DR: Bajrami po manipulon me statusin e UÇK-së
Nënkryetari i DR-së, Abedin Zymberi ka akuzuar ministrin e Punës dhe Politikës Sociale, Xhelal Bajrami për siç thuhet manipulimet lidhur me zgjidhjen e statusit të UÇK-së.
“Dje ishim dëshmitarë se si edhe njëherë ashtu si edhe shumë hera tjera Ministri për Punë dhe Politikë Sociale Xhelal Bajrami manipulon me opinionin publik shqiptar e në veçanti i mashtron familjet e dëshmorëve dhe invalidëve të luftës të vitit 2001, kategori shoqërore kjo e cila është me e prekura edhe pas 9 viteve të përfundimit të konfliktit të vitit 2001. T’ju rikujtojmë zotëri ministër se që në momentin që keni marrë pushtetin keni premtuar se shumë shpejtë do të zgjidhni çështjen e familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës mirëpo na rrejtët. Më vonë keni thënë se për këtë çështje keni formuar komisione në kuadër të koalicionit, mirëpo ju demantuan partnerët e koalicionit dhe zëvendësministri juaj. Tani përsëri jeni duke premtuar, por e dijmë se përsëri po mashtroni”, ka theksuar deputeti Zymberi.
Ai ka pyetur se përse Bajrami nuk e përkrahi Propozim-Ligjin e propozuar së bashku me deputetin e pavarur Daut Rexhepi.
“Ju më tepër se çdokush i keni borxh kësaj kategorie t’ia zgjidhni problemin sepse në emër të tyre sot jeni ulur në kolltuqet qeveritare dhe keni harruar se kush ju ka zgjedhur atje.Për në fund mund të them se deri më tani e kemi konstatuar se e keqja e shqiptarëve në Maqedoni është VMRO-DPMNE-ja, mirëpo me hapat e fundit të ministrave shqiptar dhe të BDI-së përfundimisht shqiptarët në Maqedoni kanë dy të këqija, edhe VMRO-DPMNE-në edhe BDI-në. Për fat të keq, tani nuk e dimë se cila është më e keqja nga të dyja!”, ka nënvizuar nënkryetari i Demokracisë së Re, Abedin Zymberi. (INA