Sajid Javid,pakistanezi që bëhet sekretar i Brendshëm i Britanisë
Sajid Javid është emëruar në postin e Sekretarit të Brendshëm në Britani, pas dorëheqjes së Amber Rudd.
Javid, djalë i një shoferi pakistanez autobusi, familja e të cilit mbërriti në Britaninë e Madhe në vitet ’60, është aktualisht Sekretar për Komunitetet, Qeverisjen Lokale dhe Strehimin.
Para kësaj detyre, ish-bankieri dhe deputeti i zonës “Bromsgrove”, ka qenë Sekretar për Biznesin dhe Kulturën.
Duke dhënë dorëheqjen, Rudd tha se kishte keqinformuar pa dashur deputetët në lidhje me faktin që ajo kishte dijeni për objektivat mbi emigracionin.
Largimi i saj vjen disa javë pas publikimit të lajmit për trajtimin e familjeve të brezit “Windrush”, që u vendosën ligjërisht në Britani pas lufte, e drejta e të cilave për të qëndruar në ishull është vënë në pikëpyetje nga politika jo tolerante e qeverisë për emigracionin.
Pas emërimit të Javid, “Nr. 10” njoftoi gjithashtu se ish-Sekretari për Irlandën e Veriut, James Brokenshire do të kthehet në kabinet si Sekretar për Strehimin, Komunitetet dhe Qeverisjen Lokale.
48-vjeçari Javid, që ka hyrë në Parlament në vitin 2010 dhe mbështet qëndrimin në BE, pavarësisht se konsiderohet një euroskeptik, udhëheq reagimin e qeverisë ndaj katastrofës së vitit të kaluar në kullën “Greenfell”.
Gjatë fundjavës, ai i tha “Sunday Telegraph” se skandali “Windrush” e kishte bërë atë personalisht të ndihej keq për faktin se vet ai vjen nga një familje emigrantësh.