Pas skandalit me Facebook, “Cambridge Analytica” mbyll aktivitetin
Firma e konsulencës politike, “Cambridge Analytica”, e cila ishte në epiqendër të skandalit të shfrytëzimit të të dhënave vjedhurazi nga Facebook, do të mbyllet.
Firma u akuzua për përdorim të paligjshëm të të dhënave në emër të klientëve politikanë.
Sipas rrjetit më të famshëm social, Facebook, të dhënat e rreth 87 milionë përdoruesve të tij u vodhën nga një aplikacion e më pas i kaloheshin konsulentëve politikë.
Rrjeti social nuk ka komentuar mbi këtë zhvillim të fundit. Ndërsa zëdhënësi i “Cambridge Analytica”-s, Clarence Mitchell, për shkak të interesimit të BBC-së i referoi medias britanike faqen zyrtare të firmës, ku njoftohej mbyllja.
“Përgjatë muajve të fundit, Cambridge Analytica ka qenë subjekt i akuzave të panumërta e të pabazuara, pavarësisht përpjekjeve të kompanisë për të korrektuar gjetjet, është përgojuar për disa aktivitete që jo vetëm janë të ligjshme, por pranohen gjerësisht si një përbërës standard i reklamimit online, në fushat politike dhe tregtare”, thuhet në deklaratë.
“Pavarësisht besimit të palëkundur të Cambridge Analytica, se punonjësit e saj kanë vepruar në respekt të etikës dhe ligjit, mbulimi mediatik që iu bë asaj ka larguar pothuajse të gjithë klientët dhe furnitorët e kompanisë. Për pasojë, kemi ardhur në konkluzionin se vazhdimi i operimit të këtij biznesi nuk është më i mundur”.
Deklarata shtonte më tej se grupi britanik “Strategic Communication Laboratories Elections” po fillonte procedurat e falimentit.