Oferta e kreut të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, për krijimin e një tryeze kombëtare, është shpërfillur nga Qeveria, e cila i ka bërë të qartë kreut të AAK-së se është qytetari ai që me votën e tij vendos se kush duhet të udhëheqë vendin për një periudhë të caktuar kohore.

Zëdhënësi i Qeverisë, Memli Krasniqi në një konferencë për media ka thënë se Kosova është shtet demokratik dhe në shtetet demokratike janë qytetarët ata që vendosin se kush do t’i udhëheq, kush do t’i qeverisë dhe përmes zgjedhjeve të rregullta demokratike vendoset se kush do të qeverisë me vendin për një periudhë të caktuar.

“Është me rëndësi që të gjithë duhet të mësohen në Kosovë, që në pushtet duhet të vihet përmes zgjedhjeve, përmes programeve të caktuara dhe përmes votës legjitime të qytetarëve”, ka thënë ai, transmeton Kosovapress.

Ai ka thënë se Qeveria ka mandatin e saj në bazë të votës së qytetarëve, mbi programin e prezantuar në zgjedhje dhe ky program ka të bëjë me të gjitha çështjet që ndërlidhen me qeverisjen e vendit, qoftë të rëndësisë nacionale, qoftë të çështjeve praktike.

Sa i përket deklaratave të fundit të kryeparlamentarit, Jakup Krasniqi lidhur me hetimet e EULEX-it, Krasniqi ka thënë se nuk është ekzekutivi ai që e kontrollon legjislativin dhe nuk është korrekte të bëhet vlerësim qoftë për punën apo për deklaratat e Kuvendit dhe të kreut të tij.

“Ne besojmë se ajo që është thënë në vazhdimësi, se duhet ndarë drejtësinë dhe politikën, është linja të cilën e ndjekim dhe do të jetë linja e cila do të vazhdojë në Kosovë sa i përket gjyqësorit, ekzekutivit dhe degëve tjera të pushtetit”, është shprehur Krasniqi.

Ndërkohë, duke komentuar raportin e Departamentit amerikan të Shtetit, që e paraqet Kosovën si një vend transit të trafikimit të qenieve njerëzore, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës ka thënë se raporti është i njëjtë pak a shumë me atë të vitit të kaluar, por megjithatë mbeten ende sfidat përpara sa i përket problemit të trafikimit me qenie njerëzore.

Ai shprehu besimin se do të ketë një angazhim nga të gjitha institucionet, të gjitha degët e pushtetit për të trajtuar veçanërisht çështjet të cilat ndërlidhen me ndjekjen e trafikantëve, çështje kjo që është paraqitur nga Departamenti amerikan i Shtetit si pika më e dobët.
/express/