image

Sipas Ramadan Ramadanit, duke parë se çështja e Xhamisë Burmali, po shkon drejt politizimit dhe partitë politike po tentojnë ta fusin atë në programin e tyre, me qëllim që të marrin poenë politike “kërkojmë që sa më shpejt trualli i Xhamisë të na kthehet”

Aida XHONI

Këshilli inicues për ndërtimin e Xhamisë Burmali kërkon me urgjencë të kthehet prona e xhamisë. Përfaqësuesit e këtij Këshilli janë kundër idesë për politizimin e kësaj çështje. Duke mos konkretizuar me afate, Ramadan Ramadani, kryetar i Këshillit ka thënë se trualli i Xhamisë duhet t’u kthehet sa më shpejt, me qëllim që të mos keqpërdoret për politika ditore.
“Duke qenë se çështja e Xhamisë Burmali po shkon drejt politizimit dhe partitë politike po tentojnë ta fusin atë në programin e tyre me qëllim që të marrin poenë politikë, kërkojmë që sa më shpejtë trualli i Xhamisë të na kthehet”, ka thënë Ramadani. Ai gjithashtu ka shtuar se kjo kërkesë bëhet duke e pasur të qartë se opinioni është mjaft i senzibilizuar për rikthimin e kësaj Xhamie.
“Po shohim se puna e Xhamisë, ka konsensus të gjerë te popullata, ndërsa Qeveria po ngec në ndarjen e truallit, njejtë siç ka bërë me kishën në Sheshin e qytetit të Shkupit”, ka thënë më tej Ramadani.
Në lidhje me paralajmërimet e faljes së namazit të xhumasë në vendin ku ka qenë më parë Burmali Xhamia, Ramadani ka thënë se kjo punë siç është shprehur në disa drejtime, “i mbetet Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë (BFI) për kërkesën që ua kemi dërguar”.
“Pas manifestimit me lutje fetare dhe program kulturor që e organizuam në Sheshin e Shkupit, para rreth një muaji, ne nuk kemi ndërmarrë ndonjë aktivitet në këtë drejtim. Në Bashkësinë Islame të Maqedonisë vazhdojnë të heshtin në lidhje me kërkesën që ua kemi parashtruar kohë më parë, për të na dhënë dritë jeshile për të falur namazin e xhumasë në vendin ku ka qenë më parë Xhamia Burmali”, ka thënë Ramadan Ramadani