yzeiri

Shfaqja nacionaliste që dha personazhi ynë Kryeministër ishte më spektakolarja e të gjitha budallallëqeve, idiotësive, folklorizmave dhe gjithçkaje të marrë që mund të ketë një personazh arkaik, provincial kur vishet me kostumin e të parit të vendit. Mirëpo, falë këtij spektakli dhe falë kësaj komedie, miqtë tanë amerikanë dhe europianë i thirrën mendjes dhe e morën seriozisht “nacionalistin” e Tiranës. Deri para kësaj maskarade, siç e dimë të gjithë, ambasadorët e nderuar të trojkës në Shqipëri dhe kancelaritë perëndimore, nuk e kishin marrë seriozisht këtë sharlatan të vonuar që dhunon zgjedhjet, vret njerëz para zyrës së vet, plaçkit vendin dhe sillet nga mëngjesi e deri në darkë si një i ndërkryer që flet marrëzitë e dynjasë dhe që na e ka neveritur këtë vend sa herë që shfaqet në ndonjë ekran televizori. Mirëpo, siç shihet edhe këtij njeriu do t’i vinte fundi i karrierës politike dhe për këtë, mesa duken bathët, paska menduar as më shumë e as më pak, por Kreshnik Spahiu, lideri karizmatik i partisë që po përhapet me shpejtësi dhe që mban emrin simbolik “Aleanca Kuqezi”.

Retorika e Kreshnikut në fillim ishte thellësisht patriotike dhe mbështetej në kultin e krenarisë kombëtare. Duke lartësuar shenjat e trashëgimisë kombëtare dhe duke ngritur lart dinjitetin e gjithçkaje që është shqiptare, Kreshnik Spahiu dhe partia e tij e zgjuan sidomos rininë dhe i dhanë asaj një motiv më shumë për t’u ndier krenarë për përkatësinë kombëtare. Imazhi i shqiptarëve dhe i Shqipërisë, sidomos në këta njëzet vjet tranzicion, ishte për të qarë hallin dhe Kreshnik Spahiu e partia e tij, me anë të retorikës kombëtare, kërkonin në fillim që të zgjonin ndjenjat e fjetura të krenarisë për shenjat shqiptare duke zgjedhur modelin romantik dhe idealist të rilindësve shqiptarë, të cilët identifikimin me gjuhën, me flamurin dhe me tradita të tjera të vyera i shpallnin apriori si model për suksesin dhe mbrothësinë e kombit. Mirëpo, ishte e natyrshme dhe e pritshme që retorika e Spahiut të rrëshqiste edhe në një patriotizëm jo kontemporan, atëherë kur ai shpalli se bashkimi i shqiptarëve në një shtet duhet të jetë prioritet politik. Mirëpo, pikërisht këtu Kreshnik Spahiu u tregua politikan me vizion.

Ai e tërhoqi prenë e vet, kundërshtarin më të egër politik, Sali Berishën, në teatrin e kukullave nacionaliste. Kreshnik Spahiu ka meritën se, me shumë finesë dhe me zgjuarsi, e zgjoi Don Kishotin që flinte brenda shpirtit provincial e të marrë të Kryeministrit dhe e bëri këtë të fundit që të shalojë Rosinantin e patriotizmit e të nisë të ligjërojë broçkulla patriotike duke telendisur të madh e të vogël. Njësoj si Don Kishoti, ai mendoi se tani i kishte ardhur koha dhe Kreshnik Spahiu nuk mund t’ia merrte nga duart Don Kishotit tonë këtë trofe. Ai ngjeshi mamuzet e provincializmit romantik dhe nisi të recitojë me zë të çjerrë vargje patetike për shqiptarë në gjashtë shtete, ngrysej e gdhihej me albanofobinë në gurmaz dhe m’u atëherë kur duhej, Perëndia me të madh të vet, na dërgoi edhe një dhuratë tjetër.

Një tubim i ministrave të Jashtëm dhe kryeministrave të NATO-s në Gjermani dhe tani ishte rasti të thoshim me gojën plot: Kreshnik “u kry”. Pra doli mendsh: Kush e ka parë atë pamje kur Don Kishoti ynë rrëmbeu mikrofonin dhe u jepte leksion perëndimorëve për patriotizmin dhe albanofobinë, me siguri ka mallkuar veten përse është shqiptar, por edhe është gëzuar se më në fund, bota e mori vesh se çfarë të marri kemi në krye. Ky ishte kulmi. Mirëpo, Perëndimi ka një burokraci të mrekullueshme. Në qoftë se një marrëzi e një lideri të caktuar hyn në dhëmbët e kësaj burokracie, ajo nuk del dot, sepse sapo kalon nga një ingranazh e merr tjetri. Ndaj edhe Tirana, pas këtyre marrëzive të Don Kishotit tonë Kryeministër u bë vend pelegrinazhi për të gjithë perëndimorët, të cilët, si rrallë ndonjëherë, gati sa nuk po i thonë: -Boll ti nuk durohesh më! Mirëpo, kur mendon se ai që e sëmuri pacientin tonë, ai që e infektoi atë me sëmundjen e Don Kishotit, është Kreshnik Spahiu, mua më vjen të vë buzën në gaz e të them: I madh Nik! Më duket se na shpëtove.