image
Asgjë e re për sa u përket vendosjes së 5 figurave shqiptare në kuadër të Shkupit 2014. Në BDI pohojnë se iniciativën e kanë parashtruar në Komunën Qendër, por nuk precizojnë se kur do të bëhet vendosja e figurës së parë

Aida XHONI

Edhe pas shumë paralajmërimeve se së shpejti do të vendosen dy nga pesë figurat e personaliteteve shqiptare në sheshin e kryeqendrës në kuadër të projektit “Shkupi 2014”, asgjë të re në këtë drejtim. Në BDI pohojnë të kenë dorëzuar iniciativën deri tek Komuna Qendër para disa muajve, ndërsa pritet vendimi i komunës, e cila duhet të veprojë në bazë të planit urbanistik të saj. 

Kohë më parë përfaqësues të BDI-së qeveritare dhe historianët e Shkupit për “Koha e Re” patën informuar se përmendorja e piktorit Adem Kastrati dhe ajo e nobelistit Ferid Murati, janë dy nga pesë figurat që pritet të vendosen pranë mbikalimit “Syri”, në kuadër të projektit “Shkupi 2014”. Adem Kastrati është piktor i merituar, veprat e të cilit kanë kaluar kufijtë e Maqedonisë e të cilat paraqesin folklorin shqiptar gjithandej. Figura tjetër është ajo e Ferid Muratit, i cili ka marrë çmimin “Nobel” për mjekësi.  Në BDI më herët gjithashtu patën konfirmuar se ekzistojnë marrëveshje me VMRO-DPMNE dhe se diskutohet se cilat do të jenë ato pesë figura. Tre figurat e para që u paralajmërua të vendosen në kuadër të projektit qeveritar “Shkupi 2014” ishin Pjetër Bogdani, Nexhat Agolli dhe Josif Bageri. Ndërkohë, ky projekt është në realizim e sipër dhe deri në këto momente në sheshin e qytetit të Shkupit, janë vendosur figurat e revolucionarëve Goce Dellçev, Dame Gruev dhe Metodija Antonov Çento. Përndryshe, kundër realizimit të këtij projekti që kushton 200 milionë euro, kanë deklaruar rreth 75 për qind e qytetarëve, duke e quajtur atë famëkeq dhe që ka nxitur përkeqësim të marrëdhënieve ndëretnike në vend.

Figurat maqedonase, sipas planit

Tre figurat e para që u paralajmërua të vendosen në kuadër të projektit qeveritar “Shkupi 2014” ishin Pjetër Bogdani, Nexhat Agolli dhe Josif Bageri. Ndërkohë, ky projekt është në realizim e sipër dhe deri në këto momente në sheshin e qytetit të Shkupit, janë vendosur figurat e revolucionarëve Goce Dellçev, Dame Gruev dhe Metodija Antonov Çento.