S’ka para për “Tetova 2014” dhe “Gostivari 2014”
Komuna e Tetovës dhe e Gostivarit do të kishin ndërtuar dhe zbukuruar sheshet e tyre, nëse do të kishin pas mjete financiare. Bustizimi i Tetovës dhe Gostivarit nuk do të bëhet, siç po bëhet bustizimi i Shkupit, pasi këto komuna nuk vuajnë nga ndonjë kompleks, por objekte dhe sheshe do të kishin ndërtuar pa tjetër nëse Qeveria I mbështeste projektet e tyre. Faton Murseli, përgjegjës për informim pranë Komunës së Tetovës tha se kjo komunë ka një projekt i cili përfshin ndërtimin e bibliotekës, teatrit dhe xhamisë në qendër të Tetovës, mirëpo nuk ka mjete financiare për ta realizuar atë. “Është një projekt i madh për të cilin nuk mjaftojnë paratë e komunës”, thotë ai, duke shtuar se projektin “Shkupi 2014″ e financon Qeveria dhe jo komuna. Ndërsa për të ndërtuar buste në qendër të qytetit, Komuna e Tetovës momentalisht nuk e ka në plan. “Për këtrë vit nuk është paraparë ndërtimi i ndonjë busti apo përmendoreje, por kjo s’do të thotë se vitin e ardhshëm nuk mund të ketë ndonjë të tillë”, thotë Murseli, duke shtuar se komuna bën plan një vjeçar. Ndërsa Komuna e Gostivarit ka probleme të tjera, pasi në Këshillin komunal nuk mundet të sigurojë dot shumicën e badenterit dhe jo vetëm që nuk mund të ngre ndonjë bust në këtë qytet, por as që i heq dot bustet e mbetura të Jugosllavisë. “Meqë se sigurojmë dot shumicën e badenteriot, as nuk mund të heqin dhe as nuk mund të vënë buste në qytet”, tha Shenije Elezi, zëdhënëse e Komunës së Gostivarit. Ndërsa për një projekt të ngjashëm me atë të Shkupit 2014, ajo thotë se duhen mjete financiare. “Çdokush ka dëshirë të bëj diçka për qytetin e tij, por ajo varet nga buxheti”, thotë ajo. Për projektin “Shkupi 2014″ Qeveria ka ndarë rreth 200 milionë euro. Projekti përfshin bustizimin e sheshit dhe disa ndërtime të tjera.
