Lëvizja për Integrim dhe Bashkim shpreh indinjatën e thellë lidhur me ndërhyrjen brutale të policisë së Kosovës në selinë e Lëvizjes Vetëvendosje!.

 Policia e Kosovës nuk ka pasur asnjë arsye të ndërhyjë me forcë dhe të ushtroj dhunë ndaj aktivistëve të L. VETËVENDOSJE! që ishin duke kremtuar 5-vjetorin e themelimit dhe po shpalosnin objektivat e tyre politike.

Policia e Kosovës nuk ka arsye të përleshet me aktivistë politik të cilët nuk mendojnë njësoj si pushteti aktual. Kosova ka nevojë për një polici në shërbim të popullit dhe jo në shërbim të klasës në pushtet.  Për LIB-in janë plotësisht të papranueshme ndërhyrjet që shkelin të drejtat e njeriut.

LIB-i kërkon nga policia e Kosovës që të kryejë detyrat e veta në interes të popullit, të jetë në shërbim të qytetarëve dhe të veproj kundër atyre që kryejnë veprime të jashtëligjshme, pra,  kundër atyre që dëmtojnë interesat e qytetarëve të këtij vendi. Ata janë të njohur për qytetarët dhe policia i di.

Ne kurrë nuk mund të pajtohemi me veprime dhe skena të tilla të cilat e revoltojnë publikun, siç janë përdorimi i dhunës ndaj veprimtarëve politik, të cilët, tekefundit kanë të drejtë mos të pajtohen dhe të veprojnë në funksion të ndryshimit të gjendjes ekzistuese politike, ekonomike dhe sociale, e cila vërtet është alarmante në Kosovë.

Policia e Kosovës do të bënte mirë  të bastisë, arrestojë, burgosë dhe ndëshkojë “peshqit e mëdhenj” të cilët po e dëmtojnë çdo ditë Kosovën dhe të ardhmen e saj. Prandaj, presim që ajo të jetë  e motivuar dhe aktive në luftimin e krimit të organizuar, në kapjen e kriminelëve, keqbërësve, në mënyrë që të çlirohet Kosova nga ngufatja që ia ka zënë frymën.

LIB-i kërkon lirimin e Albin Kurtit dhe aktivistëve të tjerë të L. Vetëvendosje!, zbardhjen e krimeve të 10 shkurtit 2007, ndëshkimin e vrasësve (policëve rumunë të veshur me petkun e OKB-së).

LIB-i shpreh kundërshtimin e hapur ndaj:

–          padrejtësive të shumta që kërcënojnë të ardhmen e Kosovës;

–          diskriminimit të vazhdueshëm të qytetarëve tanë;

–          shkeljes së të drejtës kombëtare të popullit shqiptar të Kosovës për vetëvendosje deri në shkëputje dhe shkeljes së pandërprerë të të drejtave të njeriut;

–          kompromiseve të dhimbshme në të kaluarën e afërt dhe rreziqeve që e bëjnë të pasigurt dhe të paqartë perspektivën e Kosovës në të ardhmen.

LIB-i kundërshton fuqishëm edhe diferencimin e qytetarëve tanë në baza ideo-politike, të cilat  janë të dukshme, e që fatkeqësisht vijnë si pasojë e politikave që kanë vetëm një qëllim: mbrojtjen e interesave të ngushta në dëm të interesit të përgjithshëm.

12.6.2010                                               Lëvizja për Integrim dhe Bashkim

                       Kryetari,  Smajl Latifi