Tetovë- Me tridhjetë vjet burg të enjten Gjykata Penale e Tetovës ka dënuar tre të rinj, të cilët ngarkohen për vrasjen e 58-vjeçarit Ismet Jahija, krim që ndodhi për dy qira të papaguara. Në seancën e të enjtes trupi gjykues e ka mbyllur procesin gjyqësor, duke e dënuar me njëzet vjet burg 23-vjeçarin Haki Shabani, ndërsa me nga pesë vjet 20-vjeçarin Jumni Xhemaili dhe Agim Miftarin 24 vjeç, të tre nga rajoni i Tetovës. Sipas aktakuzës, tre të rinjtë më katërmbëdhjetë shtator të vitit të kaluar, me një automatik, në afërsi të fshatit Gjermë, e ekzekutuan 58-vjeçarin. Hetimet policore vërtetuan se burri u vra me nëntë plumba të qëlluara nga një automatik, për shkak se i kishte kërkuar që t’i paguhet qiraja e banesës. Haki Shabani ishte duke qëndruar me qira në shtëpinë e Ismet Jahija në Tetovë, mirëpo dy muaj me radhë nuk kishte paguar qira. Për shkak të qirasë midis tyre ka pasur mosmarrëveshje, të cilat kanë kulminuar rreth orës 20 të mbrëmjes së 14 shtatorit. Në orën kritike Haki Shabani me ndihmë të dy shokëve të tij fillimisht e kanë rrahur burrin, ndërsa më vonë 23-vjeçari në drejtim të tij ka qëlluar nëntë plumba, duke e vrarë në vend. Pak kohë pas ngjarjes policia arriti t’i identifikoj autorët, ndërsa pas disa muajsh të kaluar në paraburgim ato u dënuan me 30 vjet burg.
Ndërkaq, një tjetër dënim me heqje lirie të enjten ka shqiptuar Gjykata Penale e kryeqytetit, e cila me 12 vjet burg e ka dënuar 19-vjeçarin Alban Amdiin, ndërsa me pesë të tjera 24-vjeçarin Fesal Idrizi nga Shkupi. Dy të rinjtë janë dënuar për shkak të sulmit të punonjësve të bastores “Korner”, nëpërmjet të cilit u akuzuan për vrasje në tentativë, grabitje dhe armëmbajtje pa leje. Ato në janar, duke përdorur një automatik dhe maska, janë futur në bastoren “Korner” dhe me ndihmë të armës së zjarrit kanë tentuar ta grabisin. Ato kanë arritur ta marrin qarkullimin ditor të bastores, por në të dal nga objekti janë ndaluar nga një ekip i alfave. Në ato momente e kanë përdorur edhe armën e zjarrit dhe kanë arritur të arratisen, duke e përdorur si mbrojtje njërin nga punonjësit e bastores, mirëpo rreth një orë më vonë janë arrestuar. Gjatë procesit gjyqësor Alban Amdii para trupit gjykues është shprehur se me paratë e grabitura nga bastorja ka dashur t’i paguaj studimet. (I.I.)