Skandaloze: Mijëra euro ryshfet për të blerë lirinë

Prokuroria Speciale e Kosovës në bashkëpunim me Policinë e Kosovës është duke hetuar për dallaveret, të cilat kanë çuar në lirimin e disa të burgosurve të dënuar me burg, para se ata të kenë përfunduar vuajtjen e dënimit. Gazeta “Kosova Sot” nga burime të saj ka mësuar se hetimet janë duke u zhvilluar në disa pista dhe të njëjtat kanë të bëjnë me lirimin e një numri të konsideruar të burgosurve, të cilët pasi që kanë dhënë mitë, kanë arritur që të lirohen nga vuajtja e dënimit pa e përfunduar atë, duke shfrytëzuar dënimet alternative me kusht apo privilegjin tjetër atë të lirimit pas mbajtjes së 2/3-ave apo 1/2-ës së dënimeve. Nga burime të saj gazeta ka mësuar se ky hetim ka filluar tash një vit e gjysmë, përderisa në të janë duke u hetuar rastet e lirimeve të të burgosurve në katër vitet e fundit, e të cilët kryesisht kanë vuajtur dënimet e tyre në Burgun e Dubravës. “Hetimi në fjalë tashmë është duke u konkretizuar përderisa shumë shpejt mund të priten arrestimet e para të cilat kanë të bëjnë me këto veprime”, thotë burimi i gazetës brenda hetuesisë.
I njëjti ka potencuar faktin se në këtë hetim janë të përfshirë zyrtarë të gjykatave, zyrtarë të shërbimit korrektues të Kosovës, doktorë, si dhe disa persona të tjerë, të cilët janë marrë me negociatat të cilat kanë çuar në limimin e të burgosurve pa e përfunduar dënimin e shqiptuar nga gjykata. Zyrtarët kanë përfituar shuma të mëdha të parave në kompensim të lirimit të parakohshëm të të dënuarave me burg, të cilët kanë qenë duke vuajtur dënimet e shqiptuara nga gjykata. Hetimi, sipas këtij burimi, është duke u udhëhequr nga një prokurorë vendorë i Prokurorisë Speciale, përderisa janë autorizuar një varg veprimesh hetimore, të cilat kanë siguruar mbledhjen e shumë provave materiale, të cilat tani janë duke u analizuar. Burimi i gazetës, po ashtu, ka konfirmuar faktin se hetuesia tashmë ka mbledhur një mori të provave, të cilat i konfirmojnë dyshimet për keqpërdorimet me këto veprimtar. “Jemi duke i analizuar provat, të cilat i kemi mbledhur për një vit e gjysmë hetime”, i ka thënë një burim gazetës i afërt me hetuesinë. I njëjti nuk ka përjashtuar mundësinë që të ketë arrestime në të ardhmen e afërt, përderisa ka potencuar faktin se në hetim janë të përfshirë një numër i madh i zyrtarëve të lartë të gjyqësorit dhe atyre të shërbimit korrektues. Ky burim nuk ka përjashtuar mundësinë që në hetim të jenë të përfshirë edhe gjyqtarë dhe ish-gjyqtarë të Gjykatës Supreme të Kosovës, të cilët me vendime të tyre kanë bërë të mundur lirimin e të dënuarve nga burgu. Mirëpo për tërë këto veprime të hetuesisë nuk është i njoftuar fare komisionari i burgjeve Resmi Hoxha.
I pari i burgjeve i ka thënë gazetës se nuk ka marrë asnjëherë ndonjë kërkesë nga organet e ndjekjes për hetimin e këtyre rasteve. Nga ana tjetër gazeta nga kontaktet me të burgosurit, të cilët janë duke vuajtur dënimet në burgje, ka arritur të kuptojë biznesin joligjor, i cili zhvillohet brenda mureve të borxheve. Aty ka individë, të cilët u kërkojnë para të burgosurve më premtimin se do të sigurojnë lirimin e tyre qoftë nga burgu apo të faljes së dënimit. Personat në fjalë, sipas të burgosurit, thirren të kenë lidhje me gjykatat dhe me organet e borxheve. Këta persona, sipas këtij të burgosuri, kërkojnë para varësisht nga dënimi që ka i burgosuri apo i paraburgosuri. Shumat shkojnë nga 20 mijë euro deri në 100 mijë apo më shumë”, thotë i burgosuri i kontaktuar nga gazeta. (Më gjerësisht mund të lexoni në numrin e sotëm të “Kosova Sot”)