Prishtinë: Policia e Kosovës, arrestoi Albin Kurtin
Lideri i Lëvizjes ‘Vetëvendosje’, Albin Kurti është arrestuar para disa minutash nga Policia e Kosovës. Kurti, pak orë më parë në një konferencë për shtyp, ka njoftuar se do të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare.
Lajmin për arrestimin e Albin Kurtit e kanë bërë të ditur përfaqësues të kësaj lëvizjeje, të cilët kanë thënë se së bashku me Alin Kurtin janë arrestuar edhe disa aktivistë të tjerë.
Kurti u arrestua në selinë e Vetëvendosjes.
Një gjykatës i EULEX-it ka lëshuar urdhër arrest për Kurtin, i cili akuzohet “për pjesëmarrje në një turmë që ka kryer vepra penale dhe për pjesëmarrje në një grup, që ka penguar personat zyrtarë në kryerjen e punëve zyrtare”.
Akuzat kanë të bëjnë me ngjarjet e shkurtit të 2007-ës në të cilat u vranë dy protestues.
Akuza për “thirrje për rezistencë në lidhje me ngjarjet e shkurtit të 2007-ës” është kërkuar të hidhet poshtë nga vetë prokuroria.
Kurti ka thënë se këtë proces gjyqësor e sheh si “proces me motive politike”.