francisko me zë të dridhur dhe me sy të përlotur në porosinë e xhiruar.

Trupi i kamerieres nuk është gjetur kurrë

Edhe pse Francisko Benitez që nga fillimi ka qenë i dyshuari kryesor, para së gjithash për shkak se zhdukjen e bashkëshortes dhe të bijës e ka paraqitur gati dy javë më pas, por edhe për shkak të faktit se para zhdukjes kishte ndodhur një grindje mes bashkëshortëve, ndërsa rasti merr një dimension të ri pas zbulimit të një detaji tjetër tronditës të një rasti tjetër që daton që nga viti 2004, në të cilin protagonist kryesor ishte gjithashtu legjionari i njëjtë francez. Në fakt, më 29 nëntor të vitit 2004, pothuajse në mënyrë identike është zhdukur edhe 28-vjeçarja Simone De Olivera Alvesh, njëra nga dashnoret e atëhershme të Franciskos e cila supozohej se ishte shtatzënë. Atëkohë Benitez ishte i stacionuar në kazermën e Nimesë, vend ky në jug të Francës, 2.5 orë larg Perpinjanit, në të cilin ka jetuar nëna e pamartuar Simone. Sipas familjes dhe miqve të saj, Simone e ka ditur që Francisko është i martuar dhe se është baba, e kjo, supozojnë sot hetuesit, mund të jetë një prej arsyeve të mundshme të grindjes me përfundim tragjik. Të afërmit e saj janë të bindur që Simone nuk ka pasur kurrfarë arsye për t’u zhdukur dhe larguar nga katër fëmijët e saj dhe janë të sigurt që ajo është vrarë. Edhe në atë rast, sikur në rastin e zhdukjes së bashkëshortes dhe të bijës, legjionari francez nuk është ngutur për ta paraqitur zhdukjen e kamerieres braziliane, e gjithashtu ka qenë i fundit që e ka parë atë të gjallë. Më pas ka pohuar se ishte grindur me Simonën dhe se ajo nëpërmjet SMS-it ia ka bërë të ditur se e ndërpret lidhjen me të, se do të largohet për të mos u kthyer më. Trupi i kamerieres fatkeqe nuk është gjetur kurrë, ndërsa katër fëmijët e saj as tani, gati dhjetë vjet më pas nuk dinë shumë për fatin që e ka gjetur nënën e tyre të pamartuar. Pasi që nuk ishin gjetur kurrfarë dëshmi për krimin, Benitez ishte liruar nga të gjitha dyshimet. Sipas deklaratave të fqinjëve në Perpinjan, Fracisko Benitez ka marrë pjesë aktive në rritjen e të bijave, por para së gjithash ka qenë ushtar i ndërgjegjshëm dhe i ndershëm. Por, hetuesit kanë zbuluar se në raport me femrat ka qenë manipulues, por që edhe jo rrallë kishte pasur probleme me kontrollim të zemërimit.

Legjionari, pjesëmarrës në misione luftarake

Bashkëshorti besnik në shikim të parë, ky legjionar francez, i cili gjatë viteve 1990 ka marrë pjesë edhe në misione luftarake në territorin e ish-Jugosllavisë, por edhe në disa shtete afrikane, duket se ka qenë i gatshëm për gjithçka për ta fshehur jetën e tij të dyfishtë, e ndoshta edhe të shumëfishtë. Orët e fundit para vetëvrasjes i ka kaluar duke biseduar në telefon me dashnoren e tij spanjolle nga Girona. Motra e të zhdukurës Mari-Zhoze, Edviga, ka thënë se Pako, siç e thërrisnin Franciskon, ka qenë gjithmonë misterioz dhe se është vërejtur duke u përpjekur që t’i fshehë lidhjet me dashnoret e shumta. “E di që Pako i ka bërë diçka të tmerrshme motrës sime, e ndjej këtë thellë në vete”, ka deklaruar ajo para pak kohësh. Derisa disa miq dhe familjarë të Alisonës dhe Mari-Zhosesë ende shpresojnë për një përfundim pozitiv, hetuesit me gjetjen e ADN-së kanë humbur edhe shpresën e fundit që dy femrat janë gjallë. Pakkush beson sot që bëhet fjalë për një baba i cili thjesht nuk ka mundur ta durojë presionin për shkak të zhdukjes së bijës dhe bashkëshortes, gjë që, sipas të gjitha gjasave, ka dëshiruar ta arrijë me video-porosinë e tij. Përkundër zbulimit të ADN-ve të femrave të zhdukura, sikur edhe në rastin e dashnores së zhdukur, nuk ekzistojnë dëshmi materiale për krimin e kryer, pra nuk ka as viktima, ekzistojnë vetëm dyshime për tragjedinë e madhe dhe ndoshta është kryer edhe një krim i përsosur sipas skenarit tashmë të testuar.