Tentim për t’i ikur përgjegjësisë, duke nënçmuar popullin
Fejzi HAJDARI
Politika shqiptare padyshim se vuan nga doza e madhe e naivitetit, mirëpo, politikanët shqiptarë nuk janë edhe aq naivë, sa kanë mendim nënçmues për elektoratin.
Kjo mund të vërehet edhe nga qëndrimi i fundit i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) pas dështimit diplomatik që pësoi Maqedonia në Luksemburg, ku nuk u përmend në konkluzat e këtij samiti.
Për t’i ikur përgjegjësisë, s’i bashkëfajtore për këtë dështim, BDI-ja doli me qëndrim se “kjo çështje nuk varet nga partitë shqiptare dhe komuniteti shqiptar, por nga dikush tjetër”. Shih naivitetin, thuaja se dikush i beson justifikimeve te këtilla tepër-tepër naive. Ky justifikim më duket i denjë vetëm për personazhin “zullu” të veprës së Faik Konicës. Për të qenë ironia edhe më e madhe, BDI u apelon “atyre nga të cilët varet zgjidhja e këtij problemi”, që të gjejnë zgjidhje sa më shpejtë. Ky qëndrim i BDI-së ngjason me qëndrimin e një mysafiri të huaj, që ka ardhur për vizitë protokollare në Maqedoni dhe për të përmbushur minutat e press-konferencës protokollare, “apelon” dhe “inkurajon“ palët që të gjejnë zgjidhje!. Çfarë ironie…!
A kanë harruar BDI-ja dhe përfaqësuesit e sajë, fjalët e mëdha të shprehura në të gjitha paraqitjet e tyre, se ata janë pjesë vendosëse e çdo procesi në shtet, duke përfshirë këtu edhe çështjen e emrit, apo ndoshta mes rreshtave po mundohen të na bëjnë me dije neve shqiptarëve, “se ekzistojnë çështje për të cilat vendosin vetëm maqedonasit” dhe çështje për të cilat përkrah maqedonasve mund të vendosin edhe shqiptarët.
Sepse, çështja e emrit nuk është problem njëdimensional siç tenton ta paraqesë BDI-ja, gjegjësisht çështje që ka të bëjë me emocionet e maqedonasve.
Nëse kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski, nuk e ka të qartë, atëherë, BDI-ja nuk guxon të mos e ketë të qartë se çështja e emrit është faktori kyç, i cili e përcakton ardhmërinë e Maqedonisë.
Nëse nuk e ka ditur, BDI-ja duhet ta kuptojë sa më shpejtë se meqë Evropa insiston në kompromis për emrin (lexo: ndryshim të emrit), atëherë edhe argumentet e palës greke kanë bazë logjike, por edhe morale. Mesazhet e kreut evropian dhe amerikan, janë shumë të qartë, në këtë drejtim.
Shpresoj se BDI-ja, nuk është futur në filmat e Nikolla Gruevskit dhe njerëzve përreth tij se “Maqedonia ka të drejtë, kurse Evropa është joparimore”, kur bëhet fjalë për çështjen e emrit.
Sepse, filmat e llojit “ne kemi të drejtë, por bota ka bë konspiracion kundër nesh”, kanë qenë karakteristike për regjime të cilëve shqiptarët ua kanë pa sherrin.