SQARIM PËR OPINION
Duke kujtuar rolin historik të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, LIB-i iu uron të gjithë shqiptarëve 10 qershorin e lavdishëm të historisë dhe iu bën thirrje atyre, ta mbajnë gjallë sot dhe përgjithmonë Lidhjen, e cila si dikur, edhe sot por edhe nesër, i ka bashkuar dhe i bashkon shqiptarët si komb.
Është e papranueshme se si institucionet e Republikës së Kosovës dhe ato të Republikës së Shqipërisë nuk e respektojnë 10 qershorin 1878, datën e themelimit të Kuvendit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Për institucionet në fjalë është ditë pune, ditë e zakonshme, thuajse nuk ka ngjarë asgjë para 132 vjetësh. Ndërkohë, nuk harrojnë të festojnë data të cilat nuk kanë asnjë lidhje me shqiptarët. Ne jemi shqiptarë dhe jetojmë në trojet tona, ne kemi histori, nuk jemi të shurdhër as memec, ne kemi identitet të fuqishëm, prandaj nuk e meritojmë të kemi institucione të cilat i injorojnë dhe i mohojnë datat të tilla të shënuara të historisë së popullit shqiptar, siç është data 10 qershor.
Lëvizja për Integrim dhe Bashkim konsideron se institucionet e mirëfillta(sot na mungojnë) kanë detyrim t’i ruajnë dhe mbrojnë me ligj datat e shënuara historike. Lëvizja për Integrim dhe Bashkim asnjëherë nuk mund të pajtohet me mospërfilljen e këtyre datave të cilat mbajnë vulën e përpjekjeve, sakrificave, gjakut të derdhur dhe përkushtimit të paraardhësve tanë në luftën për çlirimin dhe bashkimin e trojeve shqiptare. E si të pajtohemi me indiferencën, moskujdesin, për më keq, me eliminimin e shenjave identifikuese (vendimi i Gjykatës Kushtetuese i R. së Kosovës për heqjen e emblemës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit nga logoja e Kuvendit Komunal) të kombit shqiptar?
LIB-i shprehë shqetësimin real sot, sepse edhe pas 132 vjetësh, çështja shqiptare ende është e pazgjidhur. Përpjekja për bashkim kombëtar ende nuk e ka fuqinë dhe mbështetjen e duhur, nuk i ka ende mekanizmat e duhur për zgjidhjen e drejtë të saj. Mjerisht kjo aspiratë dhe ky interes madhor kombëtar nuk përfaqësohen nga institucionet politike dhe shtetërore të R. së Kosovës dhe të R. së Shqipërisë. Pasojat e kësaj mospërkrahjeje janë të ndërlidhura me politikën që vazhdon mos të zgjedhë mjete për të realizuar disa interesa të ngushta.
Data 10 qershor 1878, i dha emër Lidhjes Shqiptare. Lidhja i dha grusht armiqve dhe luajti rol historik në historinë e popullit shqiptar. Veprimtaria e kësaj organizate politike ushtarake, bëri që ky popull, jo vetëm të jetoi në këto troje, të luftoi për to, por edhe të përballojë me dinjitet rrebeshet e shumta. Duke qenë populli i bashkuar me Lidhjen, i bashkuar rreth qëllimit kombëtar të saj, ai ruajti: emrin, lartësoi identitetin me gjakun që ka derdhur në çdo cep të truallit të vet, nga fuqitë pushtuese u lakua ndonjëherë nga goditjet, por kurrë nuk u thye, eci krenar dhe arriti që me përpjekje e rezistencë t’i shëroi plagët dhe dhimbjet e mëdha që i mori në këtë rrugëtim historik, eci pa u ndalur asnjëherë, bëri shumë rrugë për të ardhur deri këtu ku jemi sot.
Po, sot, ku jemi!? Gjithsesi sot është me lehtë se me 1878. Sot programi i Lidhjes së Prizrenit, pra, bashkimi i shqiptarëve në një shtet kombëtar është i mundur. Më shumë se aspiratë ai sot është shndërruar në nevojë, interes, domosdoshmëri dhe mënyrë e vetme e zhvillimit normal dhe mirëqenies së kombit shqiptar. Sa më parë që ky projekt kombëtar do të bëhet pjesë e institucioneve dhe pjesë e qeverisjes, pjesë e secilit njeri të zgjedhur, aq më e shkurtër do të jetë rruga e realizimit të tij.
10. 6.2010 Lëvizja për Integrim dhe Bashkim
Kryetari Smajl Latifi
—
Kryesia e Lëvizjes për Integrim dhe Bashkim
Adresa; Rr. “Rrustem Statovci” nr. 9 – Prishtinë
Email; info@lib-ks.org, l.integrimdhebashkim@gmail.com