Bashkimi Demokratik Shqiptar (BDSH) në Maqedoni uroi qytetarët e Kosovës për zgjedhjet e suksesshme parlamentare të parat në Kosovën e pavarur dhe sovrane.

“Shqiptarët edhe një herë dëshmuan se dinë të jenë organizatorë të zgjedhjeve të mirëfillta dhe demokratike dhe me këtë të hapin rrugën e integrimit të Republikës më të re në Ballkan, në strukturat euro-atlantike. Organizimi i zgjedhjeve të qeta dhe demokratike brenda një afati kaq të shkurtë kohor është vetëm për tu përshëndetur. Autoritetet dhe Komisioni Qendror Zgjedhor i Kosovës, së bashku me qytetarët e Kosovës treguan pjekurinë politike dhe frymën demokratike e cila buron në Kosovë”, theksohet në mesazhin e liderit të BDSH-së, Bardhyl Mahmuti.

BDSH gjithashtu “uron Partinë Demokratike të Kosovës si fitues të këtyre zgjedhjeve, dhe shpreson që në një afat të shpejtë kohor do të formojë qeverinë e re të Kosovës së pavarur e cila siç deri më tani, do të drejtojë vendin dhe do të përmbush aspiratat e qytetarëve të Kosovës për një të ardhme më të mirë”.