KUR NUK KE Ç’TË THUASH, DUHET TË NDJEHESH ME SIKLET
Fadil LUSHI
Të nderuar lexonjës të vëmendshëm dhe të paanshëm. Këtë shkrim do ta lidh me një shprehje proverbiale nga Shqipëria veriore, ku pos tjerash thuhet: poqese bën një nder (në veçanti ndaj vatanit) mos e ndiq pas. Dhe unë nuk do t’i vihem pas kësaj shprehje sepse nuk kam kushedi çfarë hise në ndërtimin e filozofisë dhe gjenealogjisë së saj. Këtë nuk do ta bëjnë as hisedarët e saj, ata që kanë pjesë në atë trashëgimi shpirtërore. Megjithatë, kësaj radhe do më duhet ta personalizoj pak shkrimin, shih për këtë do t’i referohem një historie që ka dy kaptina, njëra që do hetohet me jallaninë e ca shqiptarëve taze, të cilët, në emër të një pordhe që u ka ngelë në brekë, do mëtojnë të identifikohen me fatet e njerëzve që projektuan patriotizmin dhe atdhedashurinë, të kopjojnë retrospektivën nacionaliste të shumë shqiptarëve të cilët rininë e tyre e filluan dhe e përfunduan në kazamatet e ish Jugosllavisë dhe një tjetër kaptinë që heton atdhetarizmin e vërtetë të ca shqiptarëve që dikur në hapësirat e Luginës, Kosovës dhe Maqedonisë, kishin mëtuar të ndërtojnë një Shqipëri natyrale, siç do të thonin të gjithë ata që e duan Shqipërinë me këtë mbiemër. Unë në krahasim me ata, nuk do të mëtoj as ta ndërtoj e as ta pleqëroj “shqiptarinë”, përkundrazi do llafos një histori, sa të lavdishëm po aq edhe të dhimbshme të së kaluarës së tyre. Mua do më duhet të trokas në dyert e harresës sonë kolektive, në dyert e mbamendjes sonë toptan, që sot e gjithë ditën e Perëndisë është shndërruar në psherëtimë, dhe që zvarritet ashtu si ajo foshnja që i mungon kujdesi dhe dashuria e prindërve biologjikë, që i mungon vaji, që i mungon heshtja, që i mungon uji dhe… Të dërdëllisësh sot dhe të thuash me paturpësi, që përpjekjet e tyre të dikurshme për të bërë poltikëbërje, na paskëshin qenë utopi, çallëm, katandisje, megalomani, nihilizëm apo edhe “përpjekje meskine” është jo vetëm përbuzje por edhe një nëpërkëmbje serioze e gjithë veprimtarisë së tyre thellësisht nacionaliste.
Bëhet fjalë për shqiptarë të cilët duke filluar që nga vitet e ‘50-ta, do vuanin dënimet në Petrova Rupa të Goli Otok-ut famëkeq. Bëhet fjalë për shqiptarë nacionalistë, gjithandej trevave ku frymohej, ndërgjegjësohej dhe ku pleqërohej shqip. Bëhet fjalë për njerëzit me fate të grabitura, për njerëz “ËNDRAT E TË CILËVE PËRGJITHMONË NGELËN TË PATHËNA”. Bëhej fjalë për njerëz, që kur kishin marrë udhë Dallmacie, kishin ditur se ku shkojnë, por ama kur (nuk) do dalin nga atje, disa e kishin ditur, disa nuk arritën ta mësojnë atë lajm nga që i varrosën në gurishtën e zhveshur të Goli Otokut-atje, përballë vreshtave..,në varret e mbuluar me gurët që i kishin thyer vet.., disa intimisht e donin ta përqafonin atë haberr. Ata, ishin njerëz të cilët ndërtuan Kryefjalën dhe Kryeqytetin e patriotizmit, atë patriotizëm, i cili ndodhet në vendin ku ke lindur, atje ku ajo është pleqëruar, atje në poezinë “Sa zgjat vaji i brezave” të Sabri Hamitit, atje në Kullën e Jasharajve, atje në zemrat e nënave drenicase, atje në zemrat e shumë nënave këtej Maqedonisë, të cilat asnjëherë nuk pranuan ngushëllimet karshi dëshmorëve-luftëtarëve të tyre të paepur, jo atje, në ndejat ku ajo shtrembërohet. Ata ishin njerëz, ata ishin sui generis, ata ishin shqiptarë që nuk e donin lirinë, nuk donin të kthehen në vatan! A dini, ju të nderuar lexonjës, pse nuk donin të kthehen, sepse ata, nuk dinin se kur do DALIN nga Goli Otoku, KU DO TË SHKONIN!? Ata, nuk dinin se kujt do i KTHEHEN, ata, (nuk) e dinin se familjet e tyre ishin të trazuar duke u degdis në Anadoll, ata (nuk) e dinin se familjet që kishin ngel në Kosovë, Maqedoni, Pllavë e Luginë, ishin përgjysmuar, ata, ndoshta (nuk) kishin kuptimin se zonjave të tyre ishin vardisur kodoshët e UDB-ës, nga..,ata (nuk) e dinin se fëmijët e tyre ku kishin vajtur!..,ata, e DININ VETËM NJË TË VËRTETË SE DETYRAT ATDHETARE, MUND TË PËRFUNDOHEN VETËM DHE VETËM në kazamatet e Goli Otokut dhe jo, në kolltuket dhe kryemenderet e ndërtuara nga këta të lartpërmendurit, nga djersa dhe lekët e miletit! Kjo ishte vetëm një kaptinë e tyre, një ecejake e tyre, një rrugëtim i tyre, që i degdiste drejt kërkimit të lirisë së vonuar të vatanit të tyre.
Dhe pas gjithë kësaj që tham më lartë, a mos vallë, kjo histori e tyre (nuk) mund të jetë një shembull se si sot duhet të bëhet politikëbërja nga ana e lidershipëve dhe politikanëve shqiptarë!? Apo ata që merren profesionalisht me politikë, ndoshta kanë tjetër qasje ndaj politikës. Megjithatë, asnjë lidershipi të partive shqiptare në Maqedoni, nuk i jepet e drejta që edhe më tej të zvarris premtimet e dhëna, asnjë lidership nuk ka të drejtë të pishmanohet ndaj…, asnjë lidership nuk ka të drejtë të kërkojë “shtëpi të re” për politikën e vjetër, asnjëri prej politikanëve shqiptarë këtu në Maqedoni, nuk ka të drejtë që sot, të kërkojë arsyetime inekzistente karshi realizimit të pjesshëm të platformës politike! Sot, edhe pas dy dekadash tranzicioni, asnjëri prej lidershipëve shqiptarë, nuk ka të drejtë të thotë se; nuk mund të bashkëqeveriset apo edhe “bashkësundohet” me z. Nikollë, dhe me partinë politike të tij nacionaliste!? Asnjëra parti politike shqiptare, nuk e ka të drejtën të qëndroj mënjanë institucioneve qendrore dhe legjislative..,asnjëri lidership shqiptar, nuk duhet të lejoj që partia e tij, të kalojë nën kontrollin dhe përkujdesjen e makiavelistëve provincial dhe “allafrënga”, të cilët duke u rebeluar në oborrin e partisë, me çdo kusht do kërkojnë të sundojnë të drejtën e të bërit politikë klandestine, respektivisht politikë që do karakterizohet me grafikon skajshëm të çrregullt! Asnjë lidership nuk mund ta ndryshoj dhe në instancë të fundit ta dualizojë “mendjen” dhe qëndrimin e partisë politike..,apo se a duhet apo nuk duhet të braktiset qeveria, dhe të thuhet se; “ne nëse dalim nga koalicioni qeveritar, ku do shkojmë”. Çdo dashamir do thotë se: “nëse e braktisni atë qeveri, ju keni kujt t’i ktheheni..,do i ktheheni verdiktit, votës së lirë demokratike dhe deliberative të popullit. Pse gjithë ky siklet!
Dhe sot të gjithë lidershipët e partive politike shqiptare këtu në Maqedoni, kështu siç bëjnë politikë, u ngel të sundojnë vetëm një të drejtë: atë për t’u ulur tok me njëri-tjetrin pranë tavolinës, pranë asaj tavoline ku ndërgjegjësohet, humanizohet dhe emancipohet uniteti i mendimit dhe veprimit politik!?
Hajt, shqiptarë, bëjeni këtë dhe ndërtojeni paqen dhe dashurinë vëllazërore. Ju e keni aminin e popullit. Hajt, o shqiptarë! Lëreni mënjanë dufin, nuk jemi aq shumë, sa për t’ia nxjerrë sytë njëri-tjetri. Ndryshe nuk bën dhe nëse bën, nuk ka hije!